Joe Biden është betuar si presidenti i 46-të i SHBA-ve në një ceremoni të zhvilluar sot në Capitol, nga ku ai u shpreh se “Kjo është dita e Amerikës!”.
“Sot ne festojmë triumfin, jo të një kandidati, por të një kauze – kauzës së demokracisë. Vullneti i njerëzve është dëgjuar dhe vullneti i njerëzve është marrë parasysh. Ne mësuam edhe njëherë që demokracia është e çmuar. Demokracia është e brishtë. Dhe në këtë orë, miqtë e mi, demokracia ka triumfuar“, deklaroi Biden.
Pas betimit presidenti i ri foli mbi rëndësinë e bashkimit të vendit, duke theksuar se është i angazhuar me gjithë shpirt në këtë mision.
“Sot, në këtë ditë janari, jam me gjithë shpirt te bashkimi i Amerikës, bashkimi i njerëzve tanë, bashkimi i kombit tonë“, tha Biden.
“Të bashkuar për të luftuar armiqtë me të cilët përballemi. Zemërimin, mllefin dhe urrejtjen, ekstremizmin, paligjshmërinë, dhunën, sëmundjet, papunësinë dhe mungesën e shpresës. Me bashkim mund të bëjmë gjëra të mëdha, gjëra të rëndësishme“, tha ai.
Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë e shfrytëzoi fjalimin e tij të inaugurimit për të dërguar një mesazh në pjesën tjetër të botës.
“Amerika është testuar dhe ne kemi dalë më të fortë. Ne do të riparojmë aleancat tona dhe do të rinisim angazhimin me botën“, duke premtuar ndryshim të politikave izoluese të Trump.
“Ne do të udhëheqim, jo me shembullin e fuqisë sonë, por me fuqinë e shembullit tonë. Ne do të jemi një partner i fortë dhe i besuar për paqen, progresin dhe sigurinë,” shtoi ai.
****
Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën. Ceremonia e inaugurimit zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe në mungesë të aktiviteteve festive si rrjedhojë e kufizimeve të koronavirusit.
“Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të begatë”, tha presidenti republikan në video-mesazhin e tij. “Ne i shprehim urimet tona më të mira dhe gjithashtu duam që ata të kenë fat, një fjalë shumë e rëndësishme”, shtoi ai.
Siç duket edhe nga kjo foto senatorët kanë zënë vendet e tyre pak para nisjes së ceremonisë së inaugurimit.
Udhëheqësit e Kongresit pritet ta përshëndesin atë gjatë hyrjes në ndërtesën e Capitol-it. Biden pritet të bëjë betimin jashtë zyrës së ndërtesës.