Koçijançiç tregon si zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese: Drejtojuni ‘Venecias’. Zëdhënësi i Metës: Mos u keqpërdor nga Rilindja

Nov 18, 2019 | 18:02
SHPËRNDAJE

Teksa deklaron se nuk i takon Bashkimit Evropian të vlerësojë kushtetueshmërinë e hapave të ndjekur për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç thekson megjithatë se Kushtetuta e miratuar me unanimet në vitin 2016, ka konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke parashikuar një mekanizëm zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor.

tedi-blushi-maja

Është pikërisht ky afat i pretenduar nga mazhoranca në pushtet që çoi në miratimin e kandidates për në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi. Në deklaratë, Koçijançiç kërkon që ky konflikt të zgjidhet me urgjencë.

Duke reaguar për deklaratë, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi i kërkon zëdhënëses të mos keqpërdoret nga Rilindja për lajme dite.

“Maja të lexojë Kushtetutën në shqip dhe të mos keqpërdoret nga Rilindja për lajme dite!”, shkruan ai.

Deklarata e plotë e Koçijançiç:

Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë.

Një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës.

Nuk i takon Bashkimit Evropian të vlerësojë përputhshmërinë e hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse.

Në të njëjtën kohë, është thelbësore që ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura