Kohë e kaçarrumsumsash

Apr 16, 2021 | 9:21
SHPËRNDAJE

Edmond dhe Robert Budina

EDMOND BUDINA

Elektorizmat (që këtu te ne të kujtojnë kataklizmat) duhet të ndodhin një herë në katër vjet normalisht, por edhe më shpesh nëse zvogëlohet numri i kaçarrumsumsave në këtë shoqërinë tonë tejet të përparuar. Kur ato fitohen për të tretën radhë, tregon se kaçarrumsumsat janë rritur së tepërmi.

Janë ata që nuk e kanë për gjë të të vjedhin edhe mëmë e atë, të të vjedhin datëlindje e gjithë ç’të jetë. Mjafton që të zgjatin ekzistencën. Nuk e harrojnë atë të famshmen: “Ç’thotë partia, bën populli, ç’do populli bën partia”. Fanepsen e flasin veç për vepra të mëdha e VIP-ra të mëdhenj.

Të shastisin kur shprehen si në delir, kur superlativat shtresëzohen si blloqe betoni njëri përmbi tjetrin si fjala vjen; i madhi i të mëdhenjve, më i madhi i madh, të madhin e madh e madhëron madhëria…ose jashtëzakonisht shumë i shkëlqyer, që mrekullon mrekullisht!! Vetiu të lind pyetja: Pse me kaq madhështira, mrekullira, madhësira jemi vogëlsira e fundit në Europë?! Me të drejtë, shumëkush mund të pyesë se çfarë janë këta kaçarrumsumsat. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet ta fillojmë nga seftja…

Të parë janë Hiç-at ose askushat, të cilët nuk i njeh njeri, që janë pa profesion ose, edhe kur e kanë, nuk bëjnë hajër. Për t’u çliruar nga baltovina monotone ku janë zhytur, përpëliten, llapashiten me çdo mjet të dalin disi në sipërfaqe. Kështu iu afrohen protestave, nganjëherë cyten nga shoqëria civile, e cila nuk kuptohet se pse quhet e tillë, edhe pse vishet me uniforma e kryen veprime ushtarake, gjithmonë të urdhëruara.

Diku lëshojnë një fjalë, diku marrin një mikrofon, diku sajojnë ndonjë ashtuquajtur kauze, që më pas e humbasin po vetë me ndërgjegje.

U jargaviten atyre që janë më të njohur, qajnë për ta, bëjnë be e rrufe, iu thurin lavde, iu ngrenë monumente me fjalë, thurin vjersha dhe fësht… iu duket vetja të rëndësishëm. U del në shteg edhe ndonjë ekran, kështu ngjiten në shkallën e dytë, atë të Piç-ave. Pra, Piç-at ua kanë hipur Hiçave e mbahen për VIP-ushka. U afrohen oborreve, parkimeve e korridoreve të partive e partitiçkave, ku ta gjejnë të çarën e deriçkës.

U afrohen sa të jetë e mundur më shumë kryetarëve, si ato mushkonjat pranë dritës. Shërbimi i tyre fillon me mbylljen e dritareve pas shpinës së kryetarit, se qoftë larg po na ftohet në tajare, u ofrojnë për të pirë, iu shkundin pluhurin nga xhaketat, iu fshijnë këpucët. Nuk humbasin rastin të shfaqen në ndonjë dalje televizive, si pa dashje përherë në krah të kryetarit.

Gjithçka del prej gojës së tij është veç perlë. Vështrimi i tyre ngazëllues gjithmonë drejt dritës që rrezaton kryetari deri sa orgazmohen prej çdo fjale, gjesti apo veprimi të tij, të madhit të madhërishëm. Mençurohen vetëm duke iu ndenjur pranë kryetarëve dhe çuditërisht ngjiten një shkallë më lart, bëhen Tyç-a.

Tyçat kthehen në opiniondhënës. Si për magji diturohen, flasin për gjithçka, paçka se nuk kanë lexuar kurrë as dy radhë. Ka prej tyre që edhe notat në shkolla i kanë marrë duke iu lëpirë sekretareve të partisë, për të mos folur për ata që i blejnë. Në këtë fazë fillojnë e bojatisin leshkat, lenë mjekrat e po ashtu i kallajisin me bojë këpucësh. Mbathin gofka, më keq se gratë e nxjerrin kërcinjtë jashtë.

Fillojnë e shkruajnë, pa dyshim me shumë gabime, paraqiten studiove televizive e flasin rroma për toma, me citate dhe tek-tuk ndonjë fjalë të huaj, që as vetë nuk ia dinë kuptimin. Më të çmuarit janë ata, që kanë kryer ndonjë kurs për zierjen e makaronave, ose për ndërzimin e marauzhgave, jashtë vendit me rezultate “ekselente” dhe e shesin këtu për diplomën e universitetit me famë botërore të Kakaçit, në shtetin e madh të Filifistunit.

Të gjithë këta përbëjnë klasën e shquar të Kaçarrumsumsave, për të cilët kemi detyrimin të ftillojmë lëçitësin e nderuar. Kaçarrumi është pjesa më e fortë e kallëpit të misrit, që pasi i ke hequr lëpushkat, mustaqkat, e ke pjekur dhe i ke ngrënë kokrrat, të mbetet në dorë.

Kaçarrumat, sikundër kallëpet, janë të varieteteve, madhësive dhe fortësive të ndryshme. Janë të hollë, të trashë, të gjatë, të shkurtër, të butë, të fortë, gjithçka varet prej kujdesit, që është treguar në mbjellje, qysh prej farës dhe nëse i ke mbjelle drejt e në tokë apo me kubikë. Në disa krahina i quajnë, koçanë, koçanka, bloçkë, boçë, bokël, dockë, gërxhel, misërishte, gruç dhe deri shtupë.

Shtupa në vetvete është një send, që shërben si mbyllëse, për ta taposur. Kështu taposeshin njëherë e një kohë shishet e vajit, rakisë, pra, me kaçarrum. Suma, në dialektin e Shqipërisë së mesme, nuk është gjë tjetër veçse pjesa fundore e kurmit, ose fundshpina, pjesë e dukshme e së cilës janë mollaqet.

Shprehja “Ky s’ka mollaqe” (për të mos përdorur atë fjalën e turpshme, joedukative deri dhe barbare, që fillon me b…) do të thotë se aksh njeri nuk është i fortë, i aftë të përballet dhe…pikërisht për t’i bërë mollaqet të forta, të qëndrueshme, që nuk kanë rrjedhje i shtuposin me kaçarrumin, ashtu si grykat e shisheve. Kështu, suma në dukje merr më dinjitet e nuk duket e flashkët, e dobët si flluskë sapuni.

Sa më i trashë dhe më i fortë të jetë kaçarrumi, që shtupos sumën, aq më siguri, forcë e besim kanë në vetvete pikërisht ata, kaçarrumsumsat. Gjithsesi, kjo nuk është edhe aq e lehtë, se kaçarrumat nuk zënë vend lehtë, sepse për vetë përbërësit herë të gudulisin, të shpojnë, të gërricin, të presin.

Është kjo arsyeja që kaçarrumsumsat, jo për faj të tyre, dridhen e spërdridhen të sikletosur, kur duhet të rrinë gatitu para shefave.

Nuk i drejton as arsyeja, por kaçarrumi, që tashmë u ka hyrë thellë në karakter. Për këtë ata ta qethin leshin, ta lajnë, ta çepkatin, ta krehin, marrin drugën dhe e dredhin, ta bëjnë lëmshin si ta duash, qoftë si top, qoftë në formë elipsi dhe në fund ta thurin golfin e zi, blu, të kuq a mavi, varet gjithmonë prej kaçarrumit, që kanë në sumë. Janë këta, që për dy lopka ndërrojnë mendim e shiten e blihen sipas ofertës më të mirë. Por më të rrezikshmit, pa dyshim janë ata që kaçarrumin e futin gratis, pa ua kërkuar kush.

Zbavitja ekstreme e gjithë kaçarrumsumsave, hiçtyçpiçkësave është kur luajnë kikidhi, që në dialekte të ndryshme quhet raqe, raqe kikiko, orthi-bilorthi, gu-gu, kalorthi herebel, shalës apo mushkas. Është një lojë popullore me dy skuadra, që i pëlqen shumë kryekaçarrumsumsit, atij, që në këtë elektorizmë flet në publik gjithmonë me pasion për “noc rrokun, do hani atë, që s’duket, që s’hahet” etj.

Dhe kur u kërcen mbi shpinë (sepse e tillë është loja) kaçarrumsumsave, ata dridhen prej kënaqësisë, sepse vetëm kështu e ndiejnë veten të vlefshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura