“Këtij Parlamenti i erdhi fundi, po na tallin të huaj e shqiptarë”

May 5, 2016 | 12:41
SHPËRNDAJE

Deputeti Ben Blushi ka mbajtur një fjalë të ashpër sot në Parlament, një ditë pas një mesazhi shumë të qartë që dha ambasadori amerikan Donald Lu në komisionin e reformës në drejtësi, ku iu drejtua të gjithë klasës politike shqiptare që të miratojnë pa vonesa draftin e përfunduar tashmë nga ekspertët, teksa tha se duhen lënë tani menjëherë lojërat politike.

Deputeti i PS, Ben Blushi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me arrestimin e Emiljano Shullazit dhe kercenimet ndaj kandidatit per rektor ne Universitetin e Tiranes, Mynyr Koni./r/n/r/nLawmaker Ben Blushi, speaks during a parliamentary session.
Deputeti i PS, Ben Blushi, duke folur gjate nje seance parlamentare

FJALA E BEN BLUSHIT

 

Është totalisht e pazakonshme, për thirrjen nga ana e ambasadorëve të BE dhe SHBA të tre grupeve tona parlamentare. Që nga viti 1914 kur fuqitë e mëdha sollën një administrator për të administruar Shqipërinë për shkak se ne nuk kishim mundësi të vetëorganizoheshim dhe nuk ushtronim dot sovranitet, ndoshta nuk ka pasur ditë më të turpshme për ne.

Por nëse në vitin 1914 s’kishim fuqi të ushtronim sovranitet sot është shumë më keq se kaq, sepse me dyshimin e arsyeshëm se klasa politike shqiptare s’do dhe po e saboton qëllimisht reformën në drejtësi ambasadorët e BE dhe SHBA kanë vendosur të mbledhin grupet tona parlamentare për tu përcaktuar jo vetëm punën por edhe orarin e punës, ditën e premte siç thonë. Në një kuptim ata kanë vendosur ta mbledhin parlamentin e Shqipërisë jashtë kësaj salle.

Ka njerëz këtu që jam i bindur se nuk u thotë asgjë, siç ka njerëz në 100 vjet që kanë qenë më qesharak se kaq. Prandaj edhe Shqipëria është bërë një vend qesharak siç është. Por në një kuptim edhe në çdo kuptim nga kjo ditë sipas mendimit tim ky Parlament ka humbur legjitimitetin e vet dhe sot sovranitetin që ka. Fatmirësisht, ajo që po ndodh është se të huajt apo ndërkombëtarët nuk po na lënë vetëm.

Megjithatë kjo mbështetje për reformën në drejtësi dhe në fakt për qytetarët shqiptarë sigurisht që ka një çmim. Kush është çmimi? Çmimi është tallja me ne, çmimi është çmontim i këtij Parlamenti, përçmimi i kësaj klase politike, çmimi është ndëshkimi i kësaj politike, edhe ne fund fare është shfarosja si specie e kësaj klase politike.

Në qoftë se nuk e kuptoni duhet ta dini se jemi shumë afër shfarosjes, proces të cilin shqiptarët nuk e bënë dot me votë, siç seleksionohen në mënyrë natyrale speciet. Mesa duket kjo do bëhet përmes reformës në drejtësi. Por siç besoj shumica e shqiptarëve do ta aprovonin, Shqipëria do të jetë më mirë kur ne të ikim.

Pyetja është a është ky çmimi i merituar? Nëse pyesim shqiptarët besoj se janë të gjithë dakord. Ne e meritojmë të tallemi dhe të nëpërkëmbemi siç po ndodh. Shqiptarët sidoqoftë në fund fare kanë shpresë dhe besim se kalsa e tyre politike do të ndëshkohet pasi ka rezistuar për shumë kohë duke sabotuar drejtësinë në Shqipëri.

Reforma në Drejtësi mund të kalojë dhe ndoshta do kalojë, çka mund ti japë shpresë shumicës së njerëzve në Shqipëri se me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë pronat e tyre nuk do vidhen, pyjet nuk do shkatërrohen, deti nuk do falet, stadiumet me majucë nuk do ndërtohen më, të ardhurat nuk do përgjysmohen dhe në fund fare jeta në Shqipëri mund të jetë pak më e drejtë dhe shumë më cilësore.

Reforma në Drejtësi në qoftë se miratohet siç mesa duket do miratohet mund të shërbejë për të ndalur shpopullimin e Shqipërisë dhe zbrazjen e vendit nga qytetarët e vet çka ka ndodhur në 25 vjet. Meqë e përmenda vitin 1914 dua ti rri këtij krahasimi dhe tu them se ndoshta nëse fuqitë e huaja, miqtë ndërkombëtarë do të marrin në dorë drejtësinë në Shqipëri kam shumë shpresë se politika esadiste në Shqipëri të shterojë.

Ky Parlament në Shqipëri, sipas meje, shumë shpesh ka qenë Esadist, çdo ditë ka qenë Esadist. Ai ka ecur me këmbëngulje 25 vjet në rrugën e Esad Toptanit dhe të jesh Esadist do të thotë të jesh kundër interesit kombëtar, do të thotë të jesh kundër interesit publik, do të thotë të jesh kundër atyre që vuajnë, do të thotë të jesh kundër atyre që janë të pabarabartë, do të thotë të jesh kundër atyre që nuk marrin drejtësi.

Të jesh Esadist do të thotë në fund fare të jesh kundër Shqipërisë. Por siç dëshmon historia që ja vlen ti kthehemi pas, Esadistët apo Esad Toptani nuk ikte dhe nuk përkulej nëse ndërkombëtarët nuk futeshin në lojë siç po ndodh edhe sot. Ky Parlament si besnik i parimeve esadiste sigurisht që po shënon fundin e vet me ndihmën e partnerëve ndërkombëtare. E shikoni çfarë shëmtie, ku e solli veten ky Parlament?

Ambasadorët vijnë në grupet tona parlamentare për të na bindur se duhet të bëjmë drejtësi. Në sytë e shqiptarëve dhe të botës kjo do të thotë troç që ne nuk duam të bëjmë drejtësi por po detyrohemi të bëjmë reformën në drejtësi. Çka në fakt është e vërtetë, të paktën si perceptim. Kjo është një ndihmë me të cilën provohet se Parlamenti i Shqipërisë nuk ka as fuqinë, as dinjitet, as mundësi për të bërë atë që duhet dhe atë që pritet prej tij.

Sot ne po tallemi dy herë si klasë politike: një herë po tallemi nga ndërkombëtarët dhe herën e dytë nga shqiptarët të cilët kanë të gjitha arsyet të besojnë se ky Parlament e ka konsumuar orën e vet të fundit dhe ka ardhur koha të ikë në shtëpi.

Grupet tona parlamentare sot duhet të skuqen. Unë nuk do të doja të isha pjesë e asnjërit prej këtyre tre grupeve. Megjithatë kjo klasë politike e meriton deri në fund këtë tallje dhe ky do ishte fundi i vet më i denjë dhe më i arsyeshëm. Siç do thoshte Curçilli në këtë rast “ky nuk do ishte fillimi i fundit, ky do ishte fundi i fillimit”. Të huajt po i heqin mundësinë kësaj klase politike të caktojë gjyqtarët dhe prokurorët e vet çka ka ndodhur për 25 vjet. Për ta përfunduar dua të them se mesa duket koha e esadistëve esadistë ka përfunduar.

 


Ben Blushi ne parlament per reformen ne drejtesi by gazeta-panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura