“Kjo është një shenjë paralajmëruese për trazira”/ Deklarata e fortë, ish-ministrat e Jashtëm i shkruajnë krerëve të BE, çfarë kërkojnë për Shqipërinë e Maqedoninë

Nov 9, 2019 | 10:45
SHPËRNDAJE

Në një letër të hapur drejtuar drejtuesve të Bashkimit Europian, 10 ish-ministra të Jashtëm dhe ish-zv.kryeministra kërkojnë rishqyrtimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Samitin e Zagrebit.

merkel-macron

Kjo letër botohet sot në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Euractiv” dhe në disa media të rajonit. Ata kërkojnë që BE të tejkalojë ndasitë e brendshme dhe të marrë përgjegjësitë e veta, duke vepruar në mënyrë strategjike.

“Hapja e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mbi bazën e angazhimeve të tyre, është e domosdoshme dhe për të duhet të bihet dakord në Samitin e radhës të BE-së. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje BE-së të paraqesë instrumente të reja në Samitin e ardhshëm të Zagrebit, për të konsoliduar rrugën e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letrën e tyre. Me vendimin e fundit të Këshillit Europian, ata shohin një dobësim të besimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor te BEja. Garancitë e dhëna nga BE-ja për vendet e rajonit nuk do të kenë më të njëjtën vlerë. Prandaj, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë arritja e kompromiseve, për të kapërcyer mosmarrëveshjet bilaterale dhe për të çliruar energji pozitive. Kjo është një shenjë paralajmëruese për trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, të cilat kanë besuar për një kohë të gjatë te mbështetja e BE-së”, thuhet në letrën e 10 ministrave të Jashtëm dhe zv.kryeministrave të vendeve të BE-së.

LETËR E HAPUR

Vatrat e trazuara dhe tensionet përreth Bashkimit Europian vazhdojnë: Siria, Iraku, Libia, Ukraina, Mesdheu Lindor. Në jug të Bashkimit Europian po formohet një hark i paqëndrueshmërisë gjeopolitike. Ne nuk duhet të lejojmë që ai të zgjerohet.

Stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti në Europën Juglindore lidhen drejtpërdrejt me konsolidimin e projektit europian dhe përfundimin e ribashkimit të kontinentit tonë me pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një proces që nisi 30 vjet më parë. Kundërshtimi këmbëngulës ndaj hapjes së bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Europian dhe vullnetin e pjesës më të madhe të vendeve anëtare të BEsë e të Parlamentit Europian, e ka dobësuar ndikimin e mbetur të BE-së në pragun e vet, duke vënë në rrezik aftësinë e saj për të farkëtuar zhvillime strategjike e stabilitet në Europën Juglindore.

Ky është një gabim strategjik që ndihmon në konsolidimin e status quo-së në Ballkanin Perëndimor dhe të inercisë së BE-së në një hartë gjeopolitike gjithnjë e më të rrëmujshme. Detyra e Bashkimit Europian është të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e Europës Juglindore. Prandaj, procesi i pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë një politikë e përgjegjshme dhe jo të konsiderohet si barrë.

Veç kësaj, kundërshtimi për të filluar bisedimet e pranimit me vendet e lartpërmendura, minon autoritetin dhe besueshmërinë e BE-së. Për një rajon si Ballkani Perëndimor, që po bën çmos të forcojë sundimin e së drejtës dhe të përmirësojë standardet sociale e ekonomike, procesi i anëtarësimit në BE mbetet i pazëvendësueshëm. Sidoqoftë, më e rëndësishme për ndjeshmërinë e këtyre vendeve, të cilat e kanë hedhur spirancën e tyre te BE-ja, është impakti psikologjik i bisedimeve të pranimit dhe efektet transformuese që ato gjenerojnë. Mbi të gjitha, kjo është një çështje besimi.

Që në vitin 2003, nga Samiti i Selanikut, udhëheqësit e BE-së u zotuan për anëtarësimin këtyre vendeve. Në rrethanat aktuale, garancitë e dhëna nga BE-ja për vendet e rajonit nuk do të kenë më të njëjtën vlerë. Prandaj, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë arritja e kompromiseve, për të kapërcyer mosmarrëveshjet bilaterale dhe për të çliruar energji pozitive. Kjo është një shenjë paralajmëruese për trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, të cilat kanë besuar për një kohë të gjatë te mbështetja e BE-së. Kjo minon procesin e bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe fuqizon forcat centrifugale në Bosnjë e Hercegovinë.

Procesi i pranimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është gjithashtu një proces i shtet-ndërtimit dhe për të njëjtën arsye, një proces stabilizimi për të gjithë rajonin. Ai përbën një strategji kyçe për të ushtruar një ndikim politik global të BE-së. BE-ja duhet të marrë përgjegjësitë e veta, duke vepruar në mënyrë strategjike.

Është pikërisht koha që BE-ja të shqyrtojë me kreativitet dhe të shoh në perspektivë rolin e vet brenda mjedisit të ri ndërkombëtar, me qëllim që të veprojë në mënyrë të pavarur në këtë mjedis dhe të forcojë kapacitetet e veta të politikës së jashtme e të mbrojtjes. Ne i bëjmë thirrje BE-së të kapërcejë ndasitë për këtë çështje.

Procesi i pranimit do të vazhdojë për shumë vite, gjatë të cilave do të ketë kohë të mjaftueshme që nevoja për integrim të mëtejshëm brenda radhëve të BE-së të pajtohet me nevojën për të mbajtur gjallë perspektivën europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, hapja e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mbi bazën e angazhimeve të tyre, është e domosdoshme dhe për të duhet të bihet dakord në Samitin e radhës të BE-së.

Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje BE-së të paraqesë instrumente të reja në Samitin e ardhshëm të Zagrebit, për të konsoliduar rrugën e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

NENSHKRUESIT E LETRES SE HAPUR

IGOR LUKSIÇ ish-Kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi.
SIGMAR GABRIEL ish-zëvendëskancelar dhe ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
VESNA PUSIÇ ish-zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme të Kroacisë.
NIKOLA POPOSKI ish-zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
NIKOLAOS KOTZIAS ish-ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.
KARIN KNEISSL ish-ministre e Punëve të Jashtme të Austrisë.
IOANNIS KASOULIDES ish-ministër i Punëve të Jashtme të Qipros.
DITMIR BUSHATI ish-ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
KRISTIAN VIGENIN ish-ministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
GORAN SVILANOVIÇ ish-ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Federative të Jugosllavisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura