Koalicion PS-PD? Meta: S’shpëtohet dot autobusi që është nisur drejt greminës! Ja ku e shoh veten pas 2022-shit

Jan 16, 2021 | 18:40
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se nuk ndërhyn në çështjet e partive politike apo të koalicioneve.

metaok

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Kreu i Shtetit u shpreh se “askush nuk mund ta ndalë, autobusin që është nisur drejt greminës”.

Presidenti ka zbuluar gjithashtu se pas përfundimit të mandatit do të vazhdojë të punojë në shërbim të qytetarëve.

Nuk tha nëse do të vazhdojë detyrën si Kryetar Shteti, por u shpreh se do të jetë një shqiptar i mirë dhe i përgjegjshëm.

Pjese nga Intervista

Pyetje: A e shihni Ju, opozitën të bashkuar, njëzëri zoti Meta?

Presidenti Meta: Kjo nuk është shumë e rëndësishme. Unë, mendoj, që në tërësi populli shqiptar kërkon një ndryshim të fortë edhe të qartë. Treguesi i shifrave të largimit të shqiptarëve, sidomos i të rinjve nga vendi është alarmues. Mos harrojmë se, është rritur shumë. Sidomos cilësia e qytetarëve dhe e të rinjve që largohen.

Nga Shqipëria po ikën, jo vetëm mosha më aktive e popullsisë, por njëkohësisht edhe intelektualët, të rinjtë shumëmirë të arsimuar apo ata që janë në punë të mirëpaguara dhe me një nivel të mirë të jetesës.

Kemi të bëjmë me një mungesë shprese dhe pasiguri, që duhet të marrë një përgjigje përmes 25 prillit.

Pyetje: Po, por alternativat janë këto Zoti Meta, qeveria aktuale, apo opozita e bashkuar apo jo? Nuk e di sepse nuk e mora ende përgjigjen tuaj, opozita kërkon të vijë në pushtet për ta përmbysur?

Presidenti Meta: Këto janë pyetje që u takojnë kryetarëve të forcave të caktuara politike. Për mua si President, është e rëndësishme që i gjithë populli shqiptar ta vlerësojë si një referendum 25 prillin, për të ardhmen e tij europiane, që është vënë në diskutim tepër serioz.

Pyetje: Presidenti i Republikës, por edhe si politikan me shumë përvojë, kur shohim këtë atmosferë pak përpara zgjedhjeve, duket se opozita është pak vonë me listat. Cili  është perceptimi juaj zoti President, me një listë bashkë apo me dy lista? A do të ndahej opozita nëse bëhej fjalë për dy lista ?

Presidenti Meta: Kjo nuk është një çështje aspak e rëndësishme për mua dhe as për qytetarët shqiptarë. Mendoj se mesazhi kryesor është mesazhi i ndryshimit të fortë edhe i rimarrjes së përgjegjësive nga vetë qytetarët e Shqipërisë, për të ardhmen e familjeve dhe vendit të tyre.

Dhe kjo do të ndodhë vetëm përmes pjesëmarrjes së tyre masive në këto zgjedhje, të cilën nuk e shoh si një mision patriotik.

Pyetje: Por populli duhet të zgjedhë apo jo?

Presidenti Meta: Unë mendoj se populli do të zgjedhë ndryshimin, kjo është e rëndësishme.

Kush e përfaqëson më mirë ndryshimin? Kjo është çështje e alternativave të caktuara. Por,  e rëndësishme është që  qytetarët të shkojnë të votojnë dhe të zgjedhin ndryshimin, të garantojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë,  që  është vënë në pikëpyetje.

Vendi ka nevojë për një ndryshim të fortë.

Pyetje: Shumë kemi dëgjuar të lakohet ndoshta apo për mundësinë e një koalicioni të madh PS-PD, ju do ta përkrahni? Sa është mundësia e një koalicioni të tillë zoti Meta?

Presidenti Meta: Më duket se u shpreha shumë qartë. Unë, nuk ndërhyj në raportet e forcave politike. Për mua si President, është problem tepër serioz e ardhmja e vendit, që është vënë në pikëpyetje.

Kjo pikëpyetje e merr zgjidhjen përmes referendumit të 25 prillit, përmes garantimit të një ndryshimi të fortë, të rikthimit të vendit në shinat e Kushtetutës, të shtetit ligjor, të demokracisë dhe të rivendosjes së sistemit të llogaridhënies, që janë rrëzuar totalisht vitet e fundit, për shkak të një sundimi njëpartiak.

Pyetje: Gjithsesi kjo duket se nuk është aspak e lehtë, sepse për ta arritur në kushtet që jemi edhe me eksperiencën e asaj çfarë po shohim…me politikanët që kemi, partitë që garojnë Zoti Meta..?

Presidenti Meta: Prandaj janë qytetarët, ata të cilët duhet t’i japin prioritet vetes së tyre, dhe nuk duhet të presin nga politikanët.

E para, duhet të shkojnë të votojnë sepse aty është forca e tyre. Pa pjesëmarrje nuk ke të drejtë të kërkosh llogari dhe t’i ankohesh askujt nesër.

E dyta, është një mënyrë për të ndëshkuar ata, që të kanë gënjyer. Në mënyrë që edhe ai tjetri, që do të zgjidhet nesër, ta kuptojë se e pret ndëshkimi në rast se luan nga premtimet me qytetarin, me besimin, me jetën, me pronën dhe fëmijët e tij.

Jam i bindur, që qytetarët e kanë kuptuar se shpëtimi dhe zgjidhja janë vetë ata.

Pyetje: Edhe një pyetje lidhur me koalicionet që, thamë pak më parë. Zoti Meta, mund të ketë ndoshta një çedim të ndonjë prej partive të opozitës, pas zgjedhjeve të 25 Prillit?

Presidenti Meta: Nuk më duket një pyetje e përshtatshme për mua, se çfarë do të bëjë një parti e opozitës. Në rast se një parti e opozitës do të çedojë nga çfarë?

Pyetje: Do të marrë një anë tjetër, gjithmonë për koalicionet flas.

Presidenti Meta: Në çfarë ane, në anën e ndryshimit apo në anën e greminës?

Pyetje: Kjo mbetet për t’u parë pastaj. Por,  gjithmonë tek bashkimi i opozitës është fjala. Sa e bashkuar është opozita dhe sa mund të çedojë një parti opozitare pas zgjedhjeve të 25 Prillit?

Presidenti Meta: Unë nuk ndërhyj dot në këtë çështje. Unë, besoj se e ardhmja i takon atyre që janë për ndryshim. Ata, që duan të shkojnë në anën e greminës, mund të shkojnë. Por, nuk e shpëtojnë dot autobusin që është nisur për në fund të greminës.

Pyetje: Zoti Meta, Ju, keni deklaruar  shpesh herë sidomos gjate muajt të hetimit parlamentar ndaj jush, se do të jeni President i Republikës së Shqipërisë deri më 24 korrik 2022. Po pas kësaj ku e shihni veten  zoti President?

Presidenti Meta: Unë, veten e shikoj gjithmonë në Shqipëri. Në mes të shqiptarëve dhe në shërbim të tyre.

Pyetje: A keni vullnet për ta vijuar punën përsëri si Kryetar Shteti?

Presidenti Meta: Unë, punoj çdo ditë me vullnet maksimal në shërbim të qytetarëve.

Pyetje: Për të qenë përsëri si kryetar shtetit?

Presidenti Meta: Për të qenë një shqiptarë i mirë në radhë të parë, dhe i përgjegjshëm.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura