Klosi me biznesin: Duam ndihmën tuaj për hartën e profesioneve

Jul 3, 2015 | 13:33
SHPËRNDAJE

Nevojat që ka komuniteti i biznesit dhe orientimi i tregut të punës ishin në fokus të takimit që ministri Klosi pati dje me përfaqësues të “BiznesAlbania”. Ndonëse prej pak ditësh ka marrë postin e ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi ka shprehur angazhimin në përmbushje të zotimit për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, deri në fund të këtij mandati të parë qeverisës. “Dua të vazhdoj projektin për mbajtjen e premtimit për hapjen e 300 mijë vendeve të punës. Sikurse ka bërë edhe paraardhësi im, do të vazhdoj bashkëpunimin me bizneset”, tha Klosi.

Ministri Klosi dje gjatë takimit me bizneset

Duke vlerësuar rolin e biznesit në hapjen e zyrave të reja të punës, ministri Klosi nënvizoi se këto zyra nuk duhet të shërbejnë vetëm për pritjen e ankesave të qytetarëve. Funksioni i tyre parësor dhe i vetëm është ai për të shërbyer si ura lidhëse ndërmjet biznesit dhe qytetarit, për të shkuar në punësimin real. Duke folur për arsimin, Klosi theksoi se: “Ne duam edhe ndihmën tuaj për të pasur mundësinë që të bëjmë një hartë dhe listë të profesioneve ku duhet të synojmë dhe çfarë”. Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, uroi ministrin për detyrën e tij të re, si dhe ofroi mbështetjen e komunitetit të biznesit për të vazhduar nismat e ndërmarra në hartimin e kurrikulave, akreditimin e shkollave profesionale, listimin e profesioneve sipas hartës së traditës, krijimi i database-ve për historikun e punëmarrësit, certifikimin e profesioneve, krijimi i mundësive të praktikave mësimore pranë bizneseve, si dhe shpejtimin e miratimit të ligjit për zejtarinë dhe të dhomës kombëtare të tyre që do të bëhen për certifikimin e zanateve.

Gjatë takimit, ministri Klosi u njoh edhe me shqetësimet e biznesit për punëmarrësit, taksën prej 15%, e cila është rëndesë për biznesin ku kërkohet ulje e saj. Presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, e vuri theksin po ashtu në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, pasi vetëm kështu do të bëhet i mundur realizimi i projekteve me rëndësi, të cilat reflektohen në hapjen e vendeve të reja të punës. Një tjetër çështje që mori vë- mendje në këtë takim, ishte edhe arsimi profesional, për të cilin ministri Klosi theksoi se, pavarësisht vëmendjes së shtuar ndaj tij në dy vitet e fundit, mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të kualifikimit siç duhet të nxënësve. “Arsimi profesional është kthyer në axhendën tonë, të të gjithëve. Por ne vetëm kemi kthyer kokën dhe nuk mund të themi që fakti që kthyem kokën, i dhamë zgjidhje problemit. Unë pranoj, në cilësinë e ministrit, që kemi shumë për të bërë në këtë aspekt dhe përsëri ju ftoj që ta bëjmë së bashku”, u shpreh Klosi.

Në lidhje me arsimin profesional, presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, shprehu angazhimin në funksionimin dhe rritjen e mëtejshme të cilësisë së mësimdhënies për nxënës të kualifikuar, si dhe certifikimin e profesioneve që janë të domosdoshme të zhvillohen në tregun shqiptar, të tilla si: marangozë, teknikë, saldatorë, bukëpjekës dhe pastiçierë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura