Kjo kompani pretendon se vaksina Covid-19 që ka testuar tek brejtësit funksionon. Provat tek njerëzit do të fillojnë…

Sep 4, 2020 | 23:10
SHPËRNDAJE

Një ndër kandidatët për krijimin e vaksinës kundër koronavirusit, kompania “Johnson and Johnson”, parandaloi një sërë sëmundjesh të rënda tek një grup brejtësish, tha prodhuesi i ilaçeve të enjten.

fe11517a-3030-4d5d-a2d4-1fe627df8ed4

Sipas “Daily Mail”, në studimin para-klinik, kafshët e vaksinuara humbën më pak peshë dhe kishin më pak virus tek mushkëritë dhe organet e tyre sesa kafshët e pavaksinuara.

Brejtësit që morën vaksinën, të quajtur Ad26-S.PP, prodhuan antitrupa neutralizues, për të cilët ekspertët shëndetësorë besojnë se janë jetike për të ndërtuar imunitetin kundër Covid-19.

Për më tepër, asnjë nga brejtësit nuk përjetoi rezultate të rënda si pneumonia ose vdekja.

Paul Stoffels, Zyrtari Kryesor Shkencor për “Johnson and Johnson”, tha në një deklaratë: “Me provat e Fazës 3 që planifikohen të fillojnë këtë muaj, ne mbetemi të përkushtuar për të zgjeruar aftësitë tona prodhuese dhe shpërndarëse, për të mundësuar akses global ndaj vaksinave SARS-CoV-2 nëse dëshmohet se janë të sigurta dhe efektive tek njerëzit”.

Brejtësit që janë zgjedhur për testimin e vaksinës, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve sesa majmunët, u vaksinuan dhe më pas u ekspozuan ndaj koronavirusit pas katër javësh.

Studiuesit zbuluan se nivele të ulëta të antitrupave që mund të neutralizojnë virusin ishin të lidhura me nivele të larta të humbjes së peshës.

Për më tepër, ngarkesat virale u ulën nga dita e dytë e infeksionit në ditën e shtatë.

“Të dhënat tona tregojnë se një imunizim i vetëm i Ad26-S.PP siguron mbrojtje të fortë kundër sëmundjeve të rënda klinike pas infeksionit me SARS-CoV-2 tek brejtësit”, shkruajtën autorët.

Në varësi të të dhënave nga testimi i vaksinës tek njerëzit, “Johnson and Johnson” planifikon të fillojë testimin e fazës III në gjysmën e dytë të shtatorit, tek më shumë se 60,000 njerëz.

Testimi më vonë do të zhvillohet në SHBA dhe në të paktën tetë vende të tjera përfshirë Brazilin, Kilin, Filipinet dhe Afrikën e Jugut.

Në SHBA, testimet do të bëhen në 28 shtete, të tilla si Kalifornia, Florida, Teksas, etj.

Vaksina e kësaj kompanie kombinon materialin gjenetik nga virusi i ri me gjenet e adenovirusit, i cili shkakton ftohjen e zakonshme, për të marrë një përgjigje imune.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka më shumë se 170 vaksina në faza të ndryshme të zhvillimit, prej të cilave 30 do të testohen tek njerëzit.

Asnjëra nuk është autorizuar ende.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura