Klaudia Hila: Adi, tip i vështirë, tolerantja jam unë

Oct 6, 2014 | 14:39
SHPËRNDAJE

Regjisorja Klaudia Hila me bashkëshortin, Adrianin dhe
dy vajzat
Nuk i ka “rënduar” fare fakti që i është dashur të mbajë peshën më të madhe në rritjen e vajzave për shkak të mungesave të shpeshta të të shoqit. Çdo gjë është përpjekur ta shohë në dritën e tolerancës dhe dashurisë, e sot Klaudia Hila është e lumtur me zgjedhjen që ka bërë. I duket sikur jeta e saj nuk mund të kuptohet pa të shoqin, kompozitorin Adrian Hila. Prej kohësh së bashku, prindër të dy vajzave dhe të përkushtuar të dy në botën e artit, secili në fushën e vet, Klaudia Hila rrëfen në këtë intervistë marrëdhënien e saj me bashkëshortin, që nga njohja me të e deri sot.

Si e kujtoni sot, pas shumë vitesh, njohjen me bashkëshortin tuaj, kompozitorin Ardian Hila?
Fillimet tona kanë qenë shumë të sinqerta, shumë naive, për faktin që kemi qenë studentë të Akademisë së Arteve. Ndërkohë që unë isha studente e vitit të parë për regji, Adi ishte në vitin e tretë si student i kompozicionit dhe të them të drejtën ishte ai që vinte shumë shpesh këtej nga dega e dramës dhe regjisë, sepse kishte dhe mikeshat e tij. Ai kishte mike aktoren që sot njihet si këngëtarja Maya, por që atëherë ka qenë studente aktrimi, një vit më e madhe se unë. Duke qenë vlonjate, kishin biseda bashkë, humore të ndryshme, këndonin. Ishte shumë spontane njohja që kam pasur me Adin. Kur më ka ardhur Adi, mbaj mend që ka qenë data 25 mars dhe në këtë datë çdo vit ne festojmë. Nuk është se ndamë diçka shumë të madhe, por ishte dita kur njëri-tjetrit, ndoshta dhe në mënyrë të heshtur, i thamë po. Kështu që nga ai 25 mars më duket sikur nuk kam pasur gjë tjetër në jetë veç Adit dhe më pas vajzat, familja, puna, profesionet tona. Si dy artistë kemi pasur profesionet tona dhe kemi lënë gjurmët tona. Vitet kalojnë kaq shpejt e kur kujtoj që tashmë kemi së bashku me Adin që nga viti 1991, 23 vite bashkë, më duket një jetë e tërë. Ndihemi të lumtur që kemi gjetur njëri-tjetrin në kohën e duhur, në momentin e duhur.
Pas kaq vitesh mendoni se marrëdhënia ka po atë pasion e forcë si dikur?
Mendoj se njohja në rini, të krijosh familje në një moshë të re, ka më shumë të mira. Na thonë shpesh: “Sa prindër të rinj me fëmijë kaq të rritur!”. Mendoj se është gjë shumë e mirë. Jo vetëm për faktin që duke rritur fëmijët, gati-gati kemi rritur njëri-tjetrin. U njohëm kaq të rinj, sa detyrimisht që i dhamë njëri- tjetrit pjesën më të mirë tonë. Duke njohur në detaje njëri-tjetrin, arritëm të bënim një familje shumë më solide sesa nëse do të ishim njohur më vonë apo nëse do të ishim njohur me tipa apo natyra të tjera të ndryshme. Përveç njohjes sonë dhe dhënies shumë të njëri-tjetrit, patëm një të mirë tjetër, që na erdhën dhe fëmijët shumë shpejt dhe u bëmë dhe shokë të fëmijëve. Vajza e parë, Meryl, erdhi kur isha 23 vjeçe. Ketlin kur isha 29 vjeçe. Shumë shpesh gjykohemi për faktin që prindi nuk mund të bëhet shok me fëmijët. Prindi, pa diskutim që ka për detyrë, ka përgjegjësinë për të qenë prind para fëmijës, por duke qenë prind në moshë të re, arrin të kuptosh dhe mirëkuptosh veprimet që bën fëmija e mund të jesh dhe shok. Për këtë arsye, mendoj se kemi qenë dy prindër shumë të mirë dhe të mirëkuptueshëm.
Po në marrëdhënie me njëri-tjetrin, kush është më tolerant?
Pa diskutim, dihet që unë jam më tolerante. Mendoj se në një moment që familjes i fut tolerancën, i jep besimin se çdo gjë e ke me vete. Gjithçka e ke pas vetes dhe them se në një çift, ndoshta jo më kot Zoti i çon një person më tolerant, një person më kërkues, për të plotësuar binomin e për ta bërë më interesant. Por pjesa kërkuese e Adit ka qenë po kaq e domosdoshme sa toleranca ime. Për këtë arsye mbase familja mirëfunksionon.
Është e vështirë për një grua të jetojë me një artist? Sa tip i vështirë është Adi sipas jush? Cilat janë pikat e dobëta të tij?
Mendoj se hyn te tipat e vështirë. Është njeri i jashtëzakonshëm, me zemër të jashtëzakonshme. Është shumë familjar, shkrihet me pjesën e familjes, por në gjërat e tij, duke qenë se është disi i prerë, është pak i vështirë. Përveç karakterit të tij të fortë, mendoj që duke qenë se është shumë kërkues, është pak i rëndë në mënyrën si i komunikon dhe si i thotë gjërat. Shpeshherë Adit i them se “mund të kesh shumë të drejtë, por ka 1000 mënyra për të shkuar tek ajo”. Unë zgjedh një mijë mënyra për të arritur ku duhet, kurse Adi është shumë i drejtpërdrejtë.
Keni kaluar në raport me njëri-tjetrin, të themi “periudha krize”, duke qenë për kaq vite të martuar?
Pa diskutim! Ka pasur periudha ku nuk mund të quhet krizë, por njëri apo tjetri ka pasur impenjime të shumta në punën e tij dhe jo lënie pas dore e burrit dhe gruas, por lënie pas dore në përgjithësi e familjes. Adi ka spektaklet e tij, i duhet jashtë mase që në mënyrë të përditshme, të përhershme, të merret me produksionet e tij dhe mungon në mënyrë të shpeshtë në familje, e kjo dashje pa dashje krijon një lloj largësie për momentin. Po kështu dhe unë kam pasur të bëj produksione me të huaj e shqiptarë dhe nuk i kam kushtuar ndonjëherë shumë kohë familjes e vajzave, e kjo më bën të ndihem fajtore. Këto, në mënyrë të drejtpërdrejtë a jo, mund të quhen largime të përkohshme familjare.
Mes kaq angazhimesh, sa kohë i kushtoni njëri-tjetrit?
Për fatin tonë të mirë, duke pasur dhe shokët tanë artistë, e gjejmë rastin të mblidhemi darkave. Pra, nuk mblidhemi vetëm familja, por duke pasur dhe fëmijët në mosha të njëjta, mblidhemi në darka të shpeshta. Këto darka fillojnë në orën dhjetë ose njëmbëdhjetë të natës e vazhdojnë deri në tre a katër të mëngjesit. Kënaqësitë tona më të mëdha janë gjatë orëve të mëngjesit, me miqtë tanë, sesa gjatë drekave apo pasditeve.
Duke qenë të dy të lidhur me fushën e artit, Adi me muzikën e ju me regjinë, keni dashur që vajzat tuaja të jenë po ashtu artiste?
As Adi dhe as unë nuk kemi qejf t’i fusim fëmijët në botën e artit. Ndoshta gjërat të provuara vetë në kurriz na kanë ndërgjegjësuar që në ditët e sotme ka shumë mundim, shumë lodhje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk e ke atë motivim për të pasur atë kohë, atë lodhje. Vajzat kanë pasur daljet e tyre sporadike në një festival fëmijësh, në ndonjë shfaqje në kukulla, por asnjë impenjim serioz artistik. Vajza e parë nisi klasën e parë për piano. Ishte shumë e mirë, por nuk kishte vullnet. E vogla ka talent shumë specifik përsa u përket veglave muzikore, kitarës dhe pianos. Mendoj që në një mënyrë të pandërgjegjshme dëgjon një material muzikor dhe i bie direkt me vesh. Kjo do të thotë që e ka prirjen, ashtu si Adi, por ne nuk po ia ushqejmë. Nëse gabojmë apo jo, mbase do e shohim në të ardhmen, por mendojmë se këtë vit, duke qenë edhe se është në klasën e shtatë, pra deri diku e rritur, të fillojmë të mundemi t’i japim disa leksione për kënaqësinë e saj, jo për të marrë drejtim artistik.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura