Koalicionet/ Mediu: Çdo vonesë, në dëmin tonë dhe favor të Ramës. Ndoka e Duka: Opozita ka sot në tryezë dy…

Oct 29, 2020 | 14:56
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Teksa Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se do të rrëzojë dekretin e Presidentit Ilir Meta për rishqyrtimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, aleatët e PD-së shprehen se tashmë opozita nuk duhet të humbë kohë.

ndoka duka mediu opozita

Sipas kryetarit të Partisë Republikane, aleat tradicional i PD-së çdo vonesë që bëhet në kampin e opozitës është në favor të maxhorancës.

Në një prononcim për gazetën “Panorama”, Mediu u shpreh se opozita e bashkuar duhet të caktojë formulën si do të shkojë në zgjedhje si dhe të dalë me një plan të përbashkët.

“Opozita ka vetëm një rrugë, të bashkohet në çdo qendër votimi, të bashkojë gjithë shqiptarët kundër këtij regjimi të korruptuar dhe kriminal dhe të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Opozita nuk mund të pres Ramën. Çdo humbje kohe është në dëm të shqiptareve dhe në interes të Ramës. Opozita duhet te mblidhet dhe të vendos sa me parë. Rama po vazhdon rrugën e manipulimit. Është e paarsyeshme të presësh arsyetim nga Rama. Opozita duhet të fillojë betejën në çdo skaj të Shqipërisë në çdo familje, fshat më fshat e qytet më qytet. Ajo duhet të bëjë transparencë dhe të krijojë bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”, tha Mediu.

Ndërkohë, kryetari i demokristianëve, Nard Ndoka, u shpreh se opozita nuk është e surprizuar nga veprimet e kreut të maxhorancës dhe se opozita i ka formulat, por tashmë mbetet vetëm që të konkludojë sa më shpejtë.

“Nuk është një situatë që nuk e prisnim, e dimë se cilin kemi përballë. Asnjë Kod, as Kushtetutë, nuk e pengon opozitën e bashkuar të përballet më 25 Prill. Kemi të qartë skemën dhe mënyrën e garimit, do jenë ditët në vijim, që do të vendosim përfundimisht variantin me efikas, që çdo votë opozitare të përfaqësohet në Kuvend. Opozita e bashkuar ka sot në tryezë dy alternativa: Me një listë të përbashkët në një koalicion, si opozitë ose me dy koalicione, kjo do vendoset nga forumet drejtuese të secilës parti opozitare”, tha Nard Ndoka.

Por shfaqja e partive të reja në prag të zgjedhjeve, aleatin tjetër të PD-së, Agron Duka, e bën të mendojë që në zgjedhje të shkohet me tri lista. Një të jetë e PDsë, një e LSI-së dhe një me të gjitha partitë e reja. “Po mendoj seriozisht, gjithmonë në dakordësi të plotë me të gjithë opozitën që në kushtet e reja të ketë edhe një parti të tretë me të gjitha partitë e vogla”, tha Agron Duka.

LISTA

Mundësia më e madhe që përflitet mes aleatëve për formulën e koalicioneve flitet ajo me dy lista. Ndërkohë, puna që ngrihet është se si do të jenë të shpërndara partitë e vogla në dy listat?

Fatmir Mediu: Partia Republikane me këtë ligj ka interes të dalë e vetme. Por, interesi politik i vendit është largimi i Edi Ramës dhe në këtë kuptim është e nevojshme që asnjë votë e opozitës që nuk kthehet në mandat, të mos të shkoj tek Edi Rama. Në këtë koncept, duhet shqyrtuar mundësia e organizimit elektoral të opozitës, me një apo dy koalicione.

Nard Ndoka: Partia Demokristiane e Shqipërisë ka një bashkëpunim tradicional me PD-në, jemi dy parti të qendrës së djathtë, anëtarë të Partive Popullore Europiane dhe bashkëpunimi ynë është natyral. Gjykojmë dhe besojmë se kontributi i demokristianëve në koalicion do të jetë një vlerë e shtuar politike. Çdo votë demokristiane do të përkthehet në mandat përfaqësues për Opozitën e Bashkuar.

Agron Duka: Mendoj që aleatët e kanë kontratën me Bashën, kështu tendenca është që aleatët të jenë në listë fituese me PD-në.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura