Klosi: Pse po e sulmon tani Thaçi, Berishën. Saliu kërkon të japë mend kudo, por Presidenti i tha…

Aug 9, 2018 | 20:30
SHPËRNDAJE

Ish-kreu i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, beson se reagimi i fortë i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në drejtim të ish- Kryeministrit Berisha ka ardhur si pasojë e këshillës së këtij të fundit për të mos ndarë kufijtë e Kosovës. Në një prononcim për “Panorama”, ish- kreu i SHISH i cilëson si të mbartura qëndrimet e Hashim Thaçit në drejtim të ish-Kryeministrit Berisha.

fatos klosi

Por sipas Klosit, Thaçi e ka pasur të pamundur të flasë kundër Berishës, pasi ai ka qenë gjithmonë një njeri i pushtetshëm.

“Deklaratat e Thaçit për furnizim të Millosheviçit me armë nuk qëndrojnë. Në atë kohë, ka qenë e ndaluar furnizimi i tij me naftë dhe jo me armë. Ky qëndrim i Presidentit Hashim Thaçi është bërë shumë vite më vonë dhe besoj se lidhet me rrethana të caktuara. Në gjykimin tim, Thaçi është bezdisur nga këshilla që Berisha i ka dhënë për të mos mbështetur idenë e ndarjes së kufijve, ndaj edhe ka reaguar në atë formë. Thaçi besoj nuk ka qenë në kontakt të drejtpërdrejt për çka thotë tani, kur ka mbajtur detyra të tjera, me të dëgjuara i ka edhe këto. Deklaratat e Thaçit në drejtim të Berishës janë më shumë një shfryrje e akumuluar prej kohësh. Mesa duket, politika deri tani nuk e ka lejuar të thotë ca gjëra që ai vetë ka dashur të thotë. Kanë qenë gjëra të mbledhura, të cilat nuk ka pasur mundësi t’i shprehë për shkak të rrethanave politike, pasi Berisha ka qenë  gjithmonë një njeri i pushtetshëm dhe me postet më të larta shtetërore. Tani që e sheh që Berisha nuk është në të njëjtat pozita, e ka parë të udhës të thotë ato që ka menduar”, sqaron Klosi për “Panorama”.

Ish-kreu i SHISH kujton deklaratat e Berishës në  vitet ‘97 kur pretendonte se theu embargo për të ndihmuar popullsinë e Kosovës me naftë për ngrohje, ndërkohë që, sipas Klosit, nafta shkonte në Serbi.

“Berisha ka natyrën që kërkon të ndërhyjë dhe të japë mend kudo, ndaj edhe Thaçi ka gjetur mënyrën për t’i thënë ‘Boll më!’. Por, mesa duket, ka gjetur një mënyrë shumë të ashpër për ta thënë këtë gjë. Thaçi ka shumë gjëra për të thënë, por zgjodhi këtë gjuhë për t’i artikuluar ato që mendon, e bëri në mënyrë të nxituar si të gjithë shqiptarët që nguten. Është reagim i fortë ai që Thaçi ka bërë, pasi ai nuk është një politikan i thjeshtë, por Presidenti i Kosovës. Në lidhje me ato që thotë Thaçi, duhet të ketë dijeni sepse e ka jetuar atë periudhë. Për më tepër puna e naftës është një fakt i njohur në Kosovë. Berisha u mburr në ato vite, duke thënë se e theu embargon që të mos kishin ftohtë kosovarët, ndërkohë që nafta shkonte për tanket serb. Berisha e meriton, por Thaçi u ngut me mënyrën e reagimit sepse kujtoi edhe njëherë që ai është President i Kosovës”, deklaron Klosi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura