Kodi Zgjedhor, drafti shkon në Kuvend, si u shmang bllokimi. Ndryshimet në minutën e fundit, partitë që s’kanë 1 grua në tre kandidatë, u refuzohet…

Jul 2, 2020 | 10:01
SHPËRNDAJE

reforma-zgjedhore

MARIGLEN KUME/ Përfaqësuesi i maxhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, depozitoi dje në Parlament draftin final të amendimeve në Kodin Zgjedhor.

Diskutimet mes palëve në distancë vijuan deri në orët e vona të mbrëmjes së 30 qershorit, ditën kur i skadoi edhe afati Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Në një kohë që Komisionit Parlamentar, i cili do të kalonte në Parlament draftin konsensual, i mbaroi afati i punës, përfaqësuesit e Këshillit Politik duket se gjetën zgjidhjen tjetër, që ndryshimet në Kod të ishin nismë e një grupi deputetësh dhe drafti i reformës të kalojë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.

Me këtë veprim, ekspertët e Këshillit Politik shmangën edhe deputetët e opozitës parlamentare në Komisionin e Posaçëm të Reformës, të cilët më herët kanë kundërshtuar draftin konsensual.

Në atë komision, deputetët e opozitës kishin edhe të drejtën e vetos, çka do të thotë që, nëse ata nuk votonin pro në Komision, drafti nuk mund të kalonte për votim në Parlament. Ndërkohë në Komisionin e Ligjeve, ku shkojnë aktualisht amendimet, opozita nuk ka të drejtë vetoje, çka do të thotë se nuk mund ta pengojnë kalimin në Parlament, ku për t’u miratuar duhen të paktën 84 vota.

Në Komisionin e Ligjeve ku do të diskutohen amendimet nuk është anëtare Rudina Hajdari, anëtare e Këshillit Politik. Oponencën e ndryshimeve në Kod pritet ta bëjnë Myslim Murrizi dhe Alban Zeneli, që të dy nismëtarë të kërkesës për ndryshimet kushtetuese, që pengojnë koalicionet parazgjedhore dhe që kërkojnë vendosjen e pragut 5%. Megjithatë, ata nuk mund ta pengojnë kalimin e draftit në Parlament.

NDRYSHIMET

Një nga çështjet që e vonoi draftin të shkonte më herët në Kuvend për t’u diskutuar, ishte çështja e kuotave gjinore. Ajo që ka ndarë palët ka qenë fakti se PD dhe aleatët kërkonin që lista e përgatitur nga partitë të mos refuzoheshin nga KQZ nëse një nga tre kandidatët nuk është grua. Por qëndrimi i opozitës është kundërshtuar kategorikisht nga maxhoranca.

“Sanksioni për mosrespektim të barazisë gjinore: Mospërmbushja nga subjekti zgjedhor i detyrimit të parashikuar në pikën 6 të nenit 67 të këtij ligji pasjellë refuzimin e listës shumemërore për t’u regjistruar në KQZ ose sipas rastit për zgjedhjet vendore në KZAZ”, sanksionohet në nenin 175 të Kodit të hartuar nga ekspertët. Një tjetër pikë që është definuar në momentin e fundit është se çfarë ndodh kur shteron lista e kandidatëve nga një parti për të marrë mandatin e deputetit. Palët kanë rënë dakord që: “Në rastet kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”, sanksionohet në Kod.

VOTIMI I EMIGRANTËVE

Sa i përket votimit të shqiptarëve jashtë vendit, kjo i është lënë për t’u realizuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bashkëpunim me qytetarin. Për të votuar në zgjedhjet e ardhshme, çdo emigrant duhet të shprehë dëshirën për ta ushtruar këtë të drejtë dhe të kërkojë që të regjistrohet në listën unike.

“Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit përfshin vetëm zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit, të cilët deklarojnë vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit, sipas rregullave të dala në zbatim të nenit 24 të këtij ligji”, sanksionohet në pikën tre të nenit 12 të Kodit të ri.

Ndërkohë, një pikë tjetër që është korrigjuar lidhet me anëtarët e KQZ-së që janë në detyrë aktualisht. Me formulimin paraprak, ata liroheshin nga detyra në momentin e parë që miratohej Kodi i ri, por pas ndryshimeve të fundit, ata do të qëndrojnë në detyrë deri në momentin e zgjedhjes së kryekomisionerit.

Ligji i ri zgjedhor votohet në një ditë me ndryshimet kushtetuese të opozitës së re

Ndonëse në marrëveshjen e firmosur në prani të ndërkombëtarëve, anëtarët e Këshillit Politik ranë dakord se drafti konsensual i Këshillit nuk do të diskutohet dhe t’i nënshtrohet asnjë ndryshimi, Parlamenti duket se do të marrë kohën maksimale për ta miratuar.

Burime nga maxhoranca bëjnë me dije se ligji i ri zgjedhor do të miratohet në seancën e fundit plenare të këtij sesioni.

Mësohet se drafti do të kalojë për votim më 30 korrik, në një ditë kur është parashikuar që të kalojë për votim edhe nisma e opozitës në Parlament për ndryshimin e Kushtetutës, për të penguar koalicionet zgjedhore dhe vendosjen e një pragu të lartë zgjedhor 5%. Për të miratuar ligjin e ri zgjedhor duhen të paktën 84 vota, ndërkohë që Grupi Parlamentar i PS-së ka vetëm 75 mandate.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura