Kledi Kadiu: Klaudia është befasuese, e meriton të fitojë “Amici”

Apr 22, 2015 | 12:13
SHPËRNDAJE

Flet balerini i famshëm, i cili është në rolin e profesorit të baletit tek “Amici”, ku konkurron Klaudia Pepa

Është jashtë natyrës sime që të parashikoj e të bëj orakullin se kush do të jetë fituesi i “Amici” në edicionin e sivjetshëm. Ka akoma rrugë. Ka akoma garë. Ka akoma sfida të papritura. Gjithsesi, Klaudia vrapon në korsinë e saj, nuk jep asnjë shenjë lodhjeje apo nervozizmi. Ajo të krijon përshtypjen se mban në zemër shengenin e finalistes duke ruajtur modestisht trofeun e fitueses. Unë e besoj Klaudian dhe i uroj fitoren, sepse e meriton.

Dhjetë vite pasi ka rrëfyer jetën e tij në filmin ”Passo a due”, Kledi Kadiu, një ndër katër profesorët kryesorë të baletit të shkollës së “Amici”, në një intervistë ekskluzive për “Panorama” flet për “talent show”-n më popullor në Itali, ku ai mbështet shqiptaren Klaudia Pepa. Pritshmëritë që ai ka për Klaudian dhe plot detaje të tjera, na i rrëfen në një intervistë ekskluzive nga Roma, në studiot e “Amici” të “Mediaset”.  
Shqiptarët gjithmonë kanë shkëlqyer në “Amici”, dhe madje janë adhuruar nga italianët. Si shihet tashmë nga produksioni një prezencë e re nga Shqipëria?  
Kjo është një e vërtetë që duhet pranuar nga të gjithë, si nga artdashësit, nga dashamirësit, ashtu edhe nga skeptikët. “Amici” është një produksion artistik, që i ka mirëpritur vazhdimisht shqiptarët pa pasur asnjë lloj paragjykimi, dhe i ka vlerësuar objektivisht, mbështetur në vlerat që ata kanë shfaqur. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është se balerinët shqiptarë krijuan traditë me pjesëmarrjen e tyre, ndaj dhe produksioni i mirëpret me simpati.
Klaudia Pepa, e cila po konkurron tashmë në “Amici 2015”, në ç’aspekt bën diferencën me sfidantët e tjerë?
Në këtë vazhdë vjen edhe Klaudia, e cila që në prezantimin fillestar e deri më sot ka dëshmuar vlera profesionale. Nuk ngurroj të them që është befasuese. Me aq sa e kam vëzhguar gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, ajo është një vajze serioze, fjalëpakë e punëshumë. Klaudia në çdo javë ka dëshmuar se nuk ambientohet me atë që arrin, por gjithmonë shikon më larg dhe çuditërisht po aq qartë. Ajo ka një guxim artistik impresionues, vendosmëri karakteri për të injoruar çdo vështirësi në proces pune, tipare këto që e bëjnë të dallueshme nga të tjerët dhe favorite për në finale.

Po një përshkrim i yti për të si balerinë, si do të ishte? Si mund t’i sfidojë ajo rivalët e saj?
Talenti është dhunti, ai ndihet, nuk përshkruhet. Nga ana tjetër, i gjithë formati “Amici” është i mbështetur mbi sfidë. Karakteristike te Klaudia është se ajo nuk i trembet sfidës, por e përballon me dinjitet profesional. Në mund ta përkufizoja si balerinë, mund të them se ka linja të pastra fizike prej balerine, grint femëror dhe temperament mashkullor, që vetëm në Ballkan mund ta gjesh. Në çdo perfomancë ajo rrezaton besim dhe siguri. Për mua këtoj janë tipare që dëshmojnë se Klaudia nuk e ka thënë ende fjalën e saj. Ajo mban ende shumë rezerva të cilat do t’i zbulojë në javët në vazhdim.Ajo nuk ngutet, nuk flet, nuk merr poza, nuk mburret, por punon dhe kjo është frymëzuese.
Duke ndjekur natën e parë të edicionit të “Amici”, vumë re se ajo ka bërë shumë fansa, që e mbështesin. Si e parashikon rrugëtimin e Klaudias në këtë fazë kulminante të spektaklit?
Populli ynë thotë se kush mbjell, do të korrë. Klaudia e ka mbjellë farën e dashurisë me punën e saj, duke ndërtuar një profil artistik, që nuk ka se si të mos krijojë fansa. Me sa kam parë në rrjetet sociale, është pozitiv fakti që më shume fansa ka nga publiku italian, çka dëshmon se ata janë më aktivë se shqiptarët. Është e vërtetë që spektakli ka arritur një pikë kulmore. Të gjithë sfidantët i kanë krijuar profilet e tyre. Gara është e fortë, e bukur dhe me surpriza. Unë nuk ngutem të pohoj, duke shpresuar të mos gaboj që Klaudia ka rrugë për të bërë. Ajo duhet të jetë në finale, sepse finalja e “Amici” plotësohet dhe bëhet më e bukur me një fituese si Klaudia.
Është “Amici” një trampolinë ideale për çdo artist që e jeton këtë eksperiencë? Për një artist që vjen nga Shqipëria, çfarë ndodh kur hyn këtu, cilat janë dyert që i hapen?
“Amici” është një “talent-show” mjaft popullor në Itali. I gjithë produksioni funksionon si një kombinat artistik unik, me staf profesionistësh mjaft të përkushtuar. “Amici” ka një shkollë formimi profesional, rezultatet e së cilës ndihen dukshëm në ngritjen profesionale të sfidantëve, të cilët, pavarësisht rrugëtimit të diferencuar, largohen me përvoja të pasura nga studiot këtu. Ju pyesni se çfarë vjen pas “Amici”, ndërkohë që unë jo pa qëllim po ju shpjegoj se ç’do do të thotë të marrësh pjesë te “Amici”. Në këtë kuptim, pyetja mbart edhe përgjigjen me vete. Gjithsesi, pjesëmarrja në këtë “talent show” bën që të shihesh me tjetër sy, jo thjesht nga njerëzit e zakonshëm, por edhe nga mjaft specialistë me të cilët ke punuar më parë, dhe nuk ta kanë ditur plotësisht vlerën.
Cilët janë favoritët kryesorë për të fituar?
Çdo sfidant është pretendent potencial për të fituar. Është jashtë natyrës sime që të parashikoj e të bëj orakullin se kush do të jetë fituesi i “Amici” në edicionin e sivjetshëm. Ka akoma rrugë. Ka akoma garë. Ka akoma sfida të papritura. Gjithsesi, Klaudia vrapon në korsinë e saj, nuk jep asnjë shenjë lodhjeje apo nervozizmi. Ajo të krijon përshtypjen se mban në zemër shengenin e finalistes, duke ruajtur modestisht trofeun e fitueses. Unë e besoj Klaudian dhe i uroj fitoren sepse e meriton.

Vëzhgimi nga afër, italianët të çmendur pas Kledit
Edhe italiani më indiferent nuk do të rrinte pa duartrokitur Kledi Kadiun, balerinin karizmatik, për të cilin kuriozohen të gjithë. Jo më kot ai iu rikthye ekranit shqiptar pas 20 vitesh me programin “Duartrokitje”, pasi e ka ndier vetë më shumë se kushdo që artistët shqiptarë duartrokitjet e vërteta dhe fjalët e sinqerta i marrin jashtë vendit të tyre. Sapo shfaqet në studion e “Amici”, shumë i kërkojnë një kthim koke apo përshëndetje së largu. Ai tani është mësuar me famën. Në ambientet e “Mediaset”, në periferi të Romës, ku po zhvillohet “talent show” më popullor i Italisë “ Amici”, fansat e skuadrave blu dhe të bardhë kishin udhëtuar me orë të tëra për të ndjekur “live” natën e parë të seraleve. Një show mbresëlënës që, i ndjekur nga afër të impresionon, pasi çdo dalje e konkurrentëve ka një skenë lëvizëse, çdo numër përfshin dhjetëra balerinë, çdo gjë të shfaqet para si me magji, rekuizitë marramendëse, thuajse një perfeksion. Ndryshimi i madh me Shqipërinë është se këtu ka VIP-a, ka dhe fansa të vërtetë, të cilët ëndërrojnë të ndjekin nga studiot gjigante “Amici” e Maria De Filippit, dhe për këtë presin me orë në shi jashtë ndërtesës së “Mediaset”. Shumë prej tyre kanë ardhur të bëjnë tifo për shqiptaren Klaudia Pepa, prima balerinën shqiptare, e cila është pjesë e skuadrës së bardhë, dhe që ka si profesor Kledi Kadiun. Maria duket se nuk ka më asnjë stres, përveç atij të orarit të zgjatur të spektaklit, që nisi rreth orës 21:00 dhe përfundoi në orën 01:00 pas mesnate. Një program me shumë elemente, pasi në Itali të gjithë i kanë sytë tek “Amici”. Nga 11 prilli, të 12 konkurrentët kanë hyrë në një shtëpi dhe nuk kanë më asnjë kontakt me të afërmit e tyre, fakt që i ka dhënë shumë emocion dhe tension garës. Kjo është pjesa më e vështirë, pasi me hyrjen në serale ata synojnë finalen dhe çmimin e madh. I zënë me punë dhe me jetën e një VIP-i të vërtetë, Kledi dëshmon se Shqipëria paska qenë “minierë ari” për talente. Përveç shkollës së tij, ku organizon “stage” baleti në të gjithë Italinë, Kledi tani shfaqet në skuadrën e bardhë të ”Amici 2015”, ndaj mund të flasë hapur për eksperiencën e tij.

Nga Roma
Klotilda Harka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura