KLSH mbyll tre auditime, çon në Prokurori 13 persona

Jul 25, 2015 | 11:55
SHPËRNDAJE

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori 13 persona, të gjithë ish-punonjës dhe zyrtarë në Bashkinë e Kuçovës dhe në dy komuna, ajo Perondi në Berat dhe Armen në Vlorë. Audituesit kanë hasur një sërë shkeljesh të kryera gjatë periudhës së kaluar në kontroll, që është fillimi i 2013-s dhe deri në mars të 2015-s.

leskaj
Bashkia e Kuçovës është edhe ajo ku janë hasur edhe shkeljet më të mëdha. Kështu, dëmi ekonomik i konstatuar është 9.8 milionë lekë dhe kjo e lidhur me prokurimin për rikonstruksionin e një objekti. Në disa raste nuk është përllogaritur saktë vlera e qirasë së disa objekteve të dhëna me qira, duke përdorur referencë të gabuar ligjore, me një vlerë totale prej 9.4 milionë lekë.

“Nuk ishte përllogaritur saktë, në 3 raste, vlera e qirasë për 3 kontrata të dhënies me qira të objekteve/troje, me një vlerë totale prej 3.6 milionë lekë”, thuhet në raportin e KLSH-së. Për këtë bashki numri i të çuarve në Prokurori është 5, mes të cilëve SH.N, me detyrë nënkryetar i Bashkisë, F.M, ish-drejtor juridik, GJ.C, me detyrë drejtor i urbanistikës, dhe J.L. e E.M me detyrë specialistë urbanistike. Në Komunën Perondi janë hasur disa shkelje të lidhura këto me prokurimet me dëme mbi 3 milionë lekë.

“Janë kryer pagesa të tepërta për dy subjekte në vlerën totale prej 5.348.206 lekë, pa u kryer punimet, përkatësisht: në objektin “Rikonstruksion i rrugës Magjatë-Goraj-Velagosht, faza I” dhe në objektin ‘Ndërtim i KUZ fshati Magjatë’”, vlerëson KLSH-ja.

Të kallëzuar për këtë komunë janë shtatë persona nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në komunën Armen janë lejuar pagesa të paligjshme në vlerën 6.1 milionë lekë pa TVSH për volume të pakryera pune dhe e kallëzuar është vetëm një punonjëse.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura