Klosi për “Panorama”: Isa Mustafa s’ka kontribut në çlirimin e Kosovës, ishte në Gjermani gjatë luftës

Apr 27, 2015 | 17:01
SHPËRNDAJE

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, i cilëson politike deklaratat e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, se shërbimi inteligjent shqiptar ka bashkëpunuar me serbët dhe se ka dashur të përçajë UÇK-në.

Fatos Klosi

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Klosi akuzon Mustafën se nuk e njeh historinë e UÇK-së dhe se gjatë kohës që zhvillohej lufta për çlirimin e Kosovës, ai ka qenë në Gjermani, si ministër i qeverisë Bukoshi në mërgim dhe aspak aktiv në këtë luftë.

Klosi tregon përpjekjet e SHISH për të përfshirë në luftën për çlirimin e Kosovës forcat si të FARK-ut (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) edhe të UÇK-së, por që të dyja formacionet ushtarake, sipas tij, kishin divergjenca mes tyre. Ai tregon dhe pistat e mundshme të vrasjes së ministrit të Mbrojtjes së qeverisë Bukoshi në mërgim, Ahmet Krasniqit në Tiranë.

 Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ju ka akuzuar ju si drejtues i SHISH se jeni munduar të përçani UÇK-në dhe se keni punuar në favor të serbëve. Keni një përgjigje?
Më erdhi vërtet shumë keq për këtë deklaratë, por tani që e mendoj, më vjen mirë që ai acarohet. Nëse ka këtë mendje, është më mirë të acarohet dhe të shprehë të gjithë çfarë ka dhe të tregojë se është shumë larg realitetit dhe se qëllimi i tij është thjesht politik për të justifikuar pozicionin e sotëm, për t’u mbajtur si njeri që e meriton atë pozicion. Më e ndershme do të ishte që Kryeministri Mustafa, meqenëse nuk ka pasur asnjë kontribut në çlirimin e Kosovës, të heshtë dhe të mos justifikojë përmes mbrojtjes së figurës së Ibrahim Rugovës pozicionin e sotëm politik. Do ishte mirë që ai të bënte mirë detyrën që po mban sot. Ndërkohë që është absurde të mendosh se SHIK-u ynë paska bashkëpunuar me serbët. Serbët kanë qenë shërbimi kundërshtar apo armik kryesor yni prej shumë vitesh. Ndoshta ka pasur një lloj bashkëpunimi të lehtë në kohën e Gazidedes, sidomos gjatë viteve të embargos me naftën etj. etj. Por është absurde ajo që zoti Isa tha për shërbimin tonë. Ne mund të kishim qenë edhe më të zotë, mund të kishim bërë edhe më shumë, por që të bashkëpunonim me serbët për të përçarë UÇK-në, jo. Nëse mund të kemi bërë ndonjë gjë të madhe, ka qenë kontributi ynë për t’i bashkuar ata njerëz.

Si ka qenë situata me formacionet ushtarake kosovare?
Që në fillim ka pasur probleme me LPK, një organizatë patriotike, në fillim ideologjike dhe, më pas, dora-dorës kaluan në probleme më konkrete të luftës. Mustafa flet për UÇK-në, por ai nuk e njeh fare UÇKnë. Ushtria në varësi të qeverisë Bukoshi ka qenë FARK-u. Kur UÇK mori emër pas fillimit të luftës në Kosovë, u përpoqën edhe ata të FARK-ut ta quanin veten UÇK, por nuk i qasi njeri, sepse ata kishin tjetër koncept për luftën. Ne u munduam t’i bashkonim, por ata nuk puqeshin me njëri-tjetrin. Kjo nuk është përçarje, por diferencë pikëpamjesh për luftën. FARK-u ka qenë i mendimit se lufta me ushtrinë jugosllave nuk ishte e lehtë, sepse e njihnin mirë atë ushtri.

Intervisten e plote e lexoni sot ne “Panorama” print 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura