Kleves Bitro flet nga arratia: Akuza ndaj meje, e stisur

Oct 7, 2013 | 9:38
SHPËRNDAJE

ISH-MINISTRI SPIRO KSERA DHE ISH-SHEFI I KABINETIT,KLEVES BITRO
Ish-shefi i Kabinetit të Spiro Kserës reagon për akuzat.

“Zbatuam vendimin e qeverisë, KLSH na kontrolloi dy herë sepse nuk gjeti shkelje”

Ish-shefi i kabinetit të Ministrisë së Punës, Kleves Bitro, prej tri ditësh person në kërkim, ka reaguar dje me një deklaratë publike rreth akuzave që i bëhen nga Prokuroria për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet e tenderave.
Nga një vendndodhje e paidentifikuar, Bitro ka shkruar në faqen e tij në Facebook se akuzat që i bëhen janë të motivuara politikisht dhe personalisht. “Marr shkas nga zhvillimet e ditëve të fundit për të ngritur disa pyetje dhe më pas të jap edhe disa sqarime. Si është e mundur që një ngjarje e ndodhur në vitin 2010 të shfaqet tani në skenën e përditshme? A është Ministria e Punës ajo që duhet të bëhet e para ‘kokë turku’ në fushatën e gjoja antikorrupsionit?”, shkruan ish-zyrtari i Ministrisë së Punës, i shpallur në kërkim prej tri ditësh nga Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë. Bitro ngre akuza ndaj kryetarit të KLSH-së Bujar Leskaj, si autor i kallëzimit penal të bërë pas kontrolleve të bëra në Ministrinë e Punës. Ish-zyrtari i lartë i Ministrisë ngre pikëpyetje edhe në lidhje me rolin e prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe mundësinë që Prokuroria të jetë e influencuar në këtë proces. Duke folur për detajet e çështjes, Kleves Bitro sulmon edhe një nga dëshmitarët e akuzës së Prokurorisë për këtë rast. “Dëshmitarja që ka Prokuroria e që është vajza e Llambi Bakos, ish-kreut të Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës, a garanton hetim të qetë e të paanshëm?”, pyet Kleves Bitro në deklaratën e bërë dje publike në faqen e tij në FB.
Akuzat ndaj KLSH

Kleves Bitro
Ish-shefi i kabinetit të Ministrisë së Punës akuzon KLSH-në se ka marrë atributet e Prokurorisë në mënyrë të padrejtë. Pasi thekson se festimeve të ditës së 1 Majit 2010 iu dha rëndësi e madhe nga qeveria shqiptare dhe me vendim të Këshillit të Ministrave u nda një fond për reklamat, me qëllim sensibilizimin e publikut, Bitro thotë se ndërhyri KLSH-ja. “Ky event, të cilin KLSH me atribute të Prokurorisë e rikontrolloi për të disatën herë brenda një afati kohor disamujor, ishte i mirëpërcaktuar dhe konform çdo ligji për arritjen e objektivit shumë të rëndësishëm të qeverisë në atë kohë. Shqetësimi i vazhdueshëm që kohët e fundit Ministria e Punës ka pasur nga KLSH, dëshmon se kemi të bëjmë me një plan të kalkuluar dhe të dirigjuar për interesa jo më të ngushta personale (siç akuzohem në procesverbalin e datës 19 prill, të firmosur nga z. Bajram Lame dhe z. Fadil Dekovi), por krejtësisht familjare të urdhëruesit të kontrollit të përsëritur në muajt mars-prill të vitit 2012. (Bashkëshortja e kryetarit aktual të KLSH, Bujar Leskaj, kërkoi të vendosej drejtoreshë e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimit në Ministrinë e Punës, por kërkesa e saj nuk u pranua nga ministri Spiro Ksera. Ky është momenti kur z. Leskaj nisi një sërë veprimesh hakmarrëse ndaj institucionit ku unë punoj dhe ndaj meje për të arritur te titullari i Ministrisë së Punës”, shkruan zyrtari në kërkim. Ai bëri me dije se në kontrollet e bëra nga KLSH ka pasur tejkalim të dukshëm të kompetencave të inspektorëve që kanë bërë komente fyese dhe të pabaza ndaj punonjësve të Ministrisë së Punës.
Shpjegimet për procesin
Pas komenteve politike në lidhje me çështjen, i akuzuari nga Prokuroria, Kleves Bitro, shpjegon edhe në detaje procedurat e ndjekura. Ish-zyrtari shpjegon se pas urdhrit të ministrit nr. 878/3, datë 26.04.2010 “Për organizimin e veprimtarisë kulturore të 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve” janë ngritur dy komisionet: komisioni 1, për specifikimet teknike të eventit të 1 Majit dhe komisioni 2, i procedurave dhe hartimit të dokumenteve. “Komisioni i parë i ngarkuar për specifikimet teknike ka zbatuar vendimin e Këshillit Ministrave nr.1173, datë 6.11.2009, pika 6”. Nisur nga ky vendim janë hartuar specifikimet teknike për operatorët dhe me shkresën nr. 878/5, u është dërguar ftesa me firmën e titullarit, ftesë kjo në përputhje të plotë me vendimin e mësipërm dhe konkretisht me pikën 6 të tij. Pretendimet e inspektorëve të KLSH-së për mungesën e llogaritjes së fondit limit, detajimit për vendosjen e Citylight në Tiranë dhe mënyrën e përzgjedhjes së operatorëve, nuk qëndrojnë pasi komisioni ka vepruar drejt dhe në perputhje të plotë me ligjin”, thekson Bitro. Ai shprehet se që nga përbërja e komisioneve deri te vendimet që janë marrë, kanë qenë në kushtet optimale dhe në zbatim të ligjit. Në kohën e mbetur kur janë kryer procedurat, Bitro shpjegon se komisioni ka vendosur se nevojitet vetëm 1 spot 30-sekondash, pasi nuk kishte tagrin të jepte idenë e spotit ku as ideja dhe as specifikimet teknike nuk ndikojnë në çmimin e prodhimit të spotit. “Komisioni i Specifikimeve, duke vlerësuar se aktiviteti ishte me përmasa kombëtare, përcaktoi që, së paku, një nga 3 operatorët transmetues të kishin mbulim kombëtar. Bazuar në kohën e mbetur deri në ditën e eventit (1 Maji) komisioni vendosi që spotet të transmetohen dy ditë rresht, jo më pak se 10 herë në ditë”, thekson Kleves Bitro në deklaratën e tij. tr.so

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura