KLD, portal online për ankesat e qytetarëve

May 4, 2013 | 12:34
SHPËRNDAJE
Nga mbledhja e djeshme në KLD

TIRANE – Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ofrojë një portal online, ku qytetarët mund të depozitojnë ankesa ndaj sistemit të drejtësisë. Portali do të ndërtohet në faqen zyrtare të KLD-së në internet. Pas depozitimit online, ankesat do të ndiqen nga ana e Inspektoratit dhe institucioneve kompetente. Lajmi u bë i ditur në mbledhjen e djeshme të KLD-së nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht kryetar i këtij Këshilli. Presidenti Nishani pohoi se nga komunikime me qytetarë të ndryshëm kishte marrë një numër ankesash për problematika mbi sistemin gjyqësor. “Janë për t’u vlerësuar të gjitha këto ankesa. Por, veçanërisht, duhet të jenë tërësisht të patolerueshme rastet kur proceset gjyqësore zvarriten në kurriz të së drejtës së qytetarit; kur vendime gjyqësore mbeten në sirtarët e zyrave të gjyqtarëve me muaj të tërë, duke mohuar dhënien e së drejtës qytetare”, u shpreh Nishani. Sipas kreut të KLD-së, për këtë shkak i kishte kërkuar nënkryetarit të Këshillit që “në faqen zyrtare elektronike të KLD-së të vendoset menjëherë një portal i veçantë për depozitimin e të gjitha ankesave të drejtpërdrejta nga ana e qytetarëve, portal i cili të ketë detaje të plota jo vetëm për identifikimin e rastit, por dhe për të realizuar mënyrën e komunikimit sa më të shpejtë me qytetarin”. Presidenti Nishani shprehu garanci se KLD-ja do të ndjekë me vëmendjen dhe përgjegjësinë maksimale çdo ankesë që do të depozitohet në portal.                                 ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura