Klubi i famshëm ku pihej fërnet, që u shndërrua në Teatër Kombëtar

SHPËRNDAJE

Nga MIMIKA LUCA*/ Më 1 shkurt të vitit 1950, me vendim të qeverisë, kompleksi i Teatrit Kombëtar u quajt Filarmonia e Parë Shqiptare. Më 12 maj të vitit 1951, nga një rastësi e çuditshme dhe me një provim që nuk zgjati as gjysmë ore, unë trembëdhjetëvjeçarja Mimika Sami (Luca) fillova punë si balerinë, në atë truall që m’u duk i madhërishëm.

Në Filarmoni bënin pjesë këngëtarët lirikë, Orkestra Simfonike, Baleti Klasik -Folklorik, që veç koncerteve të shumta, në vitet 1951-1953, për herë të parë në historinë e Shqipërisë u ngjitën në skenë katër vepra të plota klasike: 1-Baleti “Shatërvani i Bashcisarait” dhe “Esmeralda”, Opera “Rusalka” dhe “Ivan Susanjin”. 2- Teatri Popullor, pas shkëlqimit në dramaturgjinë nacionale, klasike e konteporane, mori emrin Teatri Kombëtar. 3- Këngëtarët e muzikës popullore me orkestrinën e tyre. 4- Mjeshtërit e dekoreve, rrobaqepësia, këpucari që arriti të bëjë edhe puantat e baletit klasik që vinin nga importi. Parukeria ndodhej poshtë drejtorisë dhe administratës, një klub që unë e kam quajtur dhe e quaj foleja e parë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë, që në ditët e sotme nuk ekziston. Ai klub ka shërbyer për disa vjet jo vetëm si vend çlodhjeje për shkrimtarët e artistët, por edhe si ekspozitë e arteve figurative tonat dhe të artistëve të huaj, miqve të Shqipërisë. Në atë klub janë bërë mbledhje të bukura promovimesh e ndonjëherë të dhimbshme. Dikush që nuk e njeh mirë historikun e atij trualli të shenjtë, shkroi: “…Aty pihej kafe e fërnet dhe ne e shndërruam në Teatër Eksperimental…”.

MIMIKA LUCA

Një duartrokitje të fortë për të gjithë ata që ndihmuan në ngritjen e tij, e ca më tepër për emrin që i është vënë… Kujtim Spahivogli ishte dhe mbetet një nga regjisorët më interesant e frytdhënës i Teatrit Kombëtar, pedagog i shkëlqyer i Institutit të Lartë për Aktorë, (që u hap për herë të parë në truallin e Teatrit dhe unë u bëra pjesë e tij, pa u shkëputur nga puna si balerinë).

Kujtimi ishte njeri i ndershëm dhe idealist… Fatkeqësisht, një nga viktimat e shumta të epokës së komunizmit. Teatri Kombëtar, për Shqipërinë dhe shqiptarët ka një histori 68-vjeçare të mbushur me art e letërsi, falë një pune të shkëlqyer, këmbëngulëse, profesionale e pasionante.

mimika-luca-main

Aktorët e këtij Teatri krijuan dhe përjetësuan figura të bukura artistike jo vetëm në teatër, por edhe në kinematografinë tonë, pavarësisht darës së hekurt (censurës) së realizmit socialist. Aktorë të Teatrit Kombëtar kanë kontribuar edhe në fushën e dramaturgjisë, duke shkruar drama historike dhe të kohës, që janë vënë jo vetëm në skenën e Teatrit Kombëtar, por edhe në teatrin e Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës etj.. Shqiptarët, gjenetikisht kanë adhurim për të gjitha llojet e arteve, për të bukurën dhe të vërtetën, pavarësisht historisë sonë shekullore tepër të dhimbshme. Dhe kjo nuk faktohet vetëm me gërmimet arkeologjike prej shumë vitesh të heshtura e të pamirëmbajtura, as me folklorin tonë që dikur çuditi të gjitha vendet e ish-kampit socialist, por edhe gjithë Francën ku meritoi gjerdanin e artë. Falë të paarritshmit profesor Panajot Kanaçi, i cili përpunoi kërcimet tona popullore nga Veriu në Jug. Nuk është rastësi, që sot artistët shqiptarë po shndrisin dhe shkëlqejnë në shumë tempuj të artit e letërsisë së rruzullit tonë. E gjitha kjo, a e dini se ku i kanë rrënjët? Te të shkolluarit jashtë shtetit, para Luftës së Dytë Botërore dhe mbas çlirimit të vendit, që jo vetëm shkëlqyen në skenën e Teatrit Kombëtar, por edhe arritën të krijojnë e drejtojnë shkollat e para të larta në fushën e të gjitha arteve. Shpesh kam menduar se, nëse eksodi i bujshëm i vitit 1991 do të kishte ndodhur në vitin 1970, disa aktorë, artistë të teatrove tona do të renditeshin në Europë pranë emrit të aktorit të madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu. Ndaj, ju lutem, mos i fyeni dhe mos i lëndoni aktorët tanë që përpiqen të kenë (në truallin e tyre shumëvjeçar) një Teatër Kombëtar dinjitoz. Mos e përdorni vend e pa vend fjalën: “Aktorët”. Gjuha jonë është shumë e pasur…! Kam bindjen se, artet, letërsia, shkencat, në çdo kohë, në çdo periudhë kanë bërë dhe bëjnë pjesë në superstrukturën e çdo shteti, pavarësisht regjimeve që mund të kenë pasur.

mimika222

Ndoshta disa dekada më parë, në një vend të dukshëm të kompleksit të Teatrit Kombëtar duhej të ishte vënë një tabelë, ku të ishte shkruar me germa të mëdha:

KY TRUALL ËSHTË DJEPI I KULTURËS DHE I TË GJITHA ARTEVE PROFESIONISTE SHQIPTARE… MBROHET E MIRËMBAHET NGA SHTETI!

*Aktore, “Artiste e Merituar”

 

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.