Këshilltari i Ramës ashpërson gjuhën: ‘Kumanova’, është situatë e fabrikuar. Partitë shqiptare në Shkup kanë falimentuar

May 14, 2015 | 20:15
SHPËRNDAJE

“Të them të vërtetën, është shumë vështirë të reagosh në këto situata kur nuk është e qartë se çfarë po ndodh”. Kështu shprehet Shkëlzen Maliqi, këshilltar i kryeministrit Edi Rama për Rajonin. Në një intervistë për “GSH”, ai shprehet se partitë shqiptare në Shkup kanë dështuar dhe se BDI-ja, nëse s’është e përfshirë në aferat e qeverisë, duhej të kishte dalë prej saj. Maliqi, ndalet edhe tek arsyet pse Rama dhe Thaçi duhej ta shtynin vizitën në Tetovë dhe thekson se për të, paçka asaj që ndodhi, Maqedonia nuk do të shpërbëhet.

 

Këshilltari i Kryeministrit Rama për rajonin, Shkëlzen Maliqi

Prej ditësh Kumanova është kthyer në qendër të vëmendjes së të gjithë shqiptarëve por edhe të arenës ndërkombëtare. Ju, si e shihni situatën, pse erdhi kjo situatë?

 Është një situatë pak a shumë e fabrikuar, por shumë e paqartë se kush e fabrikoi në këtë mënyrë që të gjithë të jenë në dyshim në këtë histori. Është diçka që po ndodh periodikisht: çdo dy a tre muaj ke incidente serioze. Dy herë në vit duket sikur do të plasë një konflikt i madh ndëretnik. Së fundmi, kjo është drejtpërdrejt e lidhur me krizën e pushtetit në Maqedoni, me ofensivën e opozitës atje dhe kryetarit të saj Zaev, i cili ka qenë dinamik dhe ka mundur të sigurojë përgjimet që po i bën publike nga një në dy a tri ditë.

Është një tentim i opozitës por edhe i qarqeve të tjera që pushteti aktual të largohet dhe kryeministri Gruevski me të. Ka një përpjekje për t’u pastruar nga korrupsioni.

Roli i shqiptarëve në këtë farsë, në këtë krizë është i dyfishtë; edhe nga ana e pushtetit, edhe nga ana e këtyre grupeve, që na kthejnë 15 vite pas dhe duan që, edhe pse ekzistojnë instrumente demokratike, zgjedhjet, partitë dhe vullneti i shprehur në votë, ta kthejnë në një situatë, të vetëproklamimit të ushtrive çlirimtare, që është shumë e dyshimtë.

Ju dyshoni që ata janë të UÇK-së?

 Unë nuk dyshoj. Si duket prej emrave që po dalin, po shihet se ata kanë luftuar në Kosovë, ndoshta edhe në Preshevë, dhe në luftën e Maqedonisë më herët.

Kujt po i shërbejnë në këtë rast? A po përdoren?

Ndoshta përdoren, nuk është e qartë. Ata flasin, sikur janë ata pronarët e të vërtetave, pronarët e interesit kombëtar. Nuk kanë një axhendë vetëm antimaqedonase apo vetëm anti-politikave shqiptare të partive që janë zyrtarisht në parlamentin e Maqedonisë, por ata flasin edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, e kundër krejt parisë shqiptare, kinse janë në rrugën e gabuar. Japin ultimatume. Kjo mund të kërkojë edhe largimin nga pushteti të Ali Ahmetit apo Menduh Thaçit.

Politika shqiptare atje praktikisht ka falimentuar, ashtu edhe ajo maqedone. Gjithë elita është në krizë, e megjithatë, duhen kërkuar instrumente më normale që kjo krizë të përfundojë jo përmes kësaj mënyre. Kjo që ndodhi në Kumanovë është disi e tejkaluar, si nga kompetencat, ashtu edhe nga mënyra e reagimit.

Dy partitë shqiptare në Shkup, BDI dhe PDSH, u prit që gjatë ditëve të tensionit, të reagonin, t’u bënin thirrje shqiptarëve, gjë që nuk ndodhi. Të martën, që vizituan Kumanovën, ata u pritën keq. Si e patë? Sigurisht që do priteshin keq! Ata nuk duhej të reagonin vetëm për Kumanovën, ata nuk reaguan as për krizën njëmujore që pat mbërthyer Maqedoninë me protesta e më gjerë.

Ata nuk ditën të veprojnë në atë situatë. BDI-ja, që është në pushtet, duhej të nxirrte disa konkluzione e të vepronte, ose të ikte nga Gruevski dhe të provokonte një krizë qeveritare, sepse pa shqiptarët atje nuk mund të ketë qeveri ose kjo do të ishte e përkohshme. Edhe tërheqja nga një qeveri e korruptuar është veprim demokratik. Si duket, edhe ata vetë janë të përfshirë në krizë e në korrupsion dhe në problemet që ka Maqedonia. Mandej, në politikën shqiptare atje mungon prej vitesh, një lloj koordinimi strategjik: mund të kesh edhe pikëpamje të ndryshme, ose profilizim majtas e djathtas, por duhet të ketë një listë me 6, 7 a 10 kërkesa që nuk vihen në dyshim për shqiptarët dhe jo t’i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës. Vjet, Menduh Thaçi që mori pak vota, ‘e ulte pazarin’ që në një farë mënyre BDI-ja të kishte më pak ndikim në pushtet sesa duhej të kishte. Këto janë lojëra shumë naive dhe i japin shanse palës tjetër që të manipulojë me faktorin shqiptar. Duke vënë disa pika kryesore, shqiptarët mund të faktorizohen, të respektojnë njëri-tjetrin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura