Kleidi Gjonej, kush është biznesmeni në krah të kandidates për kryebashkiake Keti Bazhdari (FOTO)

May 18, 2015 | 7:55
SHPËRNDAJE

E PLOTE/ Nga akuzat e Berishës, te fotot romantike të çiftit duke u përqafuar në plazh. Jeta private e kandidates socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari, bizneset që ka ajo dhe partneri Kleidi Gjonej….

Keti Bazhdari dhe Kleidi Gjonej

Kur zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri, gjithnjë rastis mot i nxehtë, ashtu si edhe akuzat që politikanët i bëjnë njëri-tjetrit, që nga korrupsioni e deri te krevati. Ashtu siç ndodhi pak ditë më parë, kur ish-kryeministri Sali Berisha e përfoli kandidaten socialiste për Bashkinë e Shkodrës për një histori rozë me fund dramatik, ndërsa Keti Bazhdari iu përgjigj me një padi në Gjykatë. 

“Keti Bazhdari ia mori me tytë të revoles pasurinë të dashurit që e kishte në depresion”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit, ndërsa në rrjetet sociale shpërtheu kureshtja për jetën private të Ketit.

KETI BAZHDARI DHE KLEIDI GJONEJ, NË NATËN E NDËRRIMIT TË VITEVE, 2014

Për të depresuarin që supozon ish-kryeministri, nuk dimë ç’të themi nëse ekziston apo jo, por me fakte mund të flasim vetëm për një mashkull që duket i lumtur në krah të Ketit. Ai quhet Kleidi Gjonej.

Vetë Keti ka hedhur disa foto në Facebook një vit më parë me Kleidin, të cilat janë shkrepur kur është martuar Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa…

KETI BAZHDARI DHE KLEIDI GJONEJ NE DASMEN E ERION VELIAJT

Gjithashtu Keti dhe Kleidi janë shumë miq edhe me ish-drejtoreshën e Doganave, Elisa Spiropali dhe të shoqin Salarjon Totaj, ku shihen po në të njëjtën dasmë në disa fotografi bashkë. Këto foto janë shoqëruar me komente urimi nga miqtë, si: “Të trashëgoheni, me jetë të lumtur, në dasëm” etj., çka lë të dyshosh se kanë realizuar ndonjë ceremoni fejese, ose më së paku e kanë paraqitur si zyrtare lidhjen e tyre. 

Gjithashtu Keti duket se e merr me vete gjatë takimeve elektorale, pasi Kleidi dallon kalimthi nëpër fotografitë rutinë që publikohen çdo ditë nga takimet me popullin shkodran. Aq sa po mos ta dish se është partneri i Ketit, e kujton për pjesë të stafit elektoral apo për elektorat. 

Nga ana tjetër, vetë Kleidi ngjan më i hapur sa i përket intimitetit. Ai ka hedhur fotografi me rroba banjo, ku çifti shfaqet romantik, duke u përqafuar dhe puthur. Duke iu referuar datave të fotografive, çifti ka më së paku 4 vjet lidhje. Festat si Viti i Ri, Krishtlindjet apo pushimet e verës i kanë kaluar bashkë dhe si “dëshmi” janë sërish fotografitë, mbi të cilat është stampuar data e shkrepjes. 

Po kush është djali zeshkan, me pak mjekër, që është në krah të Bazhdarit? 

Kleidi Gjonej është 35 vjeç, pra moshatar me Ketin dhe gjithashtu shkodran. Pas përfundimit të gjimnazit, ka jetuar dhe është shkolluar në Itali. Të paktën nga 2011- ta e këtej, jeta e tij ka qenë mes Udines e Shkodrës, për shkak të lidhjes me Ketin (fotot e çiftit rezultojnë që nga ky vit). Në vitin 2014, pas eksperiencës së marrë në Itali si ekonomist, Kleidi bëhet sipërmarrës në Shkodër. 

Sipas të dhënave në QKR, ai është ortaku me 70 për qind të vlerës në firmën “ERGOTEX” shpk., ku ka investuar vlerën e kapitalit në lekë: 700.000. Sipas asaj çfarë shkruhet në QKR, firma “ERGOTEX” shpk., ka si objekt të aktivitetit: “Prodhim dhe tregtim me shumicë e pakicë të artikujve të veshmbathjes, konfeksione, import-eksport të konfeksioneve, veshmbathjeve, të brendshme të kaskave të motorit. Import-eksport për qarkullimin e lirë dhe nën regjimin e përpunimit aktiv, import-eksport tregtim me shumicë e pakicë të gjithë llojeve të artikujve industriale, shtëpiake, hidrosanitare, ushqimore etj., tregtim me shumicë dhe pakicë i materialeve të ndërtimit, ndërtim të objekteve civile, industriale, rruga, ura etj. Të gjitha llojet e projektimeve dhe punimeve të ndërtimit, të parashikuara për t’u licencuar nga Ministria e Turizmit dhe e Rregullimit të Territorit, etj”. 

Por edhe Keti, siç dihet, është biznesmene. Madje ka dy sipërmarrje. Që nga viti 2003, ajo është ortake me 70 për qind në firmën “BELLA CONFEX” në Shkodër dhe Tiranë, që ka si objekt aktiviteti: “Prodhim konfeksione, tregtimin e tyre me shumicë dhe pakicë, import-eksport. Fason me material të porositësit nën RPA”. 

KETI BAZHDARI DHE KLEIDI GJONEJ

Ndërsa që nga viti 2008, është ortake me 50 për qind te bar kafe “Zhivago Wine Bar”, që gjendet në Tiranë. Pra janë 3 biznese gjithsej të çiftit, besojmë të mjaftueshme për të na dhuruar edhe një dasmë. :) 

Faksimile nga ekstrakti i QKR-së, ku tregohet mbi biznesin e Kledi Gjonejt

Keti blen shtëpi të re 

Keti është trashëgimtare e një familjeje të njohur të Shkodrës, e persekutuar nga regjimi komunist. Ndrek Bazhdari ka qenë një nga të rinjtë e parë në Shqipëri që iu kundërvu regjimit komunist me trakte, pikërisht në kohën e revolucionit hungarez. U degdis në burg politik, megjithatë kur doli nga burgu nuk kërkoi hakmarrje, por demokraci. 

Së bashku me Dom Simon Jubanin, priftin që hapi meshën e parë në Shqipëri, nxiti krijimin e një grupimi politik intelektual të disidencës. Edhe pse një katolik, Ndrek Bazhdari ishte ndër mbështetësit e flaktë bashkë me kolegë të tij, të myslimanit Bahri Boriçi në vitin 1996, kur u zgjodh kryebashkiak i Shkodrës nga një koalicion qytetar i propozuar nga e djathta historike. 

Ndërkaq, vajza e Ndrekës, Keti, prej shumë vitesh është e angazhuar me Partinë Socialiste, duke mbajtur poste të rëndësishme partiake. Kur para dy vitesh, me fitoren e PS-së në garën parlamentare, ajo nuk mori ndonjë post në qeveri apo ndonjë drejtori të rëndësishme, shumë kujtuan se Kryeministri Edi Rama e shmangu Bazhdarin. Por në fakt qe krejt e kundërta. Keti u kthye që atëherë në Shkodër, duke u përgatitur për zgjedhjet lokale. Dhe ja ku është… Kandidate e PS-së për Bashkinë e Shkodrës përballë një femre tjetër, Voltana Ademit nga Partia Demokratike.

Ndërkaq, ajo ka blerë dhe banesë të re. Para 3 vitesh, familjes së Ketit Bazhdarit iu dogj shtëpia. Ata morën me qira banesën e Arben Brocit, pasi nëna e dëshmorit do të shkonte të jetonte te djali në Tiranë. Por përpara se t’u dorëzonte çelësat, mësohet se nëna e Arben Brocit, u ka vënë një kusht familjes së Bazhdarit: Çdo datë 2 prill do ta lironin shtëpinë për disa orë, pasi do të priste vizita përkujtimore për nder të të birit. Kështu ndodhi, por këtë vit Bazhdarët ikën përgjithnjë nga kjo shtëpi, pasi blenë një të re.

Elisabeta Ilnica 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura