Klubi i filozofisë “Bertrand Russell” peticion Ministrisë së Arsimit: Të kthehet Filozofia në gjimnaz

Mar 25, 2015 | 14:52
SHPËRNDAJE

Një grup pedagogësh, studentësh dhe dashamirësish të Filozofisë besojnë se ka ardhur momenti që të ridimensionohet roli i Filozofisë dhe në politikat qeveritare në arsim.

Hysamendin Feraj, Alfred Lela e Gilman Bakalli gjatë aktivitetit “Anuarët e Filozofisë”

Ata kanë vendosur që të lobojnë për ta rikthyer këtë lëndë në vendin që i takon, për t’i dhënë rëndësinë që i jepet sot në botë në formimin arsimor, duke e bërë lëndë bazë në provimet e Maturës Shtetërore.

Peticioni drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve u hartua gjatë aktivitetit “Anuarët e Filozofisë”, të organizuar nga klubi i filozofisë “Bertrand Russell” në Llogara në datat 20- 22 mars 2015. Iniciativa kërkon nga dikasteri që harton politikat për arsimin që të rikthejë Filozofinë si një lëndë të detyrueshme në sistemin parauniversitar dhe pjesë të provimit të Maturës Shtetërore.

“Duke çmuar fort rëndësinë e kësaj lënde në formimin e përgjithshëm të studentëve, në formimin e mendimit dhe formimin shpirtëror të tyre dhe për impaktin që ajo ka drejtpërdrejt apo tërthorazi në cilësinë e maturantëve tanë apo në sistemin parauniversitar ne apelojmë Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve në lidhje me këto katër kërkesa: Kthimin e lëndës së Filozofisë dhe të Logjikës si lëndë të detyrueshme në sistemin parauniversitar për gjithë sistemin arsimor parauniversitar; Shndërrimin e kësaj lënde në provim të detyrueshëm të Maturës Shtetërore; Identifikimin dhe përshtatjen e një teksti ndërkombëtarisht të njohur të standardeve europiane të përdorura nga sisteme të tjera parauniversitare dhe sugjerimin e fortë në standardet akademike të lëndës së Filozofisë në pjesën e studimeve të përgjithshme në sistemin Bachelor për gjithë sistemin tonë universitar”, thuhet ndër të tjera në këtë peticion të mbështetur nga të pranishmit në këtë aktivitet.

Filozofia prej disa vitesh e ka humbur peshën e saj si lëndë e formimit intelektual të të rinjve shqiptarë në shkollën e mesme, pasi në vitin 2010 ajo u hoq nga kurrikula bazë, duke kaluar si një lëndë me zgjedhje. Megjithëse në vendet perëndimore cilë- sohet si një lëndë bazë për zhvillimin e qëndrueshëm duke marrë një status kurrikular thelbësor, në Shqipëri nuk e ka këtë vëmendje që ajo meriton në lëmin e shkencave sociale.

Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili, duke argumentuar nevojën për rikthimin e vëmendjes te Filozofia si pjesë e rëndësishme e formimit të studentëve, tha se UET ka hapur një program të veçantë për Filozofinë dhe ka nxitur pjesëmarrjen e sa më shumë studentëve duke i mbështetur me bursa.
Propozimi për ta rikthyer Filozofinë në kurrikulën e gjimnazit pritet të mbështetet dhe nga segmente të tjera në institucionet e arsimit të lartë, që e kanë kundërshtuar hapur heqjen e kësaj lënde dhe kalimin e saj si një lëndë me zgjedhje.

PETICIONI

Peticioni i plotë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve

“Ne, disa pedagogë, studiues, dashamirës të Filozofisë dhe studentë të mbledhur në aktivitetin ‘Anuarët e Filozofisë’, mars 2015, në Llogara apelojmë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe Institutit të Kurrikulave lidhur me pozitat e lëndës së Filozofisë në sistemin tonë parauniversitar dhe universitar. Gjatë këtyre viteve të fundit vëmë re me shqetësim se lënda e Filozofisë ka kaluar nga lëndë e detyrueshme që ka qenë vazhdimisht në arsimin tonë të mesëm parauniversitar në lëndë opsionale dhe nga viti në vit është pakësuar numri i studentëve që e zgjedhin, si dhe numri i profesorëve në dispozicion në sistemin tonë parauniversitar. Po ashtu teksti i Filozofisë, për ata që e zgjedhin këtë lëndë, është i një niveli jo ai që duhet në raport me elaburimin dhe zhvillimin e kësaj lënde në kurrikulat e arsimit parauniversitar në nivelin europian. Duke çmuar fort rëndësinë e kësaj lënde në formimin e përgjithshëm të studentëve, në formimin e mendimit dhe formimin shpirtëror të tyre dhe për impaktin që ajo ka drejtpërdrejt apo tërthorazi në cilësinë e maturantëve tanë apo në sistemin parauniversitar ne apelojmë Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve në lidhje me këto katër kërkesa: 1. Kthimin e lëndës së Filozofisë dhe të Logjikës si lëndë të detyrueshme në sistemin parauniversitar për gjithë sistemin arsimor parauniversitar. 2. Shndërrimin e kësaj lënde në provim të detyrueshëm të Maturës Shtetërore. 3. Identifikimin dhe përshtatjen e një teksti ndërkombëtarisht të njohur të standardeve europiane të përdorura nga sisteme të tjera parauniversitare. 4. Sugjerimin e fortë në standardet akademike të lëndës së Filozofisë në pjesën e studimeve të përgjithshme në sistemin Bachelor për gjithë sistemin tonë universitar. Ne besojmë se rikthimi i Filozofisë në shkollë të mesme dhe në ciklin Bachelor është jetik për të kompletuar formimin e të rinjve shqiptarë në raport me traditën tonë të edukimit, por dhe në traditën më të mirë të edukimit europian”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura