“Këto janë bëmat e Rusisë”- SHBA refuzon thirrjen e Putinit për heqje të sanksioneve në këmbim të drithërave

May 27, 2022 | 8:51
SHPËRNDAJE

putiniShtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesën e presidentit rus, Vladimir Putin që Perëndimi të heqë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë.

Sipas Kremlinit, Putin i ka thënë kryeministrit italian, Mario Draghi se Rusia do të nisë anijet me ushqime dhe pleh, për të zbutur krizën për ushqim në gjithë botën, mirëpo vetëm nëse “marrin fund masat e motivuara politikisht, të zbatuara nga Perëndimi”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se eksportet e drithit nga Ukraina do të mund të nisin nëse hiqen sanksionet ndaj Rusisë.

Megjithatë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka thënë se bllokada detare e Rusisë ka bllokuar disa tonë të produkteve, dhe jo sanksionet.

Sipas saj, nuk ka diskutime për heqje të sanksioneve.

“Nuk ka bisedime. Kjo është e bëmë e Rusisë”, ka thënë ajo.

Rusia duhet të ndalë “menjëherë luftën e saj në Ukrainë”, e cila është duke ndikuar në sigurinë globale të ushqimit, ka thënë Jean-Pierre.

“Rusia është duke bllokuar vazhdimisht eksportet e ushqimit nga portet ukrainase dhe është duke rritur urinë në botë”.

Rusia dhe Ukraina janë eksportuese të rëndësishme të drithërave, andaj luajnë rol të rëndësishëm në zinxhirin e furnizimeve.

Në javët e fundit, komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Rusisë që të mundësojë eksportin e grurit ukrainas.

Mirëpo sipas Kievit, marina ruse është duke bllokuar portet ukrainase në Detin e Zi.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për shantazh dhe i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos heqë sanksionet derisa Rusia t’i japë fund luftës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura