Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës raportohet se ka fituar më së shumti vota

May 28, 2022 | 12:41
SHPËRNDAJE

Në përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në Tërnocin e Madh të Bujanocit, që u mbajtën më 27 maj, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka fituar më së shumti vota, përkatësisht 598. Në vendin e dytë ka dalë Partia Socialiste e Serbisë me gjashtë vota, tha të shtunën Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi.

lugina presheve

Lista Alternativa Demokratike Shqiptare ka fituar dy vota dhe lista Millosh Jovaniq – Shpresë për Serbinë, një votë. Ndërkaq, 15 listat e tjera zgjedhore nuk kanë fituar asnjë votë si dhe dhjetë vota ishin të pavlefshme.

Ende nuk ka informacione zyrtare nëse shqiptarët do të fitojnë ulëse në Parlamentin e ri serb, por televizioni H1 raportoi se shqiptarët nuk arritën të marrin edhe 12 vota për të fituar mandatin gjatë përsëritjes së zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e mbajtura të premten, 618 nga 1,089 votuesit votuan apo 56.7 për qind. Dalja në zgjedhje ishte më e ulët se rundin e mëhershëm, kur dalja ishte 64 për qind.

Përsëritja e votimeve u karakterizua nga një atmosferë mosbesimi në mes anëtarëve të komitetit të qendrës së votimit, që rezultoi me konflikte verbale të herëpashershme dhe një ndërprerje të shkurtër të votimit.

Po ashtu u regjistruan disa parregullsi, por të cilat ishin më të vogla në numër sesa në përsëritjen e zgjedhjeve më 28 prill.

Vëzhguesit e Qendrës për Kërkime, Transparencë dhe Përgjithësi thanë se kanë regjistruar tentime për të votuar më shumë se një herë si dhe raste kur qytetarë që nuk kanë qenë në listë të votimeve por kanë dashur të votojnë. Por, sipas kësaj qendre, zyrtarët zgjedhorë kanë penguar këto shkelje.

Ka pasur edhe raste kur disa votues nuk kanë mundur të votojnë pasi nën emrin e tyre në listën e votimit veçse gjendej nënshkrimi i dikujt tjetër.

Po ashtu, ka pasur edhe persona të paautorizuar që janë parë jashtë qendrave të votimit përgjatë ditës.

Serbia ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 3 prill 2022./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura