Kjo ndarje në gëzim që bëri Edi Rama

Oct 13, 2015 | 12:43
SHPËRNDAJE

SAMI NEZASAMI NEZA

    Kryeministri Edi Rama vendosi sot me fjalimin e tij një gardh mes atyre që duhet të gëzojnë sipas tij dhe atyre që nuk duhet të gëzojnë me rastin e kualifikimit të Kombëtares shqiptare në finalet e Europianit.
Kjo ndarje në gëzim rrallëherë ndodh ose nuk ndodh asnjëherë. Por Kryeministri ynë bën të ndodhë ajo që nuk duhet e ndalon të ndodhë ajo që duhet.
Problemi i Kryeministrit ishte te kritikat që mijëra tifozë dhe jo vetëm ata bënë ndaj Kombëtares fill pas humbjes me Serbinë, ndërkohë që ai paska qenë i vetmi që nuk paska besuar se kishte gabim nga Kombëtarja. Ishte tensioni, tha ai.

Në fakt, mijëra e mijëra shqiptarë që u dëshpëruan atë natë nuk e kishin aq shumë me Kombëtaren, por e kishin me Ramën. Ai ia nisi që në pikë të mëngjesit të së enjtes të bllokonte frymën e fitores se fitoren nuk e kishte në dorë, por frymën po.
Arrestoi që me natë në Tiranë të parin e të inatosurve me serbët dhe rreth mbrëmjes të inatosurin e fundit.

Bllokoi të gjitha rrugët që të çojnë në Elbasan 8 orë para fillimit të ndeshjes, ndërkohë që rruga Tiranë-Elbasan është jo më shumë se 30 minuta. Ua imponoi disa mijëra shqiptarëve guidën absurde të infrastrukturës së Enver Hoxhës, sipas së cilës, nëse do të udhëtosh për në lindje, fillimisht duhet të shkosh në perëndim. 90 për qind e atyre që ishin në Elbasan në orën 20:00, i ranë nga Tirana në drejtim të perëndimit, pra, në Durrës, dhe më pas drejt jugut, për t’u kthyer në lindje, andej nga Elbasani ishte në të vërtetë. Kjo vetëm që të ulte numrin e njerëzve që do të shkonin në Elbasan.

Për më shumë, në bashkëpunim me FSHF-në u shpërndanë bileta jo për grupet e organizuara të tifozërisë që janë të rëndësishme për skuadrën, por për administratën e institucioneve publike në Tiranë. Për njerëz që shkojnë për herë të parë në stadium kur janë 30 vjeç e më sipër është e ndaluar të shkojnë në stadium! Kjo ishte në vijim të strategjisë kundër entuziazmit.

Disa mijëra policë u vendosën ku ishte e nevojshme dhe më shumë ku nuk kishte fare nevojë për ta për të reshtur sadopak entuziazmin prej të cilit ende nuk e ke shpjeguar se pse kishte frikë.
Fajësimi i tifozëve që nuk u nënshtruan as me humbjen e papritur me Serbinë dhe patën fuqi të gjykonin dhe të akuzonin nuk është i ndershëm. Dhe rreshtimi i Ramës me Kombëtaren si i vetmi mbështetës për ta kur tifozët dhe qytetarët e tjerë u mpakën prej humbjes nuk është i vërtetë. Tifozët festojnë edhe para ndeshjes, por gjithnjë festa e madhe është pas saj.

Zoti Rama, që kur je bërë Kryeministër, festat para ndeshjeve janë më të mëdha se pas ndeshjeve. Dhe në rastin e Serbisë u festua deri një ditë para ndeshjes dhe më pas festa e rrudh. Ky është skenari yt dhe jo i tifozëve. Këta të fundit kanë skenar tjetër. Ne kemi parë edhe ndeshje të ngjashme më parë dhe e dimë se festa ka plasur kur është bërë goli dhe jo kur goli supozohet se do të bëhet.
Vendosja në një plan e ndeshjes me Serbinë dhe ndeshjes me Armeninë është manipulim i të dyja ngjarjeve, se edhe pse ndeshje futbolli, impakti te kuqezinjtë është krejt tjetër. Jo më kot kishte nga ata qortues të Kombëtares që thanë se fitoren me Serbinë do ta këmbenin edhe me humbjen e kualifikimit. Ky është mendimi i tyre. Ti mund t’i rreshtosh në radhë për shërbimet e qeverisë, por jo për mendimet e tyre.

Megjithëse në rastin e Serbisë përballja ishte tifozë-Kryeministër shumë më tepër sesa tifozë-Kombëtare, edhe rezervat ndaj Kombëtares ishin të arsyeshme. Kur nuk ha asnjë gol për 90 minuta, të hash dy të tillë për 3 minuta nuk është ngjarje që nuk habit. Ka nga ata shqiptarë që mendojnë se ndeshja është trukuar nga bastet, ka të tjerë që mendojnë se ndeshja u trukua politikisht nga Kryeministri, ka të tjerë që ashtu si Kryeministrin besojnë se lojtarët ishin nën stres psikologjik, ka të tjerë që nuk merren fare as me Kombëtaren tonë, as me Kryeministrin tonë, por vetëm me serbët që i shajnë nga të gjitha anët.
Tani që ndeshjet për kualifikim kanë mbaruar dhe jemi më të qetë për të gjetur ndonjë përgjigje më racionale që na ndrit suksesin dhe na zbut inatin, duhet marrë përgjigje për ndonjë pyetje.

Çfarë lidhjeje kaq të ngushtë ka një Kryeministër me një ndeshje në fund të fundit, por edhe me dy ndeshje? Pse njerëzit shohin te Kryeministri i vet më shumë lidhje me ndeshjen sesa me GDP-në?
Kush e ndërton këtë perceptim?
Askush vetëm Kryeministri. Mund të jetë edhe Endri Fuga, njësoj është për çështjen. E tha dhe vetë ndërkohë që ngulmonte se nuk ishte ashtu. Është kapur pas një fijeje suksesi, që me rastin e kualifikimit mund të tirret edhe më gjatë, mund të shkojë edhe në pranverën e 2016-s. Dhe mendon se njerëzit lidhen pas ngjarjes ashtu si ai e lidh ngjarjen pas veti.
Ndodh kështu, ndodh për një kohë, por nuk ndodh përgjithnjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura