Klizmë për ministrat (edhe teknikë)

Aug 18, 2017 | 14:10
SHPËRNDAJE

mentor nazarkoMENTOR NAZARKO

Ditet e fundit në lidhje me bashkëqeverisjen (si koncept i gjerë) dolën tre lajme. I pari mbi efektet e një vendimi të ministres teknike të arsimit mbi bordet e disa universiteteve. I dyti, mbi dorëheqjen e ministrave teknikë (propozuar nga PP) dhe i treti nga Rama vetë në lidhje me të ashtuquajturën zyrë të bashkëqeverisjes në Këshillin e ministrave, domethënë pranë tij. Ka afat për dorëzimin e kandidaturave, me të gjitha dokumentet në rregull, deri në 27 gusht, në një ditë me mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste-u jep shpresë Rama aplikantëve, ndërsa përzë teknikët..

Të tre lajmet, nëse do i merrje si të lidhura me njëri tjetrin-njëfarë lidhje e kanë, duan të thonë: nuk duam bashkëqeverisje me PD-në, por me popullin. Se çfarë forme do të ketë bashkëqeverisja me popullin, është vetëm në kokën e Ramës, ndaj kjo është arsyeja pse nuk ka shumë aplikantë tek zyra e tij, por gjithsesi, bashkëqeverisësit e PD-së, u larguan. Pse?

Këtu kemi mbërritur në planin e parë të analizës, atë pragmatike. Por ka dhe një plan tjetër, ai institucional, ose kushtetues.

Plani pragmatik

Ngjan e vështirë që të paktën dy faktet e para-reagimet e gjithë kupolës universitare kundër ministres dhe dorëheqja e saj dhe e kolegëve të saj -, të mos kenë lidhje me njëra- tjetrën. Por kanë lidhje të atillë, që i pari ka shkaktuar të dytin. Dhe papritmas. Sepse duket e vështirë që ministrja e arsimit të merrte një vendim kaq kategorik fiks dy ditë para se ta largonin dhe firma e saj të mos vlente asnjë grimë. Është krejt e qartë si sqarojnë shumë prej reaguesve, veçanërisht në Universitetin e Mjekësisë, se vendimi i saj kishte implikime financiare, domethënë ka patur njerëz të interesuar që ajo të firmoste emërime që do përcaktonin buxhetin e Universitetit të Mjekësisë, por jo vetëm. Në hedhjen e kësaj firme, ajo mund të shtyhej prej interesave të veta, apo prej partisë. Por pikërisht vendimi i sotëm i dorëheqjeve në grup (pra të urdhëruara nga partia), e përgënjeshtron me gjasë të madhe këtë pandehmë. Pra kanë qenë largime të propozuara prej saj.

Në këtë rrethanë, kanë mundësi dy variante.

Ose Rama i ka kërkuar Bashës t’i dorëheqë, pra të dy komunikojnë me njëri- tjetrin dhe tani.

Ose vetë Basha, i shqetësuar për efektet negative ortek të qëndrimit të tyre në detyrë, (më i fundit provokoi dhe reagime kundërshtuese autoritetesh akademike të afërt me opozitën) ka marrë këtë vendim.

Nëse vendimi i fundit, ka patur shtysë, interesa privatë të ministres, atëherë një fakt si ky, tradhëton qëllimet fisnike të qëndrimit në detyrë, jo vetëm të saj, por dhe të ministrave të tjerë. Madje jo vetëm të teknikëve, por dhe të atyre të LSI-së.

Pse vallë, qenka krijuar një situatë kaq komike, si ajo që përkufizonte në fjalimin e vet, Monika Kryemadhi para të rinjve të partisë së vet, në Jalë, ku në qeveri ka ministra nga PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja? Sepse, si tregoi shembulli i fundit, firma e tyre si titullarë vlen shumë, për vendimmarrje interesante financiarisht, domethënë që prekin, favorizojnë interesa të caktuar, kësisoj japin mundësi për korrupsion. Ok, ministrat teknikë ndejtën për të monitoruar fluksin e parave publike drejt zgjedhjeve, por pasi mbaruan zgjedhjet, çfarë monitoruan?

Plani kushtetues

Ky fakt ama, domethënë, firma me peshë, firma që vlen, kontraston deri diku me një moment kushtetues, administrativ, apo të zakoneve të mira të qeverisjes. Në shumë vende normale, në periudhat parazgjedhore, paszgjedhore, qeveritë nuk marrin vendime që implikojnë kosto për shtetin-prokurime,etj, por kryejnë akte të administrimit të zakonshëm. Disa prej këtyre shteteve, madje e sanksionojnë me ligj dhe kushtetutë këtë detyrim, ndërsa disa të tjerë, e kanë zakon të pashkruar. Tek ne nuk ndodh kjo, madje ndodh e kundërta: socialistët kanë bërë shitje të mëdha të pronës publike (Albtelekom në 2004); demokratët po ashtu në 2013-ën, duke dhënë koncesione.

E tani ka ardhur koha që kjo ndalesë të sanksionohet ligjërisht dhe tek ne. Për më shumë, kuptimi i ministrave teknikë është saktësisht ky: të mos marrin vendime që implikojnë zbatimin e një politike të caktuar, të majtë, apo të djathtë. Natyrisht, prapë do të ketë hapësirë kontestimi: çfarë quhet akt administrimi të zakonshëm, etj, por ama një pjesë e veprimtarisë ekzekutive kufizohet. Ky kufizim është i lidhur saktësisht me konceptin e përgjegjësisë. Një ministër merr vendime për të cilat është i përgjegjshëm politikisht, dhe ai ministër që ikën, që është përkohësisht, nuk ka përgjegjësi, ose e ka të kufizuar. Ka përgjegjësi penale, por kjo është e vështirë të zbulohet.

Çfarë do të bëjë Rama?

Thënë të gjitha këto konsiderata, nuk duhet mohuar se eksperienca e bashkëqeverisjes, për të cilën fliste me shqetësim të shtirur, zonja Kryemadhi, është eksperiencë civilizuese për Shqipërinë. Ajo e ka ulur tensionin politik, dhe e ka futur debatin publik në tema të tjera si kjo që po trajtojmë. Është tjetër gjë, që ministrat teknikë nuk kanë patur fatin që të komunikojnë drejtpërdrejt me kryeministrin, i cili sipas nenit 102 të Kushtetutës është ideatori dhe zbatuesi i gjithë politikave ekzekutive të vendit. Është tjetër gjë sesi ai mund të pezullojë pasojat e veprimeve të teknikëve, nëse i quan të papërputhshme me qasjen e vet politike. A do t‘i zëvendësojë, do të rikthejë ata që ishin? Apo sesi do të veprojë tani me teknikët e dorëhequr: do qëndrojnë në detyrë deri në ardhjen e pasardhësve si thotë Kushtetuta? Apo bashkë me kompetencat, kanë hequr dorë nga zyra dhe nga… rroga?

Klizma e Shvejkut dhe nevoja për vetting

Për ata që nuk e dinë, klizma është një ndërhyrje mjekësore nga anusi për të liruar zorrët dhe stomakun e të sëmurëve që kanë shqetësim në këto organe: bllokime, rëndime, etj.  Po ç’lidhje ka klizma, me ministrat teknikë, apo ministrat në përgjithësi?

Kjo që po përjetojnë apo mund të përjetojnë ministrat teknikë është diçka e ngjashme me klizmën: kanë qenë afër tepsisë me kabuni, mbase kanë ngrënë dhe nuk kanë mundësi të hanë pak më shumë…

E gjitha kjo, të sjell ndërmend një episod nga libri « Ushtari i mirë Shvejk », i Jaroslav Hashekut. Episodi ishte pak a shumë ky:

Në kulmin e mobilizimit për Luftën e parë Botërore, Shvejku, që vuante ose bënte sikur vuante nga reumatizma, doli me patericë në bulevard dhe tha se do shkonte ushtar, edhe i sëmurë. Një veprim si ky tërhoqi vëmendjen e gazetave të Perandorisë që kërkonin shembuj patriotizmi, por Shvejku përfundoi në një spital simulantësh, ku dërgoheshin të gjithë ata që me pretekste sëmundjesh, donin të shmangnin shërbimin ushtarak. Në spitalin e ngritur sipas parimit të një mjeku të famshëm i cili thoshte se « gjithë populli çek, është një bandë simulantësh », trajtimi ishte i tmerrshëm: ushqim dietik, i cili nxirrej në fund të ditës nga klizma të detyruara.

Dikur Shvejkun, e vizitoi në spital, një konteshë e cila ishte prekur nga shembulli heroik i tij, lexuar në gazeta, e cila i solli mjaft ushqime. Shvejku i ndau ato bujarisht me « të sëmurët e tjerë, apo simulantët e tjerë ». Por në fund u shfaq doktori i tmerrshëm, i cili u bëri një klizëm të gjithëve duke u thënë: do ta mbani mend gjithë jetën këtë episod, kur kënaqësia më e madhe si ajo e ngrënies së këtyre ushqimeve të mrekullueshme, zgjati fare pak, sepse klizma jua nxorri nga stomaku të gjitha.

E tani, pikëpyetja është: a do t’ja nxjerrë populli, prokuroria, drejtësia në përgjithësi, kryeministri, ministrave teknikë, nëpërmjet klizmës gjithçka kanë ngrënë jashtë dietës etike të qeverisë? Në fakt klizma sipas aksiomës së mjekut të famshëm e përshtatur –e gjithë banda e ministrave (jo vetëm teknikët) është një bandë hajdutësh, ndoshta i duhet bërë të gjithëve. E për këtë mbase duhet vetting, edhe për politikanët, pas gjykatësve….

Konica.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura