Koalicioni i PS me 40 parti, Marko Dajti: Ndër më të fëlliqurat. Rama, prestigjiator politik

Apr 17, 2015 | 20:40
SHPËRNDAJE

Partia e Frontit të Majtë pasi doli nga kolicioni me PS, ka denoncuar marrëveshjen e kësaj force politike me aleatët për zgjedhjet vendore. Në një deklaratë për mediat, Marko Dajti, kreu i Frontit të Majtë e quan selinë e PS “luginën e ujqërve”, dhe marrëveshjen “ndër më të fëlliqurat në historinë e së majtës”.

Kreu i Frontit te Majte, Marko Dajti

“Kryetarët e partive që e quajnë veten të majta apo komuniste u ulën në një tryezë me Bamir Topin dhe Shpëtim Idrizin. Çuditërisht Fryma e Re Demokratike paska qenë fryma e Rilindjes dhe ne nuk e paskemi ditur! Këto nuk janë koalicione për popullin, por për të mbrojtur interesat personale të kryetarëve”,- thuhet në deklaratë.

Sipas Frontit të Majtë, “e provuam në kurrizin tonë pabesinë e Edi Ramës, këtij prestigjiatori politik që arriti të mashtrojë elektoratin i veshur me kostumin e së majtës”.

“e habitshme është të shikosh se si kryetarë partish që e quajnë veten komuniste, janë mbledhur në një tavolinë me mbeturinat e regjimit të Sali Berishës. Nga “mbledhja e ujqërve”, shpresojnë të teprojë ndonjë kockë’.

“Ka ardhur koha që t’i jepet fund një herë e mirë kësaj situate tragjikomike. Socialistët dhe të majtët e vërtetë duhet ta kuptojnë se, fatkeqësisht, këto dy vjet treguan se asgjë e mirë nuk mund të vijë nga Edi Rama dhe Erjonkat që ai mban pas vetes. Nëse të majtët kërkojnë një shpresë, ajo duhet ushqyer që të qëndrojë e gjallë”,- thuhet në deklaratën e Frontit të Majtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura