“Këta do të të marrin jetën”, rrëfehet vëllai i Zhaneta Josifit: Bisedat e fundit me motrën dhe mbesat. Blerta në spital më tha…

Jul 6, 2020 | 18:00
SHPËRNDAJE

Vëllai i Zhaneta Josifit, Selman Fejzo, personi që lajmëroi Policinë ditën kur u zbulua ngjarja, tregon detaje nga takimet me motrën dhe mbesat e tij.

Në një intervistë për “News 24” Fejzo pohoi se mbesën e tij të ndjerë, Anisën, nuk e kishte takuar që prej 2 vitesh, duke shtuar se nuk ishte në dijeni se çfarë sekti ndiqnin ato konkretisht. “Anisa nuk dilte sa here shkonim në shtëpi. Na thoshin: ‘Anisa është në shtëpi, po lexon e po fle’.

Nuk na shkonte kurrë mendja që do të ndodhte kjo gjë. Nuk kam informacion në cilin sekt fetar ishin përfshirë. Vajzat ishin me shkollë të lartë, vetëm e ëma punonte”, tregon ai. Daja i dy vajzave, pohoi se interesohej shpesh nëse kishin probleme apo kërcënoheshin nga dikush. Ndër të tjera, ai tha se bashkëshorti i motrës së tij ishte vetëvrarë para 16 vitesh, pasi i kishte rënë një trombozë, ndërsa ishte hedhur nga kati i katërt i një pallati. Selman Fejzo shprehet se një muaj para se ai të shkonte në Polici, atje kishte qenë edhe kunati i Zhanetës.

Ndërsa efektivët kishin shkuar në shtëpinë e Zhaneta Josifit dhe pasi ajo kishte dalë te dera, bashkë me njërën nga vajzat, Blertën, e cila mbijetoi, janë larguar duke thënë se gjithçka ishte në rregull. Por Selman Fejzo e sheh me rezerva këtë mosveprim të Policisë, pasi ai thotë se atyre u ishte thënë se ishin tre pjesëtarë të familjes dhe në fakt ata kanë parë vetëm dy.

“Ka shkuar Policia dhe i kanë dalë të dyja, motra me vajzën që jeton. U kanë thënë që ishin aty. Për këtë kam shumë vërejtje. Ne Policisë i kishim thënë që ato janë tri, pse nuk e çuan punën deri në fund?”, shprehet Fejzo. Gjithashtu, ai ka edhe një lutje, që kjo ngjarje të zbardhet sa më shpejt. Sipas tij, duhet zbardhur që të shpëtohen jetë të tjera.

Ju jeni personi që lajmëroi Policinë, cilat ishin arsyet që trokitët në dyert e Policisë së Shtetit?

Ne kishim shumë kohë që po hynim në shtëpi, por nuk na e nxirrnin vajzën. Na thoshin: “Po lexon, po fle në dhomë”. Ne e dinim që ato kishin librat e këtyre…, na thoshin t’i linim se do të dilnin. Vajti kohë e gjatë. Meraku jonë ishte i madh, se nuk e dinim ku kishte shkuar vajza. A e mashtruan vajzën dhe e morën? A na e vranë? Kishim merak. Shkoja unë, shkonte motra, shkonte gjithë fisi dhe pyesnin se si kishte mundësi që Neta (Zhaneta) po bënte këtë punë. Për të hyrë, hynte motra, hynim të gjithë ne, po s’na shkonte mendja kurrë. Ku nuk na shkonte mendja. U detyruam pastaj dhe kam vajtur në Polici. Ka vajtur fillimisht kunati i motrës para një muaji. Ka shkuar Policia dhe i kanë dalë të dyja, motra me vajzën që jeton. U kanë thënë që ishin aty. Për këtë kam shumë vërejtje. Ne Policisë i kishim thënë që ato janë tri, pse nuk e çuan punën deri në fund.

Pra, Policia trokiti në derën e tyre dhe u largua?

U largua dhe na dhanë përgjigje që ato ishin mirë. Ne prapë merakun e kishim shumë të madh. Motra shkonte prapë, se e kishte një pallat më lart. Na ndodhi një vdekje dhe ikëm në Përmet. Motra ndenji dy ditë atje dhe vajta unë pastaj. I rashë derës, po nuk ma hapi. I rashë prapë më fortë, prapë nuk ma hapi. Atëherë u detyrova dhe vajta në Polici.

Çfarë i kërkuat Policisë?

I shpjegova si e kishim hallin. Ju thashë që kishim shkuar aty edhe para një muaji. Ai shefi që ishte aty më tha që do të pyeste. Pas pak, për fatin tim, vjen shefi i Krimeve, Islam, nuk ia di mbiemrin, të cilin e falënderoj se prej atij e kam jetën e vajzës, Blertës. Ai më pyeti si ishte puna dhe unë ia sqarova të gjitha. “Ç’ keni pritur?”, më tha. I thashë që e kishim bërë edhe më përpara problem këtë punë. “Do të shkosh të trokasësh në derë, të dëgjosh çfarë do të thonë dhe pastaj do të më vish prapë këtu”, më tha. Unë veprova siç më tha ai. Shkova, nuk m’u përgjigjën. Mora në telefon motrën në Përmet dhe ajo erdhi urgjent. Shkuam në Polici. Njëri nga aty më thotë: “Ore, po nuk do që të takohet”. I thashë të mos më fliste ashtu, por të merrte në telefon shefin, se kisha biseduar me atë. E mori Islamin dhe ai pastaj i dha drejtim punës.

Kur është hera e fundit që ke pasur kontakt me Anisën?

Dy vjet. Që nga viti 2018, asnjë lloj kontakti.

Si justifikohej Zhaneta kur ju e pyesnit për vajzën?

Më thoshte që ishte matanë, po lexonte, po flinte. Ja kështu më thoshte Zhaneta. Me buzëqeshje, s’ta jepte përshtypjen fare. Nuk vinte një erë sa herë që shkonim ne aty. Se po të vinte ndonjë erë, edhe ne do të bënim diçka.

Pra, ju nuk vutë re asgjë të dyshimtë gjatë gjithë kohës?

Asgjë. Asnjë gjë të dyshimtë.

Po Blerta çfarë thoshte?

Fjalët e së ëmës.

Pse mendoni se shkuan deri në këtë veprim?

Nuk e marr vesh. Se kush i vuri në dorë që arritën deri në këtë pikë, nuk e di.

Nga feja?

Me patjetër. 100 për qind. Nuk u mungonte paraja, më shumë se ne madje. Se kanë pasur toka, i kanë shitur. Kanë shitur pjesën e shtëpisë që kishin atje. Nuk u ka munguar kurrë përkrahja jonë. Pasi i vdiq i shoqi, e kam marrë dhe e kam sjellë këtu, me motrën e vëllain. E kemi paguar shtëpinë me qira për 6 vjet si fillim, se pastaj shiti tokat dhe kishte para. Pra, nuk ishte në këtë gjendje.

Po me Blertën kur keni kontaktuar për herë të fundit?

Nga marsi. Pastaj u nevrikosa. U nevrikosa kaq shumë sa doja të shpërtheja, por nuk e bëja dot, sepse më thoshin të gjithë të mos bëja këtë gjë, se “do të futesha brenda”.

Keni ndonjë ide se cilin sekt fetar ndiqnin?

Nuk më thoshin gjë. As nuk më thoshin, as nuk donin që ta zinin me gojë. Për këtë gjë unë i bëj thirrje mediave që ta nxjerrin kokën. Nuk është puna se iku mbesa dhe motra ime, por këta do të marrin jetë. Do të marrin shumë jetë të tjera. Ato ikën, unë i varrosa, uroj ta kem me jetë këtë që jetoi, por që…

E keni takuar Blertën në spital?

Po, tani erdha. Tani ajo është me mendjen e saj, ende nuk është qetësuar. “Na keni munguar shumë. Nuk e di se si kemi arritur në këtë gjendje”, më thotë. Ajo ka qenë në botën e saj. Kanë qenë vajza me shkollë të lartë. Kanë qenë shumë të zgjuara. I kanë mashtruar dhe i kanë gënjyer vetëm se kanë qenë vajza shumë të ndërgjegjshme.

Si ka qenë jeta e Zhanetës përpara se të ndodhte kjo mbyllje?

Jeta ka qenë shumë e mirë. Ne shkonim shumë mirë para se të ndodhte kjo. Zhaneta punonte si pastruese. Vajza e madhe ka qenë inxhiniere elektronike në një kompani telefonike. Nuk e mbaj mend se sa vite ka punuar aty. Ka qenë nxënëse shembullore, sa pa mbaruar ende shkollën, e kanë marrë në punë. Vajza tjetër ka mbaruar Ekonomikun. Edhe ajo ka punuar.

Kur filluan të ndryshonin?

Mbasi u shkri kjo kompania ku punonte inxhiniere vajza e madhe, e cila qëndroi për 1 vit në asistencë. Pas asistencës ka filluar kjo punë.

A keni dijeni nëse shkonte ndonjë njeri nga sekti fetar që ato ndiqnin që t’i takonte në shtëpi?

Si e pamë këtë punë që po ndodhte kështu, unë fillimisht mendova mos ishte ndonjë djalë. Ndonjë i dashur që u ka bërë presion. Se vajza të reja, dhe mendoja se kanë frikë të dalin. U shkoja aty dhe nuk u shkoja në shtëpi, por i prisja në kafe poshtë. I merrja vajzat dhe u thosha të shikonin për ndonjë punë tjetër, meqë ajo punë kishte ikur. “Përse nuk dilni? Të punojë mami dhe të rrini ju pa punë?”, u thosha. “Mos ju detyron njeri? Mos dashuroni ndonjë dhe keni ndonjë farë presioni? Më thoni se ua zgjidh daja”, u thosha. “Jo, dajë, s’kemi asgjë. Do dalim, do punojmë, do pimë kafe. Asgjë nuk kemi”, më thoshin.

Po babai i vajzave, bashkëshorti i motrës suaj, çfarë përfaqësonte?

Llukë Josifin, përveçse e kisha kunat, unë e kisha shok të ngushtë. Kemi qenë moshatarë, jemi rritur bashkë. Ai ka qenë mësues në Benjë. I ndodhi një fatkeqësi, i ra trombozë. E sollëm në Tiranë dhe ia prenë dorën 2-3 herë. Ai kishte trashje gjaku dhe ishte koha që nuk gjendej ilaçi. Pasi ia prenë dorën deri lart, ai u prek emocionalisht, sepse kishte shumë shokë, njerëz që e njihnin, ishte shumë i dashur. Më vonë e kapi një paralizë në gjysmën e fytyrës. Unë shkova ta merrja, i thashë të ikte nga Përmeti dhe të merrte shtëpi në Tiranë, sepse jemi më afër doktorëve. Në fillim më tha se nuk vinte dot, pastaj më tha që do të mendohej. Pas pak kohe ndodhi që ai u hodh nga kati i katërt, jo nga pallati i tij, por në një pallat tjetër. Kjo ka ndodhur para 16 vitesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura