Kisha e Anila Zajmit, dhuratë Papa Françeskut për ditëlindje

Dec 21, 2014 | 11:23
SHPËRNDAJE

Anila N. Zajmi
Vepra e piktores shqiptare, me banim në Pulia, është përzgjedhur nga autoritetet lokale si e denjë për t’iu dhuruar Atit të Shenjtë në Vatikan. Piktura paraqet një kishë në Altamura

Kur u vendos para kavaletit për të pikturuar kishën, kur mbushi faqet e saj me dritë dhe kaltëroi qiellin, Anila N. Zajmi nuk e dinte se ajo vepër do të kishte një tjetër fat nga ai i çdo tabloje tjetër që kishte realizuar deri atëherë. Ishte një surprizë e vërtetë kur i kërkuan që piktura e saj t’i dhurohej Papa Françeskut, në përvjetorin e ditëlindjes së tij. Ishin drejtues të lartë të pushtetit lokal dhe specialistë të artit, në zonën ku ajo jeton, në Pulia, që i shprehën dëshirën për t’i dhuruar Papa Françeskut pikërisht një vepër të piktores shqiptare. Piktura e realizuar nga Zajmi, vajza e Piktorit të Popullit Nexhemdin Zajmi, është në punuar në vaj dhe paraqet një kishë të njohur në Altamura (Bari), në përmasa 90 me 50 cm. Ajo iu dorëzua Atit të Shenjtë në Vatikan pak ditë më parë.
Anila Zajmi bashkë me familjen jeton dhe punon prej shumë vitesh në vendin fqinj.

Piktura e Anila N. Zajmit dhuruar Papa Françeskut për ditëlindje
Veç pikturës, që është pasioni i saj dhe e ushtron në mënyrë sistematike, Anila është e angazhuar dhe punon në një atelie restaurimi në Altamura, ku u është dedikuar më së shumti restaurimit të ikonave, duke vijuar kësisoj profesionin që kishte edhe në Shqipëri. Anila Zajmi është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në vitet ‘80 dhe pas një eksperience të marrë në Paris, lidhur me restaurimin, ka punuar për shumë vite në Institutin e Monumenteve të Kulturës në sektorin e restaurimit. Gjatë periudhës së qëndrimit në Itali ka hapur disa ekspozita, ndër të cilat ajo në Romë pak kohë më parë.   
Anila është e martuar dhe nëna e një vajze, Lydras, e cila nuk ndoqi rrugën e së ëmës apo gjyshit të saj, që ka lënë pas një fond të çmuar në pikturë. E laureuar si inxhiniere mjedisi, ajo punon në Institutin e Mjedisit dhe të Ambientit në Bari. Ndonëse e larguar prej vitesh, Shqipëria mbetet pikë referimi për të. E njeh me pëllëmbë. Dikur, restauratore në Institutin e Monumenteve, ka shkelur në zonat më të thella për t’u kujdesur për trashëgiminë kulturore, për të restauruar mozaikë e afreske në kishat e harruara të Shqipërisë. Deti mbetet dashuria e saj. Do të ishte bërë një notare shumë e mirë, pasi e ka ushtruar me pasion këtë sport, duke përshkuar disa herë në ditë distancën Hekurudha – Iliria, në bregun e Durrësit. Por Anila zgjodhi të ecë në gjurmët e të atit e sot, një vepër e saj gjendet në Selinë e Shenjtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura