INTERVISTA/ Kisha e Dhërmiut, Milo: Greqia të shohë hallet e saj

Aug 26, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Historiani i njohur, Paskal Milo, në një intervistë për “Panoramën” e ka quajtur si të tepërt ndërhyrjen e shtetit grek dhe reagimet e saj për ngjarjen në Kishën e Shën Thanasit në Dhërmi. Profesor Milo shprehet se shtetit grek duhet të merret me zgjidhen e halleve dhe problemeve të vendit të tij dhe të mos përzihet në çështje që nuk i takojnë.

PASKAL-MILO“Greqia nuk është dhe nuk mund të jetë tashmë ‘bartëse’ e të ‘drejtave’ kanonike bizantine. Mua më vjen keq që në vend që të ketë shqetësime të tjera, ka shkëmbime replikash të zëdhënësve për një çështje që nuk i takon fare politikës të ngatërrohet”, shprehet Milo.

Zoti Milo, Kisha e Shën Thanasit është shndërruar në një objekt sherri mes komunitetit të Dhërmiut, Kishës Ortodokse dhe pushtetit vendor dhe qendror. Çfarë historie mbart ky objekt kulti?
Kisha e Shën Thanasit është objekt kulti ndër shumë të tjera të kësaj natyre që ka pasur në të gjithë krahinën e Himarës. Janë me dhjetëra e dhjetëra kisha të kësaj natyre që tani u dihen vendet ku kanë ekzistuar, ose ka ende mure gjysmë të rrënuara, të cilat disa janë restauruar nga komuniteti ortodoks vendës. Gjithmonë këto kisha kanë mbartur jo vetëm thjesht ritin ortodoks dhe vlerat kulturore që lidhen me të, por në vetvete janë një reflektim i historisë së kësaj zone. Edhe Kisha e Shën Thanasit, siç dihet dhe siç është informuar këto ditë, ka qenë një kishë e vjetër, e cila ka një histori të veçantë për shkak se në të murgu Nilo Katalano ka kryer shërbime që u bënë edhe në gjuhën shqipe. Ky fakt historik ka qenë i njohur dhe tashmë ekzistojnë dokumente dhe libra të botuar për veprimtarinë e këtyre misionarëve, murgj katolikë të ritit lindor që erdhën dhe vepruan edhe në zonën e Himarës. Për rrjedhojë, kisha në vetvete është objekt me vlerë sa për komunitetin ortodoks në tërësi, aq edhe për kulturën kombëtare në Shqipëri. Duke qenë se ekziston kjo vlerë e dyfishtë e këtij objekti kulti që nuk është i vetëm në zonë, natyrshëm kërkohet një bashkëpunim midis Kishës Ortodokse Shqiptare dhe institucioneve përgjegjëse të shtetit shqiptar që kujdesen për administrimin e vlerave kulturore dhe të traditës.

A mendoni se është e qëllimshme që në muajt e verës ndodhin përplasje të tilla, ku politika krijon konflikte. Si e gjykoni ndërhyrjen për restaurimin e kësaj kishe nga komuniteti ortodoks?
Për mendimin tim është e tepërt, dhe pse jo e qëllimshme, që çdo muaj gusht në Himarë do të ndodhë diçka, kjo edhe për faktin se pikërisht në këtë muaj vijnë turistë dhe qytetarë për të pushuar, jo vetëm nga gjithë Shqipëria por edhe shumë e shumë të huaj. Kjo duhej të shndërrohej në festë, dhe këto kisha me vlerë të traditës sonë të ritit ortodoks duhet të shërbejnë si muze të gjalla për të promovuar traditën dhe kulturën tonë, historinë tonë. Duhet të bëhen pjesë e axhendës turistike për të tërhequr sa më shumë turistë të huaj, për të mos i lënë ata thjesht në buzë të detit, por për t’i njohur me të gjitha ato vlera që kjo krahinë ka dhe që, për fat të keq, ende Shqipëria dhe institucionet që merren me turizmin dhe me kulturën shqiptare nuk po bëjnë atë që duhet bërë, që t’u ofrojnë turistëve vlerat reale që kjo krahinë ka dhe s’i ka të pakta. Në vend që të bëhet kjo, bëhet sherr Dhe që me të drejtë duhet të jetë shqetësim edhe i komunitetit ortodoks, por edhe i institucioneve shqiptare. Mendimi im është që objekti i kultit duhet të bëhet përpjekje që të restaurohet në atë mënyrë që t’i afrohet sa më shumë realitetit, asaj çfarë ka qenë dhe jo të betonizohet dhe as të “modernizohet”, sepse bën një veprim krejtësisht të kundërt. Nga ana tjetër, mua më shqetëson fakti se krijohet një klimë aspak e mirë gjatë muajit gusht edhe nga ndërhyrja e politikës, ose nga keqpërdorimi i politikës në çështje të cilat mund të zgjidhen fare mirë, me mirëkuptim dhe me diskutim dhe pa bërë debate publike që s’i shërbejnë askujt. Nuk është e nevojshme që për një çështje të tillë, që është thjesht e komunitetit, e traditës kulturore, të ketë ndërhyrje, të ketë komente e deklarata dhe ndërhyrje zëdhënësish. Kjo për mendimin tim është një shenjë që akoma në vendet tona ka një ndërhyrje të palejueshme të politikës në komunitete, në emër të mbrojtjes së vlerave dhe traditave dhe riteve dhe në këtë rast të komunitetit ortodoks.

A mund të konsiderohet si ndërhyrje në çështje të brendshme të Shqipërisë, qëndrimet e njëpasnjëshme të palës greke për Kishën në Dhërmi?
Nuk është hera e parë që i kam bërë thirrje politikës, sidomos për çështjen e Himarës që tu largohen klisheve dhe trajtimeve të vjetra nacionaliste. Himara është pjesë e territorit Shqiptar. Që ka një komunitet që është krenar për traditën dhe vlerat e veta dhe që është gjithnjë mjaft sensibël kur i preken dhe cenohen këto vlera. Por në këtë rast nuk ka nevojë që një shtet fqinj dhe një qeveri e një vendi mik të marrë rrolin e avokatit për një çështje që i takon vetë komunitetit ta mbrojë dhe ta zgjidhë. Është e tepërt. Për më shumë që qeveria greke sot ka shumë halle dhe probleme të tjera të cilat nuk i lënë kohë që të marrë frymë, dhe të gjithë jemi dëshmitar. Dhe nuk duhet të bëj problem një çështje që nuk i takon. Greqia nuk është dhe nuk mund të jetë tashmë “bartëse” e të “drejtave” kanonike bizantine. Mua më vjen keq që në vend që të ketë shqetësime të tjera, ka shkëmbime replikash të zëdhënësve për një çështje që nuk i takon fare politikës të ngatërrohet.

Nga Fation Binjaku 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura