KLSH kallëzon drejtoren e Prokurimeve Publike në MB dhe 11 punonjës për favorizime në tenderë

Jun 26, 2015 | 17:03
SHPËRNDAJE

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar ditën e sotme drejtoren e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, si edhe 11 punonjës të kësaj drejtorie nën akuzën se kanë favorizuar disa kompani për disa tenderë, duke sjellë një dëm prej 85,038,494 lekë (607500 euro).

Kontrolli i Lartë i Shtetit

Sipas auditimit të KLSH-së  u konstatua se nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në procesin e vlerësimit dhe kualifikimit të dokumentacionit të operatorëve ekonomikë (OE) është përdorur standard i dyfishtë në vlerësimin e pjesëmarrësve në tender.

Për të njëjtat parregullsi në dokumentacion, KVO ka kualifikuar dhe shpallur fitues operatorë me ofertë më të lartë ekonomike dhe ka s’kualifikuar operatorët me ofertë më të ulët, ndërkohë që bazuar në kërkesat ligjore duhet të anulonte dhe të përsëriste procedurën e tenderit.

Për të gjitha, parregullsitë e konstatuara në procedurat e prokurimit referuar dëmit ekonomik 85,038,494 lekë (607 500 euro), shkaktuar buxhetit të shtetit nga shkelja e barazisë në tender, KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për zj. V K me detyrë Drejtore e Drejtorisë së  Prokurimeve Publike të Përqendruara, në cilësinë e kryetares së KVO-së dhe  zj. E P, zj. E S, zj. E S,  z. Y P, znj. A N, z. A G,  z. M P, z. A J, z. E Gj,  z. A Z, zj. E S,  në cilësinë e anëtarëve të KVO, pasi kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura