“Koalicionet me lista të hapura të mundshme, por pa vlerë”, nismëtari i referendumit, Pano Soko: Përpjekje për të mbajtur kryetarët e partive…

Aug 4, 2020 | 16:39
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Aktivisti dhe një nga nismëtarët e referendumit për hapjen e listave të zgjedhejes së deputetëve, Pano Soko, deklaron se koalicionet parazgjedhore në formën siç janë tani, janë të mundshme edhe me listat e hapura.

Pano Soko
Pano Soko

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Sako u shpreh se ajo që u votua në Kuvend në seancën e 30 korrikut nuk është ajo që kërkohet nga qytetarë dhe e shikon atë si një tentativë të kryetarëve të partive për të mbajtur pushtetin e tyre në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Soko shpjegoi edhe truqet sipas tij që janë bërë në ndarjen territoriale në funksion të ndarjes së mandateve të deputetëve.

-Si i vlerësoni ndryshimet kushtetuese që u miratuan në 30 qershor në Kuvend, me të cilat opozita parlamentare dhe maxhoranca thonë se u plotësua një kërkesë e mbi 85% e shqiptarëve që kërkojnë lista të hapura për zgjedhjen e deputetëve?

Fillimisht duhet kuptuar ajo që ndodhi në 30 Qershor në Kuvend. Në 30 Qershor u miratuan ndryshimet kushtetuese që do të shërbejnë si shtrati ku do të mbështeten ndryshimet e propozuara ne Kodin Elektoral tashmë, i cili do të miratohet në fillim të sesionit të ri parlamentar në Shtator. Meqenëse kodi i mëparshëm elektoral ishte i mbështetur në nene specifike të kushtetutës, atëherë ndryshimi i kodit, posaçërisht hapja e listave, kërkonte patjetër një ndërhyrje në kushtetutë. Dhe në këtë pikë asgjë nuk ka mbaruar. Kushtetuta sanksionon që listat duhen hapur në jo më pak se 2/3 e tyre, ç’ka do të thotë qe kodi elektoral duhet të sanksionojë që asnjë parti nuk mund të hapë listat e deputetëve më pak se 2/3, por ka të drejtë t’i hapë ato më shumë se 2/3, deri në 100% lista të hapura.

Tani këtu po hyj tek pyetja që shtruat. A është kjo ajo që kërkonin qytetarët kur mbështetën në përmasë plebishitare hapjen e listave. Jo! Qytetarët kërkojnë hapjen e listave 100%. Qytetarët kërkojnë që të jenë ata vetë, me fuqi të plotë dhe vetme, që do të përcaktojnë kush do t’i përfaqësojë ata në parlament. Ata nuk kërkojnë të ndajnë sovranitetin me asnjë kryetar partie, as për 1/3, madje as për 1/300 e listës. Qytetarët kërkojnë ushtrim 100% të sovranitetit të tyre në përzgjedhjen e deputetëve. Dhe në këtë pikë, lufta jonë vazhdon. Ndryshimet kushtetuese të miratuara, e lënë të hapur opsionin e hapjes së listave 100%, nëse kodi elektoral e vendos ashtu, prandaj ne do të vazhdojmë luftën tonë. Do të vazhdojmë të kërkojmë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, të partive opozitare që janë shprehur për lista 100% të hapura, të opinionit publik etj., me qëllim që kur Kodi i ri elektoral të kalojë në kuvend, opsioni i vetëm të jetë lista 100% të hapura.

Ne e dimë që nuk do të jetë e lehtë, e dimë që përballë do të kemi hartuesit dhe masterizuesit e këtij sistemi elektoral, të cilët nëpërmjet manovrave do të përpiqen të ruajnë pak nga fuqia e tyre e deritanishme, por jemi “të dënuar” të luftojmë sepse ne nuk jemi thjesht një zë i zakonshëm me opinion, ne jemi të mandatuar nga 51.724 qytetarë me të drejtë vote, me emër mbiemër dhe firmë për të çuar përpara vullnetin e një sistemi të ri. PS ka mandatin e 718 mijë qytetarëve që e kanë votuar, PD ka mandatin e 450 mijë qytetarëve që e kanë votuar, ne kemi mandatin e 51 mijë qytetarëve dhe ne do të luftojmë deri në fund për ta, jemi të detyruar ta bëjmë. Jo vetëm tani për hapjen e listave, por lufta do të vazhdojë deri në ndryshimin total të sistemit elektoral në proporcional kombëtar me lista të hapura.

Momentalisht sfida është hapja e listave 100%. Mbështetja e madhe qytetare, mbështetja e pashtershme e partnerëve ndërkombëtarë në këtë çështje, mbështetja e kuzës nga partitë opozitare në një zë, na bën totalisht të bindur që në zgjedhjet e ardhshme çdo parti do të garojë me lista 100% të hapura.

Me klauzolën “jo më pak 2/3” a mund të quhet vërtetë listë e hapur? Kryeministri dhe maxhoranca në tërësi janë shprehur se kjo pikë është vënë për të mbrojtur kuotat gjinore, a mendon se ka një tjetër mënyrë për ta mbrojtur përfaqësimin e grave në Kuvend?

Siç e përmenda dhe më lart ne e dinim kë kishim përballë. Përballë kishim hartuesit, masterizuesit dhe përfituesit më të mëdhenj të kodit të vjetër elektoral, të cilët do të përpiqeshin me çdo mënyrë, hile apo truk të deformonin dëshirën e qytetarëve për ndryshim, me qëllim ruajtjen sado pak të satus-quo. Kryeministri e pati pranuar vetë disa herë në parlament që për atë personalisht, kodi i vjetër ishte perfekt dhe s’do ta kishte ndryshuar asnjëherë, por ishte përmasa e jashtëzakonshme e mbështetjes ajo që e detyroi të ndërronte sjellje. Dhe natyrisht, nisur nga ky konstatim, duke i bashkangjitur dhe faktin që në devizën e vet, qeveria aktuale e ka parim sjelljeje postulatin “7 hile, 1 trimëri”, ne e prisnim që do të dilej me justifikime të tilla, thjesht për të deformuar vullnetin e qytetarëve dhe për të mbajtur ende “ofiqet” pushtetit të kryetarit. Por është thjesht një hile, sepse mbyllja e 1/3 së listës s’garanton në asnjë formë barazinë gjinore në përfaqësim. Lista e hapur 100%, nga ana tjetër, e garanton nëpërmjet shpërndarjes së mandateve përfaqësimin gjinor në përmasën e rënë dakord. Dhe më lejoni ta sjell me një shembull të thjeshtë, faktin sesi mund të ruhet përfaqësimi gjinor në zgjedhjet me lista të hapura.

E zëmë se Partia X, në qarkun Y ka fituar 3 deputetë. Sipas detyrimit të përfaqësimit gjinor, deputetët duhet të jenë 2+1. Kur listat janë të hapura, renditjen në listë e përcakton numri i votave që çdo kandidat ka marrë. Nëse në rastin kur 3 kandidatët e renditur të parët nga sasia e votave janë të gjithë meshkuj, atëherë mandatin e tretë nuk e merr mashkulli i tretë më i votuar, por e merr femra e parë më e votuara nga kandidatet femra. Dhe në parlament shkojnë dy meshkuj dhe një femër. Pra kështu ruhet përfaqësimi gjinor për çdo rajon duke mbajtur listat 100% të hapura. Për çdo dy meshkuj, kalon një femër, ose anasjelltas, kur femrat kanë marrë me shumë vota, për çdo dy femra kalon një mashkull.

Pra ka mënyra sesi listat e hapura e zgjidhin dhe çështjen e përfaqësimit. Truku i mbajtjes së 1/3 të listës të mbyllur nuk ka sens, s’ka lidhje me ruajtjen e kuotave. Ajo është një përpjekje për të mbajtur kryetarët e partive dominancën në përcaktimin e deputetëve. Pra kryetarët zgjedhin 47 deputetë secila dhe pjesën tjetër ia lënë popullit. Kjo s’është listë e hapur.

Dhe këtë ne do ta luftojmë kur të vijë diskutimi i kodit në Shator. Por siç e thashë më lart, ata e dinë që përballë kanë një vullnet të tërë popullor që nuk do të donin t’i rrinin përballë. Prandaj besoj se edhe këtë ngërç do ta kalojmë me sukses!

Ku është dallimi mes asaj që ju si “nisma thurje” realizuat me peticion 1 vit më parë dhe asaj që u miratua në Kuvend?

Për ta nisur nga fillimi, personalisht jam shumë krenar për gjithçka kemi bërë deri tani si një grup qytetarësh që s’kishin asnjë mjet politik, me hapësira të kufizuara mediatike, me një faqe ne Facëbook dhe me disa profile individuale. Përpara një viti e gjysmë, kur ne vendosëm të ndërmerrnim aksionin për ndryshimin e sistemit, askush nuk kishte as idenë çfarë ishin listat e mbyllura, çfarë ishte kryetarokracia, si deformohej vullneti i popullit në votim. Çështja e kodit elektoral ishte një çështje totalisht periferike, larg diskursit publik, ku në një zyrë të Kryesisë së Kuvendit ishte caktuar një zyrë ku punonte një komision bipartizan që askush s’e njihte dhe askush s’e dinte çfarë bënte.

Në këtë realitet të asaj kohe ne ndërmorëm një ndër iniciativat më të mëdha totalisht apartiake dhe thellësisht qytetare në historinë 30 vjeçare të tranzicionit, për ndryshimin e kodit elektoral. Dolëm nëpër Shqipëri, mblodhëm mbi 50 mijë firma, ua shpjeguam qytetarëve qytet më qytet pse është i rëndësishëm kodi elektoral, pse janë të rëndësishme listat e hapura, arritëm të fitonim besimin e shumicës dërmuese të qytetarëve, jo vetëm atyre pa parti por edhe brenda partive politike dhe sot, vetëm 18 muaj më pas, çështja e sistemit është çështja më e diskutuar e politikës së ditës dhe mbi të gjitha është çështje që nuk i përket më partive politike, por zëri qytetar ushtron një trysni të jashtëzakonshme dhe ka detyruar kryetarët e partive të lëshojnë nga interesi i tyre në përfitim të qytetarëve.

Por natyrisht nuk arritëm gjithçka kërkuam. Ajo që ne kërkuam ishte ndryshimi thelbësor i sistemit elektoral, nga proporcional rajonal me lista të mbyllura, në proporcional kombëtar me lista të hapura. Sistemi që sot është në tryezë diskutimi është proporcional rajonal me lista të hapura. Pra nuk arritëm dot ta unifikonim Shqipërinë në një rajon të vetëm ku çdo qytetar nga Konispoli në Vermosh të votonte një listë kombëtare me 140 kandidatë.

Arsyet pse ne e kërkojmë një listë kombëtare, në vend të 12 rajoneve siç është tani janë disa, që fillojnë që nga fakti që ndarja e territorit në rajone bëhet në vende që kanë organizim të kontekstit rajonal-federal, si Spanja apo Gjermania. Modeli spanjoll i rajoneve që kemi sot, funksionon në Spanjë sepse aty brenda një shteti bashkë-ekzistojnë disa rajone që janë deri dhe të etnive të ndryshme dhe që jo-rrallëherë janë dhe në përplasje me njëri-tjetrin dhe madje kanë dhe gjuhë të ndryshme.

Pra në Spanjë janë Baskët që nuk shkojnë me Kastilianët, janë Katalunët që nuk shkojnë me Kastilianët, dhe spanjollët, për të pasur një përfaqësim sa më të balancuar në kuvendin federal, e kanë ndarë Spanjën në rajone, ku secili rajon zgjedh përfaqësuesit e vet në kuvend dhe natyrisht ata mbrojnë interesat e vendeve që i kanë zgjedhur. Në Shqipëri ky realitet nuk ekziston. Shqipëria është një, nga veriu në jug. Ne jemi të gjithë shqiptarë, flasim një gjuhë, kemi të njëjtat halle e probleme, jemi vend i vogël dhe nuk jemi si Gjermania apo Spanja. Pra në kontekstin politik ne duhet të kemi një listë me deputetë që kujdesen për gjithë vendin, si për Korçën dhe për Shkodrën, si për Sarandën dhe për Tropojën.

Arsyeja tjetër është shqetësimi i baronëve të rajoneve. Copëzimi i territorit në rajone ka prodhuar një fenomen politik që njihen si të fortët e zonave, që në përgjithësi janë kontingjent kriminal që nëpërmjet aferave, interesave, presionit etj., arrijnë të kontrollojnë copa të konsiderueshme të elektoratit lokal. Tashmë është normale të dëgjosh shprehje të tipit Malësinë e Madhe e kontrollon filani, Pukën e kontrollon filani, Lezhën filani, Vlorën filani, çamët e Fierit i kontrollon filani, Elbasanin, Shkodrën, Korçën e kontrollon filani etj.. Dhe këta “të fortët” fuqinë e tyre e marrin pikërisht sepse kodi, nëpërmjet copëzimit që i është bërë Shqipërisë në rajone, ua mundëson këtë gjë.

Pikërisht penetrimi i këtyre personave deri në parlament ishte dhe shqetësimi kryesor që detyroi parlamentin të miratonte ligjin e dekriminalizimit, i cili duhet thënë se lë jashtë vetë personat me rekorde kriminale, por nuk jep dot zgjidhje për njerëz të afërm të tyre, si vëllai, kunati, djali, vajza etj.. Dhe ne menduam që një sistem kombëtar, ku çdo kandidat do të duhej të merrte vota në gjithë Shqipërinë për t’u bërë deputet, do të nxirrte jashtë loje këta të fortët e rajoneve.

Këtë gjë ne, për momentin nuk arritëm ta impononim për ta futur në axhendën e reformës. Natyrisht mjetet tona të kufizuara, fakti që ne nuk jemi vetë pjesë e parlamentit, nuk kemi akses në komisione dhe as te drejta, na penalizon në këtë pikë. Momentalisht ne mundëm të arrijmë vetëm gjysmën e asaj që iu premtuam qytetarëve që na besuan, vetëm hapjen e listave. Por siç e thashë dhe më lart, ne do ta ndjekim plotësimin e angazhimit tonë që iu premtuam qytetarëve kur iu morëm firmat, deri në fund. Dhe kalimin nga një sistem rajonal, në një sistem kombëtar do të vazhdojmë ta ndjekim në çdo formë dhe mënyrë derisa ta realizojmë.

Qëllimi ynë përpos gjithë të tjerave është të fusim dhe kulturën e zotimit të mbajtur në politikë. Kjo kulturë jo vetëm që nuk është përqafuar, por madje është shkelur e përçudnuar deri më sot, nga të gjithë ata që kanë qenë në pushtet. Në politikën shqiptare duhet të kthehet në kulturë mbajtja e zotimit të dhënë. Siç thonë amerikanët “Get it done, or die trying” (bëje, ose vdis duke u përpjekur). Jo më llafe e zotime që thuhen e fliten dhe në fund jo vetëm që s’bëhen, por bëhet diametralisht e kundërta. Stop! Kjo na ka mbajtur këtu ku jemi deri më sot. Kjo duhet zhbërë si qasje në politikë. I duhet dhënë dërrma një herë e mirë. Dhe ne duam të jemi të parët që japim shembullin që kur premton një gjë dhe njerëzit të besojnë, atëherë ke vetëm një opsion, ta bësh gjënë që ke premtuar.

Ne nuk do të mjaftohemi me hapjen e listave. Do ta ndryshojmë gjithë sistemin elektoral në më demokratikun e mundshëm, proporcional kombëtar me lista të hapura, ku qytetari të ketë mundësi të barabarta zgjedhjeje, në një listë kombëtare.

Ne gjykimin tuaj a është i mundur që me hapjen e listave deri në 100% të mund të mbahet një formule koalicionesh si ajo që kemi deri tani?

Përpara se ta shtjelloj arsyetimin tim, dua të përmend një fakt që ne si Nisma Thurje, siç mund ta keni vënë re dhe ju, nuk jemi shprehur për çështjen e koalicioneve. Kjo për shkak të kufizimit që kemi pasur në mandatin që na kanë dhënë qytetarët. Ata 51.724 persona që na dhanë firmën na mandatuan të flasim, advokojmë, lobojmë dhe luftojmë për hapjen e listave dhe për listën kombëtare.

Dhe këto janë çështje që kanë të bëjnë thelbësisht me të drejtën e sovranit për të zgjedhur, me demokracinë në përfaqësim. Çështja e koalicioneve është një çështje taktike elektorale mes forcash politike, ku ne nuk kishim mandat për të hyrë, sepse as ne nuk iu kishim premtuar asgjë mandatarëve tanë, dhe as ata nuk na kanë thënë asgjë si e mendojnë këtë çështje. Kur ti ke një mandat, kufizohesh tek mandati që ke. Nëse ne do të ishim shprehur pro njërit apo tjetrit version, do të na kthente në shpërdorues mandati që na dhanë qytetarët, sepse ne as kishim diskutuar çështje koalicionesh, apo depolitizimi komisionesh apo verifikimi biometrik. Ne donim një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe vetëm për këtë mund të flisnim si Nisma Thurje. Prandaj në këtë pikë po shpreh personalisht opinionin tim rreth çështjes.

Absolutisht po që është e mundur. Pra nga pikëpamja e infrastrukturës juridike dhe administrative, s’ka asnjë pengesë që listat të jenë të hapura dhe të lejohen dhe koalicionet parazgjedhore. Por a kanë vlerë koalicionet në një sistem me lista të hapura? Personalisht mendoj se jo.

Personalisht kam qenë kundër heqjes së koalicioneve, jo sepse shkaktohet ndonjë dëm i madh, apo pa koalicione do të bëhet nami, por ngarkesa emocionale që mori kjo çështje ishte totalisht e dëmshme dhe për këtë arsye nuk mendoja se duheshin prekur. Koalicionet mund të lejoheshin me kod dhe nuk kishte asgjë të keqe. Aq më tepër kur mendon që dëmi që shkaktonte një debat i tillë mes palëve politike, për “hile” apo “manovra” të njërës palë për të përfituar elektoralisht me anë të forcës, në limit të marrjes së vendimit për hapjen e negociatave, në sytë e ndërkombëtarëve, ishte totalisht i panevojshëm. Për këtë gjë jam shprehur që koalicionet nuk duhet të preken. Por vetëm për këtë arsye, jo sepse besoj se tani që u hoqën koalicionet, Edi Rama fitoi zgjedhjet.

Madje përhapjen në publik të një teze të tillë e ka iniciuar vetë Edi Rama dhe opozita ra në kurthin e tij.

Në një sistem me lista të hapura, nevoja për koalicione rrëzohet, sepse subjektet që duan të bëjnë një koalicion, janë më tepër të interesuara të prezantojnë një listë të përbashkët, ku integrojnë individët e tyre, sesa të futen në një koalicion, ku secili prej tyre paraqet listën e vet. Pra, nëse Tirana ka nxjerr 35 deputetë, atëherë partitë opozitare formojnë (siç edhe do të ndodhë faktikisht) një listë të përbashkët me 35 kandidatët më të mirë, bazuar në peshën elektorale të çdo partie. Pra PD ka fituar në Tiranë, në rastin më të mirë 14 deputetë, ajo prezanton 22 kandidatë, LSI-ja ka fituar 3 deputetë, i jepet mundësia për 6 kandidatë, LZHK ka fituar 1 deputet, i jepen 2 vende në listë, PR-ja 1 deputet, merr dy vende në listë. E kështu plotësohet 35-çja me kandidatë.

Dhe kështu maksimizohet shfrytëzimi i votës në optimumin e saj. Personalisht jam i bindur që edhe nëse do të lejoheshin koalicionet, opozita do të zgjidhte listën e përbashkët dhe jo koalicionin. Sepse me listën e përbashkët e para nuk humbet asnjë votë opozitare, sepse ai votuesi i PR do të shkojë të votojë, sepse do të jetë i interesuar që Fatmir Mediu të marrë votat për të hyrë në parlament, apo dhe ai i LSI, LZHK etj, ndryshe nga ç’ndodhi në 2017, ku pozicionimi në një vend të sigurt në listë i aleatëve, i bëri këta të fundit të pa interesuar për të luftuar fort për votën e tyre, sepse ishin të sigurt. E dyta partitë e vogla opozitare, që kanë një impakt lokal kryesisht, pra Nard Ndoka në Shkodër, LZHK në Tiranë etj., kanë një probabilitet të madh të mos ta kalojnë pragun kombëtar prej minimalisht 2% të votave, nëse garojnë si parti më vete në një koalicion. Për këtë arsye ato nuk do të pranonin në koalicion, por vetëm lista të përbashkëta. Pra Dash Shehi në listën e Tiranës, Nard Ndoka në listën e Shkodrës etj..

Dhe e treta, vetë PD është e interesuar që partitë aleate të mos marrin më deputetë me votat e saj. Sepse siç e dimë një partie të vogël koalicioni i duhen më pak vota për një deputet, nga ç’i duhen partisë së madhe. Pra LSI-se p.sh mund t’i duheshin 6.000 vota për një deputet po të ishte në koalicion në Tiranë, ndërsa po të ishte jashtë koalicionit i duheshin 11.500. Dhe kjo diferencë “kompensohej” me formulën që llogaritej mandati i partisë në koalicion që ishte në kurriz të kandidatëve të partisë së madhe.  Pra nuk dilte i katërti i PD, se dilte i pari i LSI. Dhe kjo do ta bënte PD të interesuar t’i merrte në listë aleatët. I fut në listë si të barabartë, kush merr më shumë vota fiton.

Për këtë arsye them që i gjithë debati i madh për çështjen e koalicioneve është shterpë, sepse po debatohet për një gjë pa vlerë. Nuk jemi më me lista të mbyllura, që të duhet koalicioni, sepse nëse e fut aleatin në listën tënde, në të dyja rastet je i humbur. Kur e vendos në vend të sigurt në listë, ai s’punon se është i sigurt, kur i propozon një vend të pasigurt ai s’pranon ose s’punon, sepse e mendon të kotë të përpiqet, pra demotivohet në të dyja rastet.  Listat e hapura janë komplet tjetër realitet. Dhe parë me syrin e këtij realiteti të ri, debati i hapur së fundmi ishte totalisht shproporcional.

Nëse koalicionet do të eliminoheshin, cila do të ishin pasojat me të mëdha nëdrejtim të të drejtës së qytetarëve për të vendosur për deputetin, apo edhe forcën politike që duhet të qeverisë vendin, duke u nisur nga fakti se në 2017 PS mori 48.3% te votave, por për shkak të sistemit fitoi 74 mandate dhe rrjedhimisht fitoi të drejtën për të formuar qeverinë?

Që të jemi korrekt. Në zgjedhjet e 2017, Edi Rama nuk mori 74 deputetë me 48.3% të votave, sepse nuk kishte koalicione. Ky deformim në përfaqësim erdhi për shkak të reformës territoriale, të cilën opozita bëri gafën e madhe që e braktisi. Dhe Edi Rama aty i “qepi” rajonet në mënyrë të tillë që me pak vota të fitonte sa më shumë deputetë dhe që të dilte fitues. Kjo ishte arsyeja pse ai miratoi Reformën Territoriale në 2015. Dhe që ta shpjegoj me një shembull të thjeshtë si u bë kjo.

Imagjinoni sikur kemi gjithsej 10 votues në gjithë Shqipërinë. 5 janë PS dhe 5 janë PD. Normalisht në një sistem kombëtar, duhet që numri i deputetëve PS dhe PD që dalin nga këta 10 votues të jenë të barabartë. Me ndarjen territoriale që bëri Edi Rama në 2015, i ndau këta 10 votues në 3 rajone nga do zgjidheshin 3 deputetë. Në rajonin e parë futi 3 votues PD dhe asnjë PS (fiton PD një deputet), në rajonin e dytë futi 3 votues PS dhe 1 PD (fiton PS një deputet) dhe në rajonin e tretë futi 2 votues PS dhe 1 PD (fiton PS një deputet).

Pra, në total janë 5 votues PS dhe 5 votues PD, por për shkak të ndarjes që i është bërë rajoneve, PS merr dy deputetë, PD merr një deputet. Kjo shkaktoi anomalinë e 2017-ës, ku PS merr 48% të votave dhe 52% të parlamentit. Ose PS-ja në 2017-ën mori 0.8% më shumë se në 2013, por fitoi 7 vende më shumë në parlament se në 2013. Pra kjo ishte arsyeja dhe jo mungesa e koalicioneve. E shoqëruar pastaj dhe me gafat politike të opozitës atëherë, mbyllja e çadrës, marrëveshja e 17 Majit etj., çuan në atë rezultat për të djathtën.

E thashë dhe më lart, heqja e koalicioneve është një çështje që u ngrit nga palët dhe u mbajt si diskurs në plan të parë për rekurs politik që s’kishte fare lidhje me shqetësimet që bëheshin publike. Pra PD nuk e sulmoi Edi Ramën për koalicionet, sepse u frikësua se po fitonte terren Edi Rama po të hiqte koalicionet. Ajo e gjeti këtë si një mjet shumë efikas për ta sulmuar Edi Ramën në sytë e ndërkombëtarëve, si prishësh marrëveshjeje, si hileqar politik që shfrytëzon pushtetin dhe për të marrë “krahë ndërkombëtar” më në fund pas kaq shumë kohësh braktisjeje nga ana e tyre. Dhe i funksionoi. Për herë të parë, faktori ndërkombëtar u rreshtua i gjithi në krah të PD për një konflikt politik dhe i doli përballë Edi Ramës me deklarata dhe thirrje publike.

Nga krahu tjetër, Edi Ramës, i interesonte shumë kjo panik-ndjellja që po shkaktohej në radhët e ndjekësve të opozitës sikur po të iknin koalicionet, Edi Rama do fitonte prapë. Dhe e përforcuar kjo dhe nga eksponentë të opozitës, analistë, editorialistë etj., krijonte bindjen tek votuesi i thjeshtë që Edi Rama ia hodhi prapë opozitës (pak rëndësi ka me të drejtë apo pa të drejtë), se ja i hoqi koalicionet tani, tani PD s’fiton dot dhe Edi Rama do t’i fitojë prapë zgjedhjet. Dhe koha tregoi që në këtë prizëm fitoi Rama, sepse sot një pjesë e mirë e votuesve opozitarë, për shkak të vetë retorikës politike të liderëve politikë të opozitës, ngarkesës emocionale që ata përçuan në popull, energjitë e shumta të shpenzuara për këtë si çështje, janë te demotivuar sepse besojnë se me heqjen e koalicioneve zgjedhjet do t’i fitojë prapë Rama.

Pra, ky diskutim i “madh” mbi koalicionet s’ka asnjë vlerë reale. I gjithi ky është një komponentëve të dy llojeve politike të dy palëve politike, po jo se ka ndonjë lidhje as me demokracinë, as me lojën elektorale, apo me deformim vullneti sovrani. Luli donte ndërkombëtarët t’i rreshtonte një herë në krah, Edi donte namin që po i fiton prapë zgjedhjet dhe kaq. Lojë e shëmtuar politike.

E gjitha kjo në kurriz të Shqipërisë, në kurriz të qytetarëve që presin çeljen e negociatave por që pas gjithë kësaj katrahure, kanë marrë një goditje serioze.

E fundit. Nisma Thurje ka në plan që të hyjë me zgjedhjet e ardhshme me një listë të saj duke qenë se tashmë me hapjen e pjesshme të listave krijohen oportunitete të reja?

Unë jam shumë i sigurt për një gjë – Parlamenti pas hapjes së listave do të jetë kryekëput ndryshe nga ai para hapjes së listave, diskutimi publik pas hapjes së listave do të jetë kryekëput ndryshe nga ai para hapjes së listave, politika e tërë pas hapjes së listave do të jetë totalisht ndryshe nga para hapjes së listave. Dhe këtë e shoh qartë. Shoh një parlament ku bëhet debat plot cilësi, ku profesionistë të mirë e të ndershëm, në çdo krah të politikës janë ulur aty e diskutojnë, jo më me shqetësimin se çfarë duhet të them unë që të kënaqet kryetari, por çfarë duhet të them unë që të më pëlqejë elektorati që më ka votuar. Si duhet të votoj unë që elektorati që më ka dhënë votën të thotë “Bravo”.

Çfarë ligji duhet të propozoj unë që kur të shkoj të kërkoj prapë votën të them “Te dashur zgjedhës, këtë ligj për arsimin, për shëndetësinë, për sigurinë, për fëmijët, për investimet e huaja, këto i kam propozuar unë. Jam i lumtur të më gjykoni për punën që kam bërë.”

Ky do të jetë realiteti i ri. Hapja e listave dhe zgjedhja e deputetit nga populli hedh hapin e parë drejt këtij realiteti të ri.  Një realitet pa karagjozë e sharlatanë, kriminelë e hajdutë, bashibozukë e servilë që zënë vendet në parlament dhe votojnë për jetët tona. Një realitet i ri me profesionistë të aftë, njerëz të nderuar e të respektuar, njerëz të aftë e patriotë që duan të bëjnë mirë për këtë vend.

Dhe Nisma Thurje patjetër që do të jetë në krah të çdo profesionisti të ndershëm e patriot që dëshiron të bëhet pjesë e ndryshimit dukë ndihmuar për të qenë pjesë. Sepse ne jemi të bindur që ndryshimi në këtë vend nuk do të vijë as nga jashtë e as nga lart, do të vijë vetëm kur njerëzit e ndershëm të këtij vendi do ta sjellin atë.

Dua të jem i qartë, hapja e listave është vetëm një betejë e vogël brenda një lufte të madhe. E luftës së këtij vendi që e ka emrin Shqipëri për të ecur para apo për të mbetur në tranzicion, për të prosperuar si gjithë vendet e tjera përreth apo për të mbetur të fundit në Europë, për të qenë vendi që eksporton turizëm, tekstile, agropërpunim, produkte bujqësore apo industriale, apo për të mbetur vendi që eksporton drogë, emigrantë dhe kriminelë ndërkombëtarë.

Kjo është lufta e madhe që duhet fituar.

Kam vetëm një thirrje për të gjithë ata profesionistë të ndershëm që politika deri tani i ka mbajtur të përjashtuar. Fatin e Shqipërisë e kanë në dorë vetë shqiptarët. Ata e kanë pasur gjithmonë. Por nëse deri më sot e kanë pasur kryesisht bashibozukët e zullumqarët, të paaftët e të korruptuarit, me listat e hapura e kanë në dorë edhe shqiptarët e ndershëm. Nëse duam ta bëjmë këtë vend, duhet të bëhemi të gjithë bashkë, sot, jo nesër. Edhe sot jemi shumë vonë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura