Koçi Petriti, poeti mbi urë që sheh përtej kohërave

Apr 20, 2018 | 13:05
SHPËRNDAJE

DR. SKËNDER KARRIQI

Përtej shenjimit që miti i malit, lartësia, kulti i vertikalitetit i bëjnë letërsisë shqipe, që në agim dhe deri në periudhën moderne të saj, sidomos në rrafshin tematik, ideor dhe atë formal, siç pohohet në studimet më të fundit, (Rovena Vata, Miti i malit në letërsinë shqipe. Studim monografik, Naimi. Tiranë,2013), të tërheq vëmendjen fakti që në këtë letërsi kulti i vertikalitetit apo lartësia sendërtohen si struktura modelore. Këto struktura, më së shumti, konsistojnë në raportin hapësinor dhe kohor ndërmjet subjektit (rrëfyesit, autorit, vëzhguesit) me objektin poetik.

Modeli i parë i strukturave të tilla është ai homerik apo klasik. Tek “Iliada”, që në vargjet e para të saj, lexuesi përjeton dhe recepton imazhin vertikal të komunikimit nga poshtë lart, kur lexon lutjen e poetit drejtuar Muzës, për të kënduar ajo “mëninë (zemërimin) e Akil Pelidit, që shumë kobe akejve u solli”. Më pas është Muza që rrëfen, duke kënduar sipas kërkesës së poetit dhe në këtë rast lexuesi përjeton përsëri imazhin vertikal, por kësaj radhe nga lart poshtë.

Koçi Petriti me bashkëshorten
Koçi Petriti me bashkëshorten

Modeli i tillë në letërsinë shqipe mishërohet në poetikën e Mjedës, pikërisht në poemën “Liria”, në hyrje të së cilës poeti u drejtohet shqipeve: “O shqype, o zogjt e maleve, kallxoni…”, dhe lexuesi në këtë rast përjeton dhe recepton imazhin vertikal të komunikimit nga poshtë lart. Gjithçka më pas thuhet apo rrëfehet nga shqipet dhe, ngjashëm me Homerin, lexuesi përsëri përjeton dhe recepton imazhin vertikal të komunikimit, por kësaj here nga lart poshtë.

Modeli i dytë i strukturave të tilla është ai romantik, nëpërmjet të cilit lexuesi përjeton dhe recepton imazhin e heroit lirik (autorit, rrëfyesit, vëzhguesit) të sublimuar në maja malesh, kodrash, çukash, brigjesh, pra, sipër, mbi, nga ku ai vëzhgon, sodit dhe përshkruan atë që ndien apo atë që sheh. Hygoi dhe Leopardi janë ndër përuruesit e parë të këtij modeli në letërsinë europiane: i pari, në romanin lirik “Punëtorët e detit”, ku heroi (lirik) e përfytyron veten mbi shkëmbin e Gernesey-t, të cilin e evokon si shembull të mikpritjes e të lirisë dhe i dyti, me poezinë “Pafundë- sia”, ku dominon imazhi i heroit lirik, i cili qëndron mbi një kodër prej nga kundron horizontin, heshtjen, qetësinë, duke i përjetuar këto si përjetësi në hapësirën e pafund dhe të pakohë.

Ndërsa në pikturë, modelin e tillë do ta sjellë Kaspar David Fridrih (1774- 1840), në tablonë “Udhëtari”, ku heroi lirik romantik, hipur mbi një majë mali, sodit natyrën madhështore duke u mrekulluar prej saj. Jo rastësisht ky autor konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të gjeneratës së tij. Në letërsinë shqipe modeli i tillë vjen me poetikën e Naim Frashërit, në poemën “Bagëti e Bujqësi”, ku përjetojmë figurën e heroit lirik romantik, i cili, mbi një majë mali përshkruan me pasion natyrën dhe jetën e bukur shqiptare. Dy vjet mbas vdekjes së Naim Frashërit, saktësisht në vitin 1902, Çajupi do të vinte me të njëjtin model.

Nga maja e Baba Tomorrit apo mbase e Çajupit ai do të kundrojë botën shqiptare, fshatin, kishën, varret, shtëpitë e vogla fare, burrat që rrinë nën hije dhe kuvendojnë, gratë që punojnë arave, etj.. Në lidhje me fenomenologjinë e këtij modeli strukturor në letërsinë shqipe, mund t’i referohemi Edit Durham-it në librin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, ku ajo, teksa përshkruan Preng Doçin, abatin e Mirditës, ndër të tjera thotë për të: “Preng Doçi fliste me një mençuri të madhe. Ndoshta ai ishte një nga më largpamësit nacionalistë shqiptarë.

Nga lartësitë e këtij vendi ne sodisnim Shqipërinë: vargje malesh si valë të gurta të një deti të madh, që ngriheshin drejt një qielli mrekullisht të kaltër dhe humbitnin në largësinë e një horizonti të kuqërremtë. Ai i ndente duart me kryelartësi dhe me entuziazëm drejt kësaj pamjeje”. Në poezinë e re, dhe këtu kemi parasysh atë të viteve ‘60-‘70, poetika e vertikalitetit sigurisht do të bartet, por kjo letërsi do të vijë, siç vënë në dukje studiuesit, (Sh. Sinani. Mitet dhe demonët ne letërsinë e realizmit socialist), në shenjën e ndikimit të futurizmit rus, por edhe të futurizmit të ri italian, para se neorealizmi dhe verizmi të dominonin plotësisht.

Natyrisht, këto nota futuriste do të reflektohen edhe tek poetika e vertikalitetit, e mbartur tek kjo poezi e re. Duke tejkaluar shembuj jo dhe aq domethënës, do të ndaleshim në shembullin më autentik të bartjes së kësaj tradite dhe rasti i tillë është poetika e Koçi Petritit, e mishëruar ligjërimisht në poemën “Ura e Bushtricës”, botuar në vitin 1973. Në këtë poemë, traditës së sublimimit të heroit lirik mbi maja malesh, siç pamë më lart te Naimi, Mjeda e Çajupi, i shtohet sublimimi mbi urën më të lartë në Shqipëri dhe në Ballkan për atë periudhë, mbi urën e Bushtricës.

Por, nëse tek autorët e traditës të përmendur më lart, sublimimi vjen si një fakt i nënkuptuar dhe për këtë arsye i padeklaruar nga autorët, në poemën e sipërshënuar të Koçi Petritit, fakti i sublimimit mbi urën më të lartë të Ballkanit, vjen dhe vetëshprehet i përcaktuar në kohë dhe hapësirë, që në krye të herës, si një kusht për hapjen e kësaj poeme, siç mund të shihet në vargjet hyrëse të saj: “Unë i shoh gjith’ urat/ nga ur’ e Bushtricës,/ ja ur’ e Qabesë,/ ja e Drashovicës./…” Vite më parë, prof Agim Vinca, në artikullin kritik me titull: “Kuptimi dhe sharmi i një poeme”, botuar në “Jeta e re”, nr 5, 1979, këtë vetëshprehje të përcaktuar, siç e thamë, me rëndësinë e një kushti për hyrje në poemë, e motivon me thënien latine “hic u nunc”, që do të thotë “sot dhe tani”.

Përtej këtij përcaktimi korrekt të subjektit apo heroit lirik në kohë dhe në hapësirë, ne do të thoshim se vetëshprehja në rastin e poetit Koçi Petriti është një kusht stilistik i së drejtës së ligjërimit poetik apo rrëfimit. Çështja e së drejtës për rrëfim, te poetët parakë, duke filluar, sigurisht, që me Homerin, ka qenë një çështje gnoseologjike: atyre u duhej të përligjnin informacionin, i cili për nga koha dhe hapësira e tejkalonte masën njerëzore; aty bëhej fjalë për ngjarje të ndodhura shekuj më parë dhe shumë larg, në vende ku rrëfyesi nuk kishte qenë prezent dhe shikimi i tij nuk mund arrinte kurrë.

Për këtë arsye, si rregull, ata u drejtoheshin muzave apo hyjnive, të cilat jetonin në transhendencën olimpike, përtej kohës dhe hapësirës njerëzore dhe prandaj dinin gjithçka. Vetëm më pas, përgjatë shekujve letrarë, në kushte dhe mundësi të reja informacioni, kjo çështje vjen dhe shndërrohet nga gnoseologjike, në një çështje poetike, e shprehur me formula të njëjta apo të ngjashme hyrëse ( me vlera stilistike) të tipit: “Këndo hyjneshë mëninë e Akil Pelidit”; “Hej lum e lum për t’madhin zot”; “O malet e Shqipërisë”; “Unë i shoh gjithë urat nga ura e Bushtricës”.

Asnjëherë heroi lirik në poetikën shqipe nuk është përcaktuar kaq qartë në kohë dhe hapësirë si në rastin e poetikës së Koçi Petritit dhe kjo ndodh sepse, siç jemi shprehur ne fillim, vetëpërcaktimi në këtë rast është kusht stilistik, si të thuash, një çelës për hyrje në poemë. Me përmbushjen e këtij kushti (stilistik,) poeti Koçi Petriti vjen me imazhin e heroit lirik që e tejkalon imanencën dhe sublimohet në transhendencë, që do të thotë përtej kohës dhe hapësirës. Në këtë kuptim, pika kohore dhe hapësinore, (hicet nunc = sot dhe tani), ku, sipas prof. Agim Vincës, poeti e vendos veten, përkatësisht heroin apo subjektin lirik, nuk përkon me kuptimin kufizues kohor dhe hapësinor që kanë këto dy ndajfolje.

Në të kundërt, nga transhendenca e poetit Koçi Petriti, dy ndajfoljet (sot dhe këtu) kanë kuptim përkatësisht gjithëkohor dhe gjithëhapësinor. Kështu, i sublimuar në Olimpin e vet poetik, atje mbi urën e lartë të Bushtricës (Librazhd), poeti sheh përtej kohës dhe hapësirës, i pakufizuar nga e shkuara e pakthyeshme dhe hapësira e ndërprerë… Këtë ndjesi informacioni dhe pushteti, siç edhe është e natyrshme, poeti e motivon me Urën kur shprehet: “Ura sheh mbi kohërat”, (vargu i parë, strofa e tretë). Kjo është mënyra se si poeti Koçi Petriti legjitimon stilistikisht të drejtën e rrëfimit dhe njëherësh të drejtën e poetit si autor ideal, përkundrejt kufizimeve të autorit real.

Këtë ai e arrin falë zotërimit të hapësirës së pakufizuar, që do të thotë, siç jemi shprehur më lart, hapësirës së pandërprerë dhe kohës absolute, e moduluar kjo që në strofën e parë si një e tashme e gjithëkohshme. (Unë i shoh gjith’ urat/ nga ur’ e Bushtricës/…) Përgjatë udhës së sublimimit autori (ideal) krijon një imazh epror të tijin. Rëndom, ai është quajtur autor i gjithëdijshëm. Në fakt, pika më e dobët e këtij imazhi është konvencionaliteti, prandaj autorët që imponojnë për veten një imazh sa më pak konvencional janë të suksesshëm, sepse kanë zgjidhur intuitivisht një çështje kruciale; atë të raportit kohor dhe hapësinor ndërmjet krijuesit dhe objektit të cilit ai (krijuesi) i referohet.

Siç jemi shprehur në fillim të këtij shkrimi, në thelb ky raport ka të bëjë më të drejtën autoriale për rrëfim. Leopardi, fjala vjen, tek poezia “Pafundësia” mediton në majën e kodrës më të lartë, në kushtet e një perspektive të vazhduar nga të katra anët, prandaj kur ai poetizon horizontin, heshtjen, qetësinë, duke i përjetuar ato si të përjetshme, e ka reduktuar pothuajse në minimum konvencionalitetin e të qenit autor i gjithëdijshëm. Po kështu Naim Frashëri, kur poetizon bukurinë natyrore të atdheut të tij, Shqipërisë, duke qëndruar mbi një majën e një mali (Me gjasa, është Mali Plak në Sopot të Librazhdit, siç kishte qejf të besonte Koçi Petriti), e redukton edhe ai dukshëm konvencionalitetin për të cilin po bëjmë fjalë. Të njëjtën gjë mund të themi për Çajupin, i cili me sa duket, e vëzhgon fshatin e tij nga maja e Tomorrit apo mbase Çajupit, përderisa sheh “tutje ca shtëpi/ të vogëla fare/…”.

Ndërsa Mjeda (neoklasiku) e bën reduktimin sipas modelit homerik duke ia lënë të drejtën e rrëfimit shqipeve, (shpendëve totemikë), të cilat, duke fluturuar lart, mbi maja malesh, i shohin dhe i dinë të gjitha. Në vazhdim të kësaj tradite, por absolutisht origjinal, poeti Koçi Petriti reduktimin e konvencialitetit të gjithëdijshmërisë së tij e bën duke qëndruar mbi urën e Bushtricës, që sheh përtej kohërave (Në një rast tjetër, strofa e gjashtë, vargu i parë, ura sheh mbi urat.) Për shkak të gjetjeve të tilla stilistike, pra edhe në varësi të tyre, autorët krijojnë imazhin ikonografik të vetes së tyre autoriale, i cili mund të jetë një imazh i mirëshenjuar apo jo i tillë, ose, thënë ndryshe, mund të jetë një imazh i fortë ose i dobët, në varësi të gjetjes së përshtatshme apo jo të përshtatshme stilistike.

Në rastin e gjetjeve të përshtatshme stilistike, imazhi ikonografik i autorit të gjithëdijshëm bëhet mbizotërues për gjithë krijimtarinë, duke u shndërruar kështu në një shenjë të rëndësishme të poetikës së aksh poeti. Kjo ndodh sepse në rastin e gjetjeve të përshtatshme stilistike (mbi maja malesh, kodrash, çukash apo mbi urë, si në rastin e poetit Koçi Petriti), duke u reduktuar konvencionaliteti, imazhi i autorit të gjithëdijshëm është i vërtetë ose shumë më afër të qënit i vërtetë, më i besueshëm, më i gjallë, larg konvencës: është si të thuash, jo i fshehur pas tekstit, por një imazh i mirëperceptuar. Pikërisht për këtë arsye ky imazh shenjon gjithë krijimtarinë e një autori.

Kështu imazhi i Naim Frashërit mbi një majë mali shenjon jo vetëm poemën “Bagëti e Bujqësi”, ku ky imazh përftohet, por edhe poemën “Histori e Skënderbeut” apo lirika të tjera të poetit. Imazhi i Çajupit mbi majën e Tomorrit, përveç poezisë së mirënjohur “Fshati im”, shenjon edhe krijime të tjera të poetit, madje edhe komeditë e tij. Sa për Mjedën, përgjatë gjithë leximit të krijimtarisë së tij poetike të ndjek imazhi i poetit me sytë drejt lartë- sive ku fluturojnë shqipet.

Ndërsa poeti Koçi Petriti, me botimin e poemës “Ura e Bushtricës” (1973), e shenjon gjithë krijimtarinë e tij poetike, edhe atë që do të vijë më pas, me imazhin e poetit mbi urë që sheh përtej kohërave. Përgjatë udhës së mundimshme të shprehjes së vetvetes, poeti gjithmonë është në kërkim të imazhit të vet ikonografik. Sigurisht, ai nuk e ndien veten mirë ashtu, i fshehur pas vargjeve, pas tekstit, i pafigurë. Ndaj është fatlum kur arrin të krijojë imazhin e vet epror, me të cilin do të bëjë përjetësisht hije mbi krijesat e veta poetike, zot i të cilave ai është.

Ky moment është shenjë e sigurt e pjekurisë së tij, ndaj ka arsye që të lumturohet: ai ka krijuar identitet figurativ. Këtë lloj emocioni (lumturimi), duhet të ketë përjetuar edhe poeti Koçi Petriti pas shkëndijimit dhe artikulimit të vargjeve hyrëse të poemës “Ura e Bushtricës”, ku uni i tij poetik imazhohet në shkallën më eprore, në sublimim e sipër, përtej kohës dhe hapësirës.

Me sa duket, pasi nuk e pat përjetuar këtë imazh te “Lirikat e majit” (1962), ku për këtë shkak i duhej të mbetej në grinë pas tekstit, ai niset “Përsëri në udhë” (1967). Siç thoshte shpesh, e intrigonte një varg i Naimit për Malin Plak që kishte parë historinë e shqiptarëve; e intrigonte gjithashtu edhe imazhi i poetit mbi mal, nga ku ai i këndonte bukurisë së Atdheut dhe Heroit Kombëtar. Dikur, në udhë e sipër, ai, sipas të njëjtit model, do ta përjetësonte veten në imazhin e poetit mbi urë, si vëzhgues i përjetshëm përtej kohërave.

(Pedagog i Universitetit të Elbasanit)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura