Kisha mbi kishë dhe zhurma për të!…

Sep 2, 2015 | 12:21
SHPËRNDAJE

Luan Rama
Luan Rama
LUAN RAMA

Në Dhërmi, në Himarë, në të gjithë Bregun, ashtu sikundër në Labërinë këndej Bregut e gjithkund në Shqipëri ka aq shumë e shumë halle, probleme, vështirësi, që meritojnë vëmendje e investim shtetëror, por edhe të të gjithë shoqërisë për t’u administruar e zgjidhur, sa që nuk qe nevoja të mbivendosej edhe “problemi”, në fakt i paqenë, i stisur, i Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi.

E, sikur vërtet të mos kishim se me çfarë të merreshim tjetër, prej shumë ditësh vëmendja mediatike, por edhe e opinionit, është gozhduar tek objekti i quajtur Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi. Te “kisha mbi kishë” sipas disave, te kisha e vjetër e zhdukur nga rrebeshet e kohërave e çmenduritë e njerëzve në kohë më të vona, te marrëdhëniet shqiptaro-greke, te marrëdhëniet midis ortodoksisë dhe katolicizmit, te çështja e identitetit kulturor, fetar e etnik të Himarës e më gjerë se kaq.

Kjo po ndodh “çuditërisht”, pikërisht në prag të një ngjarjeje të rrallë në historinë shqiptare, në prag të Konferencës Botërore Ndërfetare për Tolerancën dhe Besimet, që për herë të parë do të mbahet këtë shtator në Tiranë.
Gjithë çështja, sipas mendimit tim, nuk është gjë tjetër veçse një konflikt i së drejtës historike me të drejtën formale.

Në emër të së drejtës historike, që do të thotë në emër të stërgjyshërve të lashtë, në emër të zërit të identitetit, po flasin e shkruajnë punëtorët e shkencës, dijetarët. Në emër të së drejtës formale dhe të frikës prej aktualizimit po flasin zëdhënësit dhe ca të tjerë, që as vetë nuk e dinë se ç’janë. E, meqë ca syresh nuk rrinë dot pa u marrë me gjithçka, kanë marrë përsipër të luajnë edhe rolin e mbrojtësit të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, që pas prishjes së atyre mureve, të ndërtuara sipas vlerësimit tim pa asnjë lidhje me vlerat arkitekturore e historike që duhet të mbartin e reflektojnë institucionet e kultit, “na qenkërka armiqësuar (çfarë idiotësie!) me shqiptarët! Fali Zot se s’din’ ç’ka bajn, do të thoshte Fishta nëse do të ishte gjallë.

Prej këtij rasti një gjë u bë e qartë: që xhelozia midis dy kishave është e papërfytyrueshme, që toleranca ndërfetare është shumë e brishtë dhe që autoqefalia noliane, për aq kohë sa çështja ortodokse të konsiderohet si çështje greke, realisht nuk është më autoqefali!

Bashkohem me idenë e shprehur më parë në këtë gazetë (jo vetëm për këtë rast) se do të ishte më e udhës që institucionet shtetërore, më parë se të ndërhyjnë për të prishur në funksion të përmirësimit, rikonstruktimit apo të rregullimit të ndonjë sheshi, rruge, lulishteje a gjithçka tjetër që ka të bëjë me administrimin e territorit dhe të hapësirave publike, të konsultoheshin projektet me komunitetin, me grupet e interesit, me përfituesit apo edhe qoftë me ata që mund të preken prej ndërhyrjeve të tilla të nevojshme e që bëhen gjithkund. E në rastin e Kishës së Dhërmiut, një praktikë e tillë, përveç dobisë e mirëkuptimit, nuk do të sillte ndonjë dëm.

Por, nuk mund të mos shpreh çudinë, për shembull, se pse nderimi për një klerik të lartë nuk ka ngjallur kurrfarë debati në Durrës, atje ku kishin kryeqendrën dhe kryetitullin; as në Vlorë, po vetëm në Himarë?!  Dhe në Himarë ata nuk ishin kryepeshkopë, por vetëm vizitatorë apostolikë.
Pakënaqësitë historike kishat mund t’ua shprehin njëra-tjetrës përmes hierarkisë së pranuar. Nuk ka pse të kthehen besimtarët në ushtarë. Sepse, sa herë është shenjtëruar konflikti, aq herë është dëmtuar besimi.

Shqiptarët janë popull me mend. Nuk mund e nuk duhet të lejojnë të paraqiten si njerëz sipërfaqësorë. Këtu nuk është fjala për një kishëz apo për një garazh. Le t’i braktisim lojërat e fjalëve. Thelbi është ky: e drejta historike duhet respektuar jo më pak se e drejta kanonike.
Shqiptarët dhe grekët kanë qenë këtu ku janë edhe sot e gjithë ditën, në krah e me njëri-tjetrin qyshkur “mali u bë mal e deti det”, pa e ditur se çfarë do të jenë më pas: katolikë a të krishterë, myslimanë apo ateistë.

Feja, pra edhe Zoti klasik, ka ardhur pas tyre e asnjëherë ata nuk janë prishur ndër vete për zot apo për fe, edhe kur të tjerët kanë dashur ta shkatërrojnë këtë realitet. Shqiptarët dhe grekët, duke përjashtuar shekullin XX, gjatë të cilit u shkatërruan tri perandori, u rikonfigurua harta e Ballkanit, u bënë dy luftëra ballkanike dhe dy luftëra botërore, vetëm beteja fjalësh kanë pasur-kur kanë pasur -midis tyre. Ndaj më duket, më e pakta krejt i pavend konstatimi se “…të kryesh me kaq lehtësi një akt që armiqëson komunitetin etnik grek me atë shqiptar në ato zona është një akt i papërgjegjshëm!”.

E para, nuk është kryer askund e prej askujt ndonjë akt që të armiqësojë ndokënd me dikë, e jo më të armiqësojë “komunitetin etnik grek me atë shqiptar në ato zona”. Nëse do t’i qëndrojmë logjikës së përfundimit të mësipërm, më e shumta që mund të thoshte autori do të ishte të shprehej se ai, pra “akti i papërgjegjshëm (kupto: i qeverisë!) mund të armiqësonte të krishterët besimtarë të asaj kishe me qeverinë, por kurrsesi grekët e “komunitetit etnik grek” me shqiptarët!

E dyta, në ato zona, pra në Dhërmi e Himarë, nuk ka e nuk ka pasur asnjëherë “komunitet etnik grek”! Madje, togfjalëshi “komunitet etnik grek” është i pavend, i gabuar, është lajthitje në objekt! Sepse edhe një prift që bëri një deklaratë nga Konica e Faikut tonë të madh (Faik Konica) u shpreh për minoritet etnik grek, e jo për komunitet etnik grek. Ndërkaq, nuk është vendi këtu të zgjatem me leksione leksikologjie për të shpjeguar diferencën kuptimore e përmbajtësore të termave “komunitet” dhe “minoritet”.

Në ato zona, pra në Dhërmi e Himarë, mund të ketë qytetarë minoritarë që banojnë aty siç ka të tillë edhe në Tiranë e gjetiu nëpër Shqipëri, por Dhërmiu e tërë katundet e Himarës nuk janë fshatra minoritare, janë katunde shqiptare qysh se dielli ka shndrit mbi ato brigje, ku natyrisht jetojnë edhe minoritarë, ku jetojnë në shumicë ortodokse shqiptarë, por ku banojnë edhe të tjerë joortodoksë. Ndaj, askush nuk ka të drejtë të shprehet për “komunitet etnik grek” atje ku Bajroni gjeti “të bijtë e Himarës”, në ato vise që janë referencë e patjetërsueshme e trashëgimisë sonë historike, atdhetare, kulturore dhe po aq edhe e trashëgimisë sonë të besimit.

E treta, po aq e rëndësishme sa dy të parat, ndër ato vise, përkatësisht në ato zona, pra në Dhërmi, në Himarë e në të gjithë Shqipërinë mbarë e kudo ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre, nuk ka kurrfarë armiqësie ndëretnike.
Në rastin e Kishës së Shën Thanasit ka vetëm një gabim, një kapërcim radhe. Duhej kthyer sipas praktikës ligjore më parë në monument kulture, e më pas të veprohej siç vepron çdo institucion në botën e qytetëruar për trajtimin dhe administrimin e monumenteve të tilla.

Por le të kthehemi te Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi. Shumë i referohen asaj, por secili pjesës që ka vetë në mendje. Cila kishë e Shën Thanasit? Ajo që ka ekzistuar prej shekullit XV? Ajo që gjetën Neofit Rodino në fillim e Nilo Catalano më pas në shek. XVIII? Kisha që u dhunua në vitin 1942, duke supozuar se në varrin e Catalanos kishte thesare? Kisha që u shemb në vitin 1972 dhe gurët iu përdorën për ndërtimet e kooperativës? Kisha që më pas u shpall monument kulture dhe më pas askush s’e di a doli dhe si doli? Kisha që u ngrit mbi kishë po aty në vitin 1992?

Shekulli XVII është shekulli kur Shqipëria u pagëzua me emrin që ka sot. Dhe, në respekt të së vërtetës, ky emër erdhi nga përtej detit. Është shekulli kur lidhen mes tyre: arbëreshë e arvanitë, pastaj këta me mërgatën shqiptare. Rilindja jonë ka ardhur nga mërgimi. Është shekulli i Voskopojës, është shekulli i Dhimitër Lekës, himarjotit, që për turpin e këtij vendi ka një poemë monument në kushtim të tij (Milosao), ka edhe një varr monumental në Napoli, por nuk ka asnjë shenjë kujtese në vendin e lindjes. Siç nuk ka as Nestor Muka-himarjoti që na bën të gjithëve kokulur për shpërfilljen tonë. Është shekulli i seminareve, kolegjeve, kishave-shkolla.

Duke lexuar librin e Fortlumturisë së Tij Anastas, kam gjetur një fakt shumë interesant; kryepeshkopi Kristofor që ndoroi kishën ortodokse në vitet e luftës, e kishte pranuar idenë e uniatizmit. Një përfaqësi e Kishës sonë Ortodokse ka qenë në zemrën e uniatizmit, në Grottaferrata, më 1940. Atëherë pse kaq alarm e frikë për lidhjet mes dy palëve të krishterësh? Andon Zako Çajupi ka shkruar se nëse Krishti e ka shpallur Ungjillin greqisht, unë nuk do ta besoja. Ndërkaq, do të shtoja se Fan Noli, i pari kryepeshkop i Kishës Autoqefale Shqiptare, bëri gjithashtu përpjekje për një bashkim kishash. Ai pati edhe pëlqimin e At Gjergj Fishtës, megjithëse ky nuk besonte në idenë e Nolit. Pra, çfarë nuk ishte tabu në vitet 1920, pse të jetë tabu sot?

Himara ka njohur një orientim të përcaktuar properëndimor që në fund të Mesjetës. Në vitin 1577, për herë të parë krerët e krahinës, kapedanët e Himarës dhe të Labërisë, “vecchi capi”, siç e quajnë veten parësia e Shqipërisë nën Vjosë, i drejtuan një letër Selisë së Shenjtë dhe i kërkuan mbrojtje nga Sulltani, duke u betuar solemnisht se tani e tutje do të njohin Papën si të vetmin apostullues të Krishtit mbi Tokë.

Lidhjet e Himarës me Mbretërinë e dy Sicilive, me Mbretin e Napolit dhe të Aragonës, me Firencen dhe Venecian, me Pjetërburgun dhe Poloninë nuk ndërpriten asnjëherë. Regjimenti himarjot i Dhimitër Lekës nderoi veten dhe Mbretërinë e Napolit në shek. XVIII. Vetëm kur Perandoria Osmane ndërmori reformat e Tanzimatit, Himara filloi të kërkonte lidhje tregtie me Korfuzin dhe ishujt jonianë, duke mos pasur shtigje të tjera jetese. Dhe kështu erdhi greqishtja edhe te Bollanot e Progonatit, që, siç e dëshmojnë arkivat dhe kultura materiale, ata u ngulën në Himarë 250 vjet më parë.

Edhe historia e emrave nga Himara na jep përmes etimologjisë më shumë dëshmi të krishtera sesa ortodokse. Mbiemrat Gjipali, Gjidede, Gjondeda, Gjiknuri, Gjikondi, Gjikopulli, Gjo(n)kutaj e shumë të tjerë vijnë prej traditës së emrave ungjillorë të krishterimit roman. Prandaj e ritheksoj se e drejta kanonike nuk mund të prevalojë mbi të drejtën historike.

Kisha si institucion dhe misionarët e saj duhet t’i paqësojnë marrëdhëniet mes njerëzve, qofshin ose jo besimtarë. Personalisht besoj se Fortlumturia e Tij, Anastas, që ka meritën e përkujdesit të ringritjes administrative dhe kanonike të Kishës Autoqefale Shqiptare, mund të luajë atë rol që ai di ta luajë fort mirë në përputhje me formimin dhe erudicitetin e tij, që debati për Kishën e Shën Thanasit, i cytur prej interesash që nuk kanë lidhje as me trashëgiminë kulturore e historike dhe as me fenë, të marrë fund si i tillë.

Askush nuk ka kërkuar të ndryshojë drejtimin e Kishës në Dhërmi apo në Himarë. Është kërkuar vetëm një gjë: Shqipëria dhe Himara të nderojë  ata misionarë arbëreshë që iu gjenden vendlindjes së etërve të tyre atëherë kur e kishte harruar jo Fanari, por Zoti vetë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura