Këshilltari i Sarkozy-së: Si i bëj bashkë muzikën dhe politikën

Dec 15, 2015 | 13:32
SHPËRNDAJE

Bizet, Liszt dhe Franck. Me vepra të këtyre autorëve, ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dirigjenti politikan Lionel Stoleru.

Ministër i Mitterrand-it dhe bashkëpunëtor i Sarkozy-së, Stoleru tashmë i është dedikuar pasionit të tij për muzikën. Ky pasion e solli në Tiranë në një koncert, së bashku me pianisten Miranda Deliallisi, e cila zhvillon karrierën e saj në skenat franceze.

Deri ne vitin 1991, ai ka pasur një karrierë shumë të pasur në fushën ekonomike dhe politike, duke qenë, përveç të tjerave, ministër në Qeverinë e Mitterrand-it, por edhe këshilltar ekonomik për Presidentin etj.

Stoleru dhe Sarkozy
Stoleru dhe Sarkozy

Përveç diplomës në fushën ekonomike, ka edhe diplomën për dirigjim nga Universiteti i Stanford-it dhe momentalisht zhvillon një aktivitet të pasur muzikor me orkestrën e themeluar nga vetë ai, e quajtur “Orkestra Romantike Europiane”.

“Në Paris kemi bërë dy apo më shumë koncerte, dhe na lindi ideja që të bënim një koncert edhe në Shqipëri. Kam dirigjuar shpesh orkestra nga vende të Europës Lindore dhe Perëndimore, por nuk e kisha pasur ende rastin për të drejtuar një orkestër në Shqipëri. Kemi përgatitur një program me vepra të njohura nga publiku, por edhe të panjohura”, u shpreh dje në një konferencë për shtyp Lionel Stolery.

Sa i përket bashkëjetesës së artit me politikën, ai thotë se përpiqet të “bashkojë disa gjëra në jetën e tij: politikë, ekonomi dhe muzikë”.

Lionel Stoleru, dje në TKOB
Lionel Stoleru, dje në TKOB

“Nga ana politike kam qenë disa herë ministër i qeverive franceze, edhe vazhdoj që të punoj ende me Sarkozy-në për zgjedhjet. Ndërsa nga ana muzikore, drejtoj orkestrën në Paris. Ta them ndershmërisht, muzika më sjell më shumë kënaqësi sesa politika, por në demokraci duhet që të marrësh pjesë në jetën publike të vendit. Në teori, muzika dhe politika duhet të kishin të njëjtin objektiv, që do të thotë lumturia e njerëzve, por në praktikë është paksa ndryshe. Nuk besoj se ka aq gjëra të përbashkëta, në mos bëhet fjalë që duhet të drejtosh dhe duhet që t’i bësh edhe ata të jenë pjesë e një projekti. Përpiqem që mos të jem një shef diktator, që mos t’u imponoj të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë, që të mos jap urdhra, por që të marr pjesë dhe të përshtatem me atë që më kërkojnë apo më thonë muzikantët”, u shpreh ai, me shpresën që bashkëpunime si ai i sotshmi të ketë edhe më tej.

Sa i takon anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ai u shpreh: “Mendoj se është shumë e rëndësishme, që Shqipëria të vazhdojë negociatat me Europën. Unë mendoj se Shqipëria duhet që të jetë natyrshëm pjesë e Europës. Sigurisht që duhet parapërgatitur hyrja, sepse ndryshe do të ndodhë sikurse me Greqinë, që gjërat nuk shkuan aq mirë. Janë bërë disa punë, dhe unë do të dëshiroja që Shqipëria të ishte pjesë e Bashkimit Europian”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura