Kiço Mustaqi: 20 shkurt 1991… Ramiz Alia bënte thirrje për luftë

Feb 20, 2018 | 19:00
SHPËRNDAJE

Rrëfen ish-Ministri i Mbrojtjes: Ju tregoj se çfarë ndodhi ditën e rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës. Policia dhe ushtria ruajtën qetësinë, Arben Imami: Monumentin nuk e rrëzuam ne, e rrëzoi Ramiz Alia!

kico-rrezimi

Sot shënohen plot 27 vjet nga rrëzimi i përmendores së ish-diktatorit Enver Hoxha. Më 20 shkurt 1991, dhjetëra mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, monumentin e Enver Hoxhës, pak muaj pasi sistemi komunist që ishte në ditët e tij të fundit, kishte lejuar pluralizmin politik. Atë ditë (20 shkurt), Partia Demokratike kishte afërsisht dy muaj që ishte krijuar dhe në 31 mars do të mbaheshin zgjedhjet e para pluraliste. Ishte koha kur më shumë se 700 studentë ndodheshin në grevë urie, duke kërkuar ndër të tjera edhe heqjen e emrit të ish-diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës. Dhe për t’i paraprirë kësaj, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin kryesor të Tiranës dhe rrëzuan përmendoren e ish-diktatorit. Duke shënuar kështu një prej momenteve më të rëndësishme të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Pamjet e atyre ngjarjeve, në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare. Ditë të vështira… Ditë plot zhvillime, tension. Besim për një të ardhme më të mirë, por edhe frikë. Askush nuk e paramendonte se çfarë do të sillte e nesërmja. Rrëzimi i përmendores së ish-diktatorit komunist shënoi ndarjen me të shkuarën dhe fillimin e një epoke të re, atë të demokracisë. Sot, 20 shkurti përkujtohet si dita e kujtesës kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist, si edhe fundin e diktaturës në Shqipëri. Ja si e kujton ish-Ministri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi atë ditë. Një rrëfim i posaçëm për “Albanian Free Press”, përmes të cilit ai na sjell më afër momente të veçanta të saj…

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 Z.Mustaqi, data 20 shkurt 1991. Si e ruani në kujtesën tuaj rrëzimin e përmendores së ish-diktatorit Enver Hoxha? Dhe cili ishte skenari, sipas të dhënave tuaja të asaj kohe?

Ishin ditë shumë të vështira, ditë që edhe sot kur i kujtoj, më rrëqethet mishi. Ditë plot tension. Ditë të mbushura me ankth. Netë të tëra pa gjumë. Edhe ato pak orë që flinim, shtriheshim të veshur me uniformë. Atë ditë, ushtria ka treguar vlerat e saj më të larta. Po t’u referohemi informacioneve të atyre ditëve që i mbaj mend me saktësi edhe sot, skenari i zhvillimit të ngjarjeve ishte ky: Turmat e njerëzve që do të niseshin nga Qyteti “Studenti” do të merrnin së pari godinën e Radio- Televizionit dhe prej andej do të drejtoheshin në Kryeministri e në Komitetin Qendror të PPSH-së.

Në dritaret e zyrave të Adil Çarçanit, Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, nga krahu i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” do të vendosnin flamurët e Partisë Demokratike e pastaj, demonstruesit do të futeshin në Bllokun e Udhëheqjes për të shkatërruar banesat e “bllokmenëve”, një neologjizëm ky mjaft i përhapur ditëve të para të 1991-shit. Por turma prej 100.000 vetash (këtë shifër dha në mbrëmje një agjenci prestigjioze lajmesh), nuk mundi të hynte në godinën e Radio-Televizionit, ku nuk pati ndonjë incident. Lumi njerëzor, nëpërmjet rrugës së Elbasanit vërshoi në drejtim të sheshit “Skënderbej”, ku u rrëzua përmendorja.

Pastaj u kthye në bulevardin kryesor të Tiranës, duke thirrur: “Te Blloku! Te Blloku!”. Bulevardi ishte bllokuar nga tanket e Gardës së Republikës. Ramiz Alia mbaj mend se i kishte sugjeruar komandantit të Gardës, Dane Binajt, që t’i jepte efektivit vetëm municion manovre. Kur Dane Binaj e paralajmëronte turmën të zmbrapsej, se ndryshe do të hapte zjarr, drejtuesit e turmës bërtisnin: “Mos kini frikë, kanë predha manovre!”. Vetëm kur njëri prej tankeve shtiu në drejtim të plepave buzë Lanës dhe degët e plepave ranë përdhe, njerëzit e kuptuan se Dane Binaj e kishte seriozisht.

Atëherë, njëri prej drejtuesve të atëhershëm të PD-së, Neritan Ceka, u ngjit tek njëri nga tanket dhe me megafon i bëri thirrje turmës që të kthehej mbrapsht, çka edhe u bë. Në një nga pushimet midis seancave të Kuvendit, (prill 1991), i thashë Arben Imamit (në atë kohë deputet i PD-së), se “po të mos e kishit rrëzuar përmendoren e Enver Hoxhës, do t’i kishit fituar ju zgjedhjet”.

Dhe Arben Imami më dha një përgjigje që më vuri në mendime: “Monumentin nuk e rrëzuam ne, e rrëzoi Ramiz Alia. Ne kishim në plan ruajtjen e RTV-së, Komitetin Qendror, Kryeministrinë dhe Bllokun”. Po qe se të dy janë shprehur sinqerisht dhe me shqyrtimin edhe të fakteve që u përmendën më parë, atëherë mund të konkludohet se vërtet Partia Demokratike e konsideronte si kurth rrëzimin e përmendores së Enver Hoxhës dhe i ishte shmangur një lëvizjeje të tillë.

Pse si veproi Ramiz Alia më 20 shkurt? Çfarë udhëzimesh dha? Si u veprua?

Atë ditë, kushdo që ka ndjekur edhe televizionin, edhe gazetat e nesërme, Ramiz Alia theksoi se “janë vënë në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar”. Për Ramiz Alinë, 20 shkurti ishte “një nga ditët më dramatike e më të rënda në jetën e kryeqytetit”. Në një mesazh që u transmetua sidomos nga televizioni mbrëmjen e po asaj date, ai  do të jepte alarmin e madh se “janë vënë në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar”. Ramiz Alia ka thënë disa herë se ai dha urdhër të mos qëllohet kundër turmës, për të mos shkaktuar gjakderdhje e vëllavrasje.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai pretendoi në një intervistë (në korrik 1991), se Ramizi i dha urdhër të qëllonte, por ai nuk e zbatoi. Vetë Ramiz Alia ka deponuar edhe para hetuesit për këtë çështje. Në librin “Ditari i burgut” ai e riprodhon këtë deponim: “Kur demonstruesit dolën në sheshin “Skënderbej” dhe kishte gjasa që ata të sulmonin për të rrëzuar përmendoren e Enver Hoxhës, Hekuran Isai më mori në telefon: “Ç’të bëjmë?”. I them: “Sipas ligjit, kundër atyre që përpiqen të prishin monumentet, si edhe kundër organizatorëve të demonstratave të paligjshme, policia duhet të ndërhyjë. Mirëpo, a mund të bëhet kjo atje, në sheshin “Skënderbej”!? A mund të evidentohen organizatorët?”.

“Është e pamundur, -m’u përgjigj Hekurani, – në shesh ndodhen mbi 10.000 vetë, prandaj nuk mund të dallohen organizatorët, përveçse nëse bëhet kasaphanë”. Atëherë i thashë: “Kasaphana dhe gjaku nuk na nevojiten, prandaj përpiquni ta shmangni të keqen me mënyra të tjera. Kur mbërriti lajmi se përmendorja ishte rrëzuar, unë ndodhesha në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë dhe ua thashë edhe të tjerëve”.

Këtu Ramiz Alia gabon. Nëse Hekurani kishte vepruar kundër urdhrave, domethënë se ai nuk lejoi të përdoreshin armët, ndonëse e kishte urdhrin që t’i përdorte, atëherë gjëja më e thjeshtë që do të bënim ne, Ramizi apo çdo anëtar tjetër i Komitetit Qendror, do të ishte të thirrej Hekuran Isai e të jepte llogari apo t’i bëhej një vërejtje, siç e parashikonin rregullat e kohës. Mirëpo asgjë nga këto nuk u bë. Pse? Sepse të gjithë shokët e dinin se ishte mendim unanim i Komitetit Qendror që të mos përdoreshin armët kundër popullit. Kjo ishte vija e Partisë, jo e Ramiz Alisë.

Të ndalemi konkretisht në momentin kur u rrëzua përmendorja e Enverit. Si do ta komentonit atë moment?  Si ishte situata?

Ndoshta ishte momenti më i vështirë për Shqipërinë e dekadave të fundit. Momenti kur u rrëzua përmendorja e Enverit, ishte një moment tepër i rrezikshëm për Shqipërinë, sepse mund të përfundonte në një gjakderdhje, vëllavrasje. Ne ishim në gatishmëri, por nuk ishim në shesh. Atë moment që u rrëzua përmendorja ishim në mbledhjen e Komitetit Qendror. Me lloj-lloj mënyrash përpiqeshim të ndiqnim situatën me mjetet tona të informimit dhe komunikimit të asaj kohe.

Më vonë, pamjet e rrëzimit i pamë nëpërmjet televizionit. Si sot e mendoj atë ditë, pasi ishte një moment kur njerëzit ishin të revoltuar: njëra palë kërkonte rrëzimin, pala tjetër kërkonte mbrojtjen. Gjithkujt i kujtohet organizata “Vullnetarët e Enverit”, pra ishte një rrezik vëllavrasjesh në përmasa të mëdha …Në momente të tilla themelore të historisë ka gjithmonë njerëz që i kuptojnë proceset, ashtu sikurse ka edhe njerëz që nuk i kuptojnë. Prandaj dhe reagimet janë sipas mentalitetit të tyre.

Në fund të fundit, ishin masa të tëra njerëzish që dilnin dhe kërkonin një ndryshim rrënjësor të zhvillimit. Dhe nuk mund të mbrohej asgjë me armë; ajo vetëm do të ishte një katastrofë kombëtare dhe asgjë më tepër. Në rastin konkret, e vërteta mund të ketë pak rëndësi, po të merret parasysh se në mesazhin e 20 shkurtit, Ramiz Alia theksonte: “Tashmë ka dalë krejt e qartë që forcat antidemokratike kanë një strategji të përpunuar. Ata duan shkatërrimin e Shqipërisë. Ata duan të shkulin me rrënjë çdo gjë që kemi ngritur. Ata janë gati të profanojnë edhe varret e të parëve …Këto forca nxiten e shtyhen për të vepruar për interesa politike. Synimi i tyre është armiqësimi i masave me pushtetin popullor. Një lojë cinike po zhvillohet me ndjenjat e popullit’.

I gjithë mesazhi në fjalë i Ramiz Alisë karakterizohet nga një patetikë patriotike, që megjithatë mbart një ngarkesë të pazakontë konfliktuale. Ai gati-gati sa s’u thotë troç njerëzve: “Rrëmbeni armët për t’u treguar vendin atyre që arritën të rrëzojnë përmendoren, kushtuar themeluesit të shtetit tonë, Enver Hoxhës”.

Në një pasazh mjaft ekuivok Ramiz Alia theksonte: “I bëj thirrje popullit të marrë në dorë fatin e vet. Sot është dita të tregohet kush është patriot, kush e do me zemër Shqipërinë, kujt i dhemb mundi e djersa e derdhur, kush e do me të vërtetë demokracinë”. Bashkimi i fjalive është në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar, nga njëra anë dhe nga ana tjetër “Sot është dita të tregohet kush është patriot dhe e do me zemër Shqipërinë”, ishte mjaft i rrezikshëm dhe mund të interpretohej fare mirë si një thirrje që njëra pjesë e popullsisë të rrëmbente armët kundër pjesës tjetër që “luante me ndjenjat” e pjesës së parë…

Por në fakt nuk ndodhi asgjë.

Policia dhe ushtria u treguan tepër të kujdesshme. U treguan gjakftohtë dhe se ishin pjesë e popullit. Nëse revolta për rrëzimin e përmendores nisi në orën 11:00, në ora 14:00, si asnjëherë tjetër sheshi “Skënderbej” oshëtinte nga thirrjet për rrëzimin e saj. Populli brohoriste dhe hidhte parulla triumfuese, pranë vendit ku qëndronte akoma përmendorja e Enver Hoxhës. Ishte momenti i rrëzimit të saj. Më vonë pamë në televizor sesi një qytetar vendos litarin pranë gishtave të dorës së majtë e ulur poshtë, të përmendores së Enverit.

Protestuesit e shumtë tërheqin litarin dhe ndërkaq monumenti i derdhur në bronz prej 8 tonësh i Enver Hoxhës lëkundet dhe bie anash në drejtim të Muzeut Historik Kombëtar. Populli prej afro 100 mijë vetash, që ndodhej tek sheshi “Skënderbej”, filloi të përqafohej. Hekuran Isai, në atë kohë Ministër i Brendshëm, duke informuar për situatën e krijuar Ramiz Alisë, i thotë se megjithëse ka një ligj për mbrojtjen e monumenteve, në atë situatë nuk mund të shkohej ndryshe, deri në masakër ose në gjakderdhje ndaj popullit.

Rrjedha e ngjarjeve të ardhshme dëshmoi se taktika e Ramiz Alisë për të sensibilizuar masat në favor të regjimit komunist, me shpresën se iniciativa për konfrontimin do të merrej nga vetë këto masa, nuk ishte krejt pa bazë. Dominimi gjysmëshekullor i komunistëve nuk mund të fshihej brenda një dite nga ndërgjegjiet e njerëzve. Kjo vërehej më shumë në zonat ku PPSH-ja kishte pasur vazhdimisht influencën më të madhe dhe njerëzit kishin lidhje farefisnore e krahinore me spiralet e nomenklaturës.

Veç kësaj, në kushtet e paralizimit të vendit, e vetmja propagandë që arrinte tek masat ishte ajo që bëhej nëpërmjet radios e televizionit shtetëror. Megjithatë, përmendorja e Enver Hoxhës në qendër u rrëzua. Roli i Ramiz Alisë, tashmë dukej fare i zbehtë. Ai nuk kishte asnjë fuqi në drejtimin e shtetit. Roli i tij kishte përfunduar. De fakto, ai nuk ishte më një udhëheqës. Duket se pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, Ramiz Alia e kuptoi se ishte i izoluar, prandaj vendosi që edhe formalisht ta merrte në duart e veta drejtimin e pushtetit dhe u vu në krye të një këshilli presidencial që përbëhej prej 9 vetash.

Në këshill, me përjashtim të Fatos Nanos, emri i të cilit sapo kishte nisur të shkëlqente, gjithë të tjerët, ose qenë konservatorë të betuar, ose nuk kishin realisht asnjë lloj peshe në marrjen e vendimeve. Këshilli përbëhej, (veç Nanos) nga Haxhi Lleshi, ish-kryetari presidiumit të Kuvendit Popullor; Kleanthi Koçi, Kryetar i Gjykatës së Lartë; Kiço Blushi, shkrimtar; Lufter Xhuveli, pedagog, kryetar i partisë Agrare; Rexhep Meidani, pedagog; Minella Dalani, gazetar në pension; Xhenet Muço, ushtarak. Menjëherë pas krijimit të tij, Këshilli Presidencial lëshoi një deklaratë, ku kërcënonte se do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, nëse nuk vendosej rendi dhe qetësia publike.

Si do t’i cilësonit rrëzimet e monumenteve të Enver Hoxhës, të rastësishme apo ishin të orientuara ?

Kurrsesi nuk ishin të rastësishme. Kurrsesi! Konkretisht, fakti se rrëzimet e busteve në Tiranë, në Durrës, në Fier, në Korçë, Vlorë u bënë të gjitha rreth orës 11.00, na vuri në mendime. E diskutuam dhe në një rreth shumë të ngushtë në Shtabin e Përgjithshëm dhe gjykuam se kjo ishte bërë me orientim. Unë ende mendoj se ishte orientim nga Ramiz Alia. Pra, përshtypja ime ishte se ato qenë të organizuara.

Dhe meqenëse ishte kështu, kjo mund të ndodhte edhe Brenda në Shkollën e Bashkuar. Vrisja mendjen se çfarë duhej bërë dhe vendosa që edhe unë ta organizoja heqjen e shtatores nga shkolla. Kam thirrur shefin e shtabit e drejtorin e Xhenios e u kam thënë: “Unë akoma nuk kam marrë lejen e Ramiz Alisë, por do t’i marr leje dhe vetëm ju do ta dini. Në rast se na japin urdhër për ta hequr shtatoren e Enver Hoxhës nga Shkolla e Bashkuar, ti si drejtor i xhenios do të marrësh masa që në mëngjes atje të jetë bërë një lulishte, nuk dua që të mbetet gërmadhë”.

Pasdite mora Ramiz Alinë në telefon dhe i thashë: “Mesa duket, rrëzimi i busteve ka qenë i organizuar. Nëse është vënë në program që të rrëzohet edhe busti në Shkollën e Bashkuar, ne të marrim masa që në mëngjes të gdhihet lulishte“. Ai më bërtiti fort: “Si shoku Kiço ke mendimin të na heqësh komandantin e përgjithshëm?!”. Unë kuptohet, nuk i besova. Busti u hoq pas disa muajsh nga qeveria e stabilitetit, dhe nuk u hoq siç e mendoja unë.

ALUDIMI

“Ramizi ndoshta merrte raporte nga ndonjë burim tjetër”

Edhe dhe sot më duket paksa e çuditshme. Gjatë gjithë asaj kohe të tensionuar, nuk kemi komunikuar me njëri-tjetrin. Vetëm në mbledhjen e qeverisë, unë raportova se situata ishte e ndezur. Nuk më kujtohet, por nuk kam marrë asnjë lloj detyre. Ne kishim punën tonë, të cilën e kishim shumë të qartë. Ramizi ndoshta merrte raporte nga ndonjë burim tjetër, por unë nuk e di. Mua nuk më pëlqeu që brenda në Shkollën e Bashkuar ishte futur zëvendës-ministri i Brendshëm (Haredin Shyti) bashkë me kryetarin e PD-së të Tiranës dhe unë s’isha lajmëruar.

Dhe në një moment, kur pati një të shtënë tanku, shoku Haredin Shyri më mori në telefon: “Jam këtu me kryetarin e PD-së për Tiranën” e më bënte vërejtje për veprimin e tankut. Atëherë nuk m’u durua dhe i fola shumë ashpër, duke i thënë se “nuk jam në varësinë tuaj, kështu foli ministrit tënd, ç’punë ke me kryetarin e PD-së brenda në shkollë, ju merruni me policët përjashta, prandaj largohuni menjëherë, mos përfitoni nga mirësjellja e komandës së shkollës, etj”. Unë nuk mund ta kuptoj edhe sot e kësaj dite se përse MPB dhe degët në rrethe, për çdo gjë informonin PD-në apo i merrnin leje asaj, duke mos menduar se kështu viheshin më keq fitilat. Kështu ndodhi edhe në Shkodër e rrethe të tjera”.

Komentet për Shkollën e Bashkuar

 “Marshimi i efektivave të Shkollës së Bashkuar? Jo një iniciativë spontane”

 “Të nesërmen e rrëzimit të përmendores u hapën fjalë se efektiva të Shkollës së Bashkuar do të marshonin për në qendër të Tiranës, ku do të rivendosnin shtatoren e diktatorit që ndodhej në oborrin e shkollës. Por nuk ishte e gjithë Shkolla e Bashkuar. Nga ana tjetër, duhet theksuar se kjo nuk mund të ishte një iniciativë spontane, aq më tepër në një shkollë të tillë ushtarake, ku nuk diskutohej disiplina e hekurt.

Madje në një thirrje të efektivave të shkollave ushtarake të Tiranës drejtuar presidentit, partive politike dhe gjithë popullit, thuhej në fund se me përmbajtjen e thirrjes u njohën komandat e shkollave ushtarake dhe se janë plotësisht dakord. Kërkesa e parë e kësaj thirrje lidhej me Enver Hoxhën, për figurën e të cilit kërkohej që të përcaktohej me anë të një referendumi mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohej ashtu siç e do populli. Përmbajtja e thirrjes tingëllonte si ultimatum, dhe pati njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar se vendi po kërcënohej realisht me puç ushtarak.

Ja teksti i thirrjes:

“Efektivi i shkollave ushtarake Tiranë, bij të punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve të ndershëm, të shqetësuar seriozisht dhe indinjuar thellë nga veprimet kriminale dhe forcave të errëta, ndaj të cilëve partitë politike dhe shoqatat e ndryshme me deklarata janë distancuar prej tyre publikisht, por fatkeqësisht jashtë dëshirës dhe kërkesave të panumërta të popullit shqiptar, gjendja në vend jo vetëm nuk po qetësohet, por keqësohet gjithnjë e më shumë, ndaj kërkojmë:

  1. Figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli.
  2. Në kushte e demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe të pluralizmit politik, kërkojmë departizimin e ushtrisë.
  3. Kërkojmë që figura e ushtarakut të mbrohet me ligj ajo të jetë e paprekshme.
  4. Të zbatohet me rreptësi ligji për mbrojtjen e objekteve që kanë vlera ekonomike, sociale, kulturore, historike, që janë ndërtuar me gjakun dhe djersën e popullit.
  5. Kërkojmë që sot, më datën 22.2 1991, ora 17.00 përfaqësues të Presidiumit, të partive politike, të Ministrive të Mbrojtjes e të Punëve të Brendshme, si dhe të mjeteve të propagandës, Radiotelevizionit, organeve , organeve të shtypit të takohen me studentët dhe kuadrot e shkollave ushtarake. Takimi do të bëhet në sheshin e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve ‘Enver Hoxha”.
  6. Radio-Televizioni të kalojë nën drejtimin e Këshillit Presidencial dhe të japë informacion të plotë për gjendjen në shkallë vendi dhe jo vetëm për ato çka zhvillohen në Tiranë.
  7. Efektivat e shkollave ushtarake në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha partive politike, organizatave dhe subjekteve të ndryshme të largohen nga fjalët e deklarata e mëdha dhe të ulen me masat e popullit për t’u siguruar atyre qetësinë dhe stabilitetin në vend, për t’i ndërgjegjësuar me qëllim që të kapërcehet pa dhimbje e gjak situata e rëndë që është krijuar”.

AFP.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura