Këtë muaj pritet të nisë vaksinimi për personat nën 65 vjeç! Sot dërgesa e radhës nga “Pfizer”

Mar 1, 2021 | 8:27
SHPËRNDAJE

Në mars pritet të nisë vaksinimi edhe për personat nën 65 vjeç. Ministrja Manastirliu tha dje se brenda 10-ditëshit të parë të marsit do të mbërrijnë 14 mijë doza vaksine nga kompania “AstraZeneca”.

vaksina-covid-shqiperi

Në disa shtete kjo vaksine nuk është pranuar për shkak të efektshmërisë së ulët te mosha e tretë, ndërsa në disa të tjerë është pranuar, por duke caktuar pragun 65 vjeç. Çka do të thotë se “AstraZeneca” nuk mund të aplikohet te të gjithë, por vetëm te grupmoshat nën 65 vjeç. Nga ana tjetër sot pritet të mbërrijë edhe dërgesa e tretë nga kompania amerikane “Pfzier”. “Ndërkohë, ne presim 15 mijë vaksina ditën e nesërme. Dhe brenda 10- ditëshit të parë 14 mijë vaksinat e ‘AstraZeneca’-s nga instrumenti ‘Covax’, ku do të fillojmë vaksinimin edhe nën 65 vjeç, sigurisht me targetin e përcaktuar nga ISHP-ja”, tha Manastirliu nga ambientet e stadiumit Arena ku prej javësh ka nisur edhe procesi i vaksinimit.

PLANI

Në planin e vaksinimit përcaktohet që brenda kësaj faze përpjekjet do të fokusohen te personat nën 65 vjeç, të cilët kanë probleme të caktuara shëndetësore që ndikojnë në përkeqësimin e sëmundjes COVID-19 dhe personave obezë, ku prioritet do t’u jepet atyre të cilët kanë më shumë se një sëmundje. Ndërkohë që, “në varësi të sasisë së disponueshme të vaksinave, në këtë fazë do të vaksinohen edhe punonjës të shërbimeve kritike për shoqërinë, si p.sh. mësues, edukatorë, forcat e rendit, etj.”, thuhet në dokument.

FATALITETET

E diela ka regjistruar një tjetër ditë me bilanc tragjik viktimash, si pasojë e COVID-19. Në harkun e 24 orëve të kaluara kanë humbur betejën me sëmundjen 21 persona. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 21 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 9 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Kurbini, 2 qytetarë nga Berati, 1 qytetar nga Tepelena, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Peqini, 1 qytetar nga Erseka, 1 qytetar nga Librazhdi, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Dibra, 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 50-91 vjeç”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Fundjava po ashtu ka sjellë shtim të numrit të pacientëve që po marrin mjekim në spitalet COVID. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 662 pacientë, 49 në terapi intensive, nga të cilët 14 pacientë janë të intubuar. Lidhur me rastet e reja, të dielën janë raportuar 952 persona të konfirmuar pozitivë nga rreth 3800 testime të kryera. Ndërkohë në të gjithë vendin, numri i të infektuarve aktivë ka shkuar në 35,598.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura