Kodheli i përgjigjet Repishtit: Do verifikojmë xhelatët e komunizmit

Dec 12, 2015 | 8:30
SHPËRNDAJE

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka reaguar ndaj apelit publik të personalitetit shqiptar në SHBA dhe ish të dënuarit politik, Sami Repishti.

Ministrja Kodheli/Sami Repishti
Ministrja Kodheli/Sami Repishti

Në reagimin e saj për “Panorama”, Kodheli tha se dekoratat u janë dhënë veteranëve të kategorisë së parë, të cilët e përfitojnë këtë status që prej 20 vitesh me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, por nuk i jep asnjë përgjigje kërkesës së dorëhqejes të bërë nga profesor Repishti.

Kodheli shprehet se qeveria vendosi të dekorojë këtë kategori, statusi i së cilës është miratuar dhe njohur nga të gjitha qeveritë shqiptare që prej vitit 1994.

“Në vitin 1994 është miratuar ligji 78/74 për statusin e veteranëve të LANÇit, status ky që iu është dhënë gjatë viteve ‘95-‘96 të gjithë atyre që këtë status e gëzojnë sot. Për më tepër, kjo kategori paguhet me një shumë ekstra parash për shkak të këtij statusi dhënë 20 vite më parë. Për 70-vjetorin e çlirimit të atdheut, qeveria dekoroi të gjithë ata që bënin pjesë në kategorinë 7/a (kategoria e parë) dhe që prej 20 vitesh gëzonin statusin e veteranit të LANÇ-it”, shprehet Kodheli në reagimin e saj.

Në lidhje me akuzat që janë bërë nga opozita dhe nga ish-të burgosurit politikë, ministrja e Mbrojtjes thekson se ligji i lustracionit që është miratuar do të arrijë të pastrojë edhe listat e veteranëve nga xhelatët e regjimit komunist.

“Kjo qeveri me ligjin e lustracionit dhe atë të hapjes së dosjeve do të mundësojë një verifikim nga e para të të gjithë atyre që duke abuzuar me përkushtim në vitet e diktaturës apo për shkaqe të tjera, njollosën karrierën e tyre duke u kthyer në xhelatë”, shprehet Kodheli në reagimin e saj. Opozita akuzoi ministren e Mbrojtjes se ka dekoruar xhelatët e komunizmit.

“Dekorimi i xhelatëve është një thikë pas shpine që u bëhet shqiptarëve, një provokim i një regjimi të ri, që po dëshmon se ka rrënjë e mendësi të përbashkëta me diktaturën gjakatare komuniste”, është shprehur kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ndërkohë që nuk kanë munguar reagimet e ashpra dhe nga ish-të burgosur politikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura