Klandestinë në SHBA e BE/ Kush është polici që dyshohet se dekonspiroi operacionin, emri i tij…

Mar 20, 2018 | 9:46
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Një efektiv i Policisë së Tiranës është arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pasi dyshohet se ka dekonspiruar operacionin e goditjes së 7 grupeve kriminale që trafikonin klandestinë drejt Amerikës, Kanadasë e Anglisë

foto ilustruese
foto ilustruese

I arrestuari është 51-vjeçari nga Skrapari, Adriatik Bakiasi, me detyrë polic objektesh pranë Komisariatit nr.3 në kryeqytet. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje se efektivi Bakiasi ishte pjesë e procedimit që kishte nisur prej 7 muajsh. Por nga ana tjetër, emri apo inicialet e tij nuk figurojnë mes 51 personave ndaj të cilëve Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte firmosur urdhërarrestet.

Operacioni i iniciuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u monitorua edhe nga SHÇBA, jo vetëm për faktin se në rrjetin e trafikut ishin të përfshirë edhe 4 policë kufitarë, por edhe nga dyshimi për dekonspirim. Rëndësia e këtij operacioni ishte e dukshme, pasi merrnin pjesë edhe dy agjentë specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë të Departamentit të Shtetit në SHBA.

E megjithatë dyshohet se efektivi Adriatik Bakiasi, i cili kishte njohje me disa prej anëtarëve të grupeve, mund të ketë informuar ndonjë prej 12 personave që i shpë- tuan arrestimit ditën e shtunë, e që vijojnë të jenë në kërkim.

POLICET E ARRESTUAR

Mes 39 personave që u arrestuan të shtunën gjatë operacionit të koduar “One If – By Land”, që merreshin me trafikimin e klandestinëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së e Kanadasë, janë edhe 4 efektivë të Policisë së Shtetit.

“Gjithashtu janë arrestuar edhe 4 punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë kontrollorë në Pikat e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit dhe Qafë Thanë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer regjistrimin e shtetasve të kontrabanduar në pikat e kalimit kufitar, në kundërshtim me ligjin”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, gjatë konferencës për shtyp.

Efektivët e arrestuar janë Çelnik Maksuti 53 vjeç, Ilir Ismaili 32 vjeç e Erjon Maxharu 28 vjeç, të tre nga Pogradeci dhe me detyrë kontrollorë në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës, si dhe Gjokë Ujkaj, 46 vjeç, nga Shkodra me detyrë kontrollor në Pikën e kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, Shkodër.

Burime nga grupi hetimor thanë se këta punonjës policie, dyshohet të kenë bashkëpunuar me anëtarët e 7 grupeve kriminale, për të lejuar kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Anglisë, SHBA-së dhe Kanadasë, të të paktën 1 mijë shtetasve shqiptarë. Mësohet se duke shpërdoruar detyrën, efektivët e Policisë Kufitare, nuk kanë regjistruar në kufi shtetasit që udhëtonin fillimisht drejt vendeve të Bashkimit Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura