KLSH: Drejtori i Fierit e emëroi Liza Tabakun me diplomë të shkollës së mesme bujqësore

Jul 14, 2015 | 16:35
SHPËRNDAJE

Auditimi i KLSH-së në MAS ka treguar se, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Fier ka bërë emërimin e zonjës Liza Tabaku si përgjegjëse e Zyrës Arsimore Lushnjë kur në dosjen e personale të saj disponohet vetëm fotokopje diplome e nivelit Bachelor me drejtimin “Punonjës Social” e lëshuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan dhe fotokopje të librezës së punës sipas të cilës rezulton se Tabaku pas mbarimit të shkollës së mesme bujqësore ka punuar në ish-ndërmarrjen bujqësore frutore si punëtore dhe deri në vitin 2011 ka punuar si punonjëse shërbimi në filialin e postës në Lushnjë.

Drejtoresha e Arsimit në Lushnjë, Liza

Sipas KLSH-së, Tabaku nuk ka asnjë përvojë në fushën e arsimit dhe është emëruar në kundërshtim me Urdhrin e MAS.

Për shkeljen e konstatuar, KLSH i ka rekomanduar Ministrit të Arsimit dhe Sportit masën disiplinore “Largim nga shërbimi civil” për Drejtorin e DAR Qarku Fier, shtetasit Sh.A. për emërimin e znj. Liza Tabaku.

Shkelën procedurat e prokurimit për “Tirana Olimpik Park”, KLSH kallëzon 3 zyrtarë të MAS

KLSH ka kallëzuar në Prokurori Sekretarin e Përgjithshëm, Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Juridike dhe Përgjegjësin e Financës në MAS, pasi akuzohen se kanë kryer shkelje në procedurat e prokurimit duke shkaktuar dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit në masën 108 milion lekë (771,000 euro). Si dhe bllokimi i kuotave për doktoraturat në IAL publike, ka sjellë orientimin e fondeve vetëm në një universitet privat.

Kontrolli i Lartë i Shtetit

 Pas auditimit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, janë konstatuar shkelje në procedurat e prokurimit të zhvilluar me objekt “Ndërtimi i objektit “Tirana Olimpik Park”.

Kështu nga auditimi konstatohet se është prokuruar projekti i hartuar nga një shoqëri, që nuk rezulton të jetë kontraktuar nga Autoriteti Kontraktor apo njësitë e varësisë për kryerjen e këtij shërbimi.

Në vlerësimin e ofertave konstatohet se kanë marrë pjesë 8 Operatorë Ekonomikë (OE), nga të cilët KVO ka skualifikuar 7 Operatorë Ekonomikë dhe ka kualifikuar Operatorin Ekonomik me ofertën ekonomike më të lartë (99.2% e fondit limit). Janë skualifikuar padrejtësisht 2 nga OE pjesëmarrës, me ofertë ekonomike më të ulët se oferta e OE fitues.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura