Këshilltari amerikan: Përplasjet me Zhulalin për armatimin e ushtrisë

May 17, 2016 | 11:02
SHPËRNDAJE

Në një vend me një adhurim të dukshëm për Amerikën, do të dukej gati e pabesueshme që një zyrtar amerikan të shpallej “non grata”. E vërteta është se kjo ka ndodhur në vitet 1995-1996, me këshilltarin ushtarak të ministrit të Mbrojtjes, asokohe Safet Zhulali.

Denny Lane gjate nje stervitjeje
Denny Lane gjate nje stervitjeje

Bëhet fjalë për “historinë shqiptare” të Denny Lane, e cila zbardhet përmes librit “Këshilltari Amerikan ‘non grata’ në Tiranë”, i autorit Ylli Molla, botuar nga shtëpia botuese “Botart”.

Siç na njoftohet që në kopertinë, përmes këtij libri hidhet dritë mbi “Misionin e të dërguarit special të Pentagonit, Denny Lane, pranë ministrit të Mbrojtjes, zgjedhjet e 26 majit 1996, ngrirja e marrëdhënieve me SHBA-në dhe largimin e padëshiruar nga Shqipëria”.

Gjithçka vjen përmes dokumentesh dhe raportesh, të cilat botohen për herë të parë. Libri paraprihet nga një parathënie e gazetarit Mentor Kikia, sipas të cilit “libri i Ylli Mollës është një përpjekje për të hedhur dritë mbi ca skuta që, për hir të së vërtetës, rrallë ndriçohen, kur vjen fjala për ushtrinë”.

Autori tenton të hedhë dritë mbi ca të vërteta që kanë ndodhur vetëm 20 vjet më parë. “Pjesë e një historie që nis me dëshirën e madhe të Shqipërisë së sapodalë nga diktatura, për të imituar Amerikën e madhe e të pasur në çdo gjë. Pasojë e së cilës ishte edhe futja në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes e Këshilltarit të Parë Ushtarak Amerikan, i cili, me sa duket, duhet të jetë edhe i zhgënjyeri i parë që foli, për pasojë edhe i pari zyrtar amerikan që shpallet ‘Non Grata’.

Por dëshmitë që sjell Ylli Molla nuk tregojnë vetëm raportet administrative mes një ministri dhe një këshilltari të huaj. Përmes dokumenteve tregohet se si Ministrinë e Mbrojtjes e kishin shtënë në dorë njerëz të paaftë dhe të korruptuar. Këto dëshmi janë thelbi dhe treguesi i tërë frymës dhe mënyrës se si po qeveriste klasa politike që mori drejtimin e vendit pas rënies të komunizmit. Ngjarjet që rrodhën pas kësaj, tregojnë se komunizmi nuk mund të përmbysej duke shembur simbolet e tij.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali
Ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali

Ai ishte shumë më shumë sesa flamuj me yllin e kuq dhe banderola propagandistike, ishte një mentalitet dhe frymë”, shkruan Kikia. Ajo çka e bën librin të rëndësishëm është materiali i pasur dokumentor. Shqipëria e viteve ’95- ’96 vjen përmes syrit të një amerikani.

Përmes raporteve të tij kuptohen marrëdhëniet që ai kishte me ministrin Zhulali, kërkesat e qeverisë shqiptare për pajisjen e ushtrisë me armë të rënda e avionë, në një kohë që nevojat kardinale lidheshin me infrastrukturën, logjistikën dhe përgatitjen e njerëzve të aftë.

 

PJESË NGA LIBRI:

1996-a nis me kundërshtimet e Këshilltarit Amerikan. Në një raport të gjatë të 4 shkurtit 1996, ku përshkruhet takimi me ministrin e Mbrojtjes i 31 janarit, Denny ndalet në disa nga problemet më të rëndësishme, si: vizita e ministrit Zhulali në Uashington; financimi nga qeveria pas miratimit nga Berisha të ndërtimit të Qendrës Stërvitore Kombëtare në Bizë; armatimet e reja për ushtrinë shqiptare; riorganizimi i Shtabit të Përgjithshëm; lidhjet me ushtrinë angleze etj.

Por pjesa më pikante e këtij raporti është pika 3, që flet për marrëdhëniet e Këshilltarit Amerikan me ministrin e Mbrojtjes. Gjithsesi, për të lexuar më qartë atmosferën në zyrën e Safet Zhulalit, po e riprodhojmë të plotë këtë raport:

PËRMBLEDHJE

Në mbrëmjen e 31 janarit 1996, Këshilltari Ushtarak u takua me ministrin e Mbrojtjes. Ndër temat e bisedës, veç të tjerave, ishin edhe takimi në Shtutgart me gjeneral Joulwan dhe mbi mundësinë e organizimit të një takimi me Sekretarin e Mbrojtjes, William Perry, para Konferencës Ministeriale në prill 1996.

U diskutua gjithashtu edhe mbi parashikimet që Këshilltari Ushtarak kishte bërë për ndryshime në strukturën e Shtabit të Përgjithshëm (kryesisht në sektorin e logjistikës), mbi marrëdhëniet me ministrin e Mbrojtjes, disa komente mbi Qendrën Kombëtare të Stërvitjes dhe mbi propozimin e Anglisë për trajnime në fushën e organizimit të ceremonive ushtarake dhe zhvillimin e kurseve të anglishtes 2000.

HOLLËSIRA

1. Këshilltari Ushtarak, i shoqëruar nga nënkolonel Asllani, përkthyes dhe ndihmës i Këshilltarit Ushtarak, zhvilloi takim me Zhulalin në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, në mbrëmjen e 31 janarit 1996. Çështjet që u diskutuan janë të përmbledhura si më poshtë:

Kopertina e librit
Kopertina e librit

2. Takimi me gjeneral Joulwan. Ministri theksoi se do të takohet me gjeneral Joulwan më 9 shkurt. Ministri shpresonte se deri atëherë Komandanti i Përgjithshëm do të ketë akorduar shumën e parave dedikuar ndërtimit të Qendrës Stërvitore Kombëtare në Bizë.

Ministri u shpreh se, në bisedë me Komandantin e Përgjithshëm, do të theksojë dhe rëndësinë që ka ndërtimi i Qendrës Stërvitore Kombëtare para zgjedhjeve të përgjithshme. Këshilltari Ushtarak theksoi se deri tani nuk ka asnjë planifikim për akordim fondesh nga SHBA-ja për Qendrën Kombëtare Stërvitore.

Kështu që Komandanti i Përgjithshëm duhet të krijojë mundësinë për të siguruar fonde për Qendrën Stërvitore Kombëtare. Këshilltari Ushtarak informoi se këtë javë do të vijë në Tiranë një ekip nga Vincenza dhe se duhet të shoqërohen nga Këshilltari Ushtarak. Kjo vizitë do të shërbejë për të njohur më mirë detajet lidhur me ngritjen e Qendrës Stërvitore Kombëtare, si dhe përcaktimin e kostos së përafërt të saj.

3. Takim me Sekretarin e Mbrojtjes në Uashington. Ministri, ashtu si dhe unë, mendojmë që është i domosdoshëm organizimi i një takimi me Sekretarin e Mbrojtjes në Uashington, para Takimit Ministerial, të muajit prill 1996. Ministri theksoi se në takimin me Sekretarin e Mbrojtjes, përveç çështjeve të Takimit Ministerial, do të ngrejë edhe çështjen e Ndërtimit të Qendrës Stërvitore Kombëtare.

Për këtë kërkoi dhe mendimin tim. Unë e këshillova se një kërkesë e tillë mund të ishte joproduktive. Kjo pasi, në dijeninë time, deri tani nga SHBA-të nuk është planifikuar ndonjë fond për Qendrën Stërvitore Kombëtare. Këtë kërkesë mund ta ngrenë vetëm ekipet që vijnë nga SHBA-të, siç është edhe ardhja e ekipit nga Vincenza. Theksova edhe një herë se Sekretari i Mbrojtjes nuk e besoj se në këtë takim do të mund të japë një mbështetje të tillë.

4. Përdorimi i Bizës. Ministri tha se për SHBA-të nuk ka asnjë problem për përdorimin e Bizës për stërvitje të ndryshme, ndërsa për shtetet e tjera si Turqia ose Greqia, nuk jemi të përgatitur për të dhënë një akses të tillë.

5. Unë, në bashkëpunim me Atasheun Ushtarak Amerikan, jemi duke e nxitur ministrin për të paraqitur listën e prioriteteve për zhvillimin e Forcave të Armatosura Shqiptare. Unë kam theksuar se në pikëpamjen ushtarake, lidhur me vlerësimin e kërcënimit që i kanoset Shqipërisë (që në fakt nuk ekziston) nuk justifikohen kërkesat, të tilla si ajo për kompletimin e Forcave të Armatosura me armë të tipit Tow dhe Vulcan.

Theksova gjithashtu se për sa i përket çështjes së demonstrimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Amerikën, që ministri synon, duhet që kërkesat për kompletimin nga SHBA-të të Forcave të Armatosura të Shqipërisë të jenë për nevoja jetike dhe të stërvitjes së njësive dhe reparteve në bazë.

Po kështu, lidhur me kërkesën për avionë të tipit T-37, ashtu siç mendojnë dhe shumica e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura, ku dhe unë bashkohem me mendimin e tyre, është se prioritare mbetet përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe jo avionët ushtarakë.

Në fakt, unë kërkesën për avion T-37 e kam lënë mënjanë (have put it in a Back Burner- lënë mënjanë) dhe jam i vendosur të vazhdoj me kërkesën për Anije Patrullimi. Do të bisedoj për këtë dhe me kolonel Bektash Kolasin (Drejtor i Planifikimit Afatgjatë në Shtabin e Përgjithshëm), i cili aktualisht po menaxhon hartimin e listës me kërkesat prioritare të Forcave të Armatosura, ku do të jap këshillat e mia në hartimin e kësaj liste dhe kjo do të përfundojë para takimit të punës që do të zhvillohet në Garmish nga fundi i këtij muaji.

Në qoftë se ministri do të insistojë në demonstrimin e lidhjeve të tij me amerikanët, do të sugjeroja që tani për tani më me interes për trupat do të ishte kompletimi i tyre me uniforma ushtarake amerikane, kjo jo se ato janë më të mira, por se të paktën janë më të ngrohta.

6. Lidhjet me anglezët. Jam informuar nga sekretari i dytë i Ambasadës Angleze në Tiranë (Geoffrey Briggs) se nga fundi i muajit mars Anglia do të dërgojë në Tiranë 2 specialistë për përgatitjen rreshtore dhe organizimin e ceremonive ushtarake, si dhe do të procedojë më tej për mundësimin e zhvillimit të kurseve të trajnimit të ushtarakëve shqiptarë për gjuhën angleze (Language Training 2000), kurse të cilat parashikohet të fillojnë para vitit 2000.

Gjeneral Perlat Sula dhe Denny Lane, 8 nëntor 1995
Gjeneral Perlat Sula dhe Denny Lane, 8 nëntor 1995

Pati disa probleme të vogla lidhur me organizimin e kurseve të gjuhës angleze në fillim, por që u zgjidhën nga Geoffrey Briggs dhe Atasheu Ushtarak Anglez. Në këtë kuadër, nga Forcat e Armatosura u regjistruan 5 veta për testim në gjuhën angleze, para se të shkonin për të ndjekur kursin në Angli, nga të cilët vetëm 3 u testuan dhe që të tre nuk u kualifikuan.

Mendimi i ministrit ishte që me qenë se ne po i dërgojmë ushtarakët tanë në Angli për të mësuar gjuhën angleze, nuk mendoj se është i nevojshëm testimi i tyre paraprak. Ndërsa, lidhur me dërgimin në Tiranë të ekipit anglez me 2 specialistë për përgatitjen rreshtore dhe organizimin e ceremonive ushtarake, ministri mendon se kjo nuk është prioritet për Forcat tona Ushtarake.

Me sa duket, ministri nuk është se e ka shumë idenë e rëndësisë së këtyre dy elementëve për ushtrinë e një vendi dhe theksoi se ka plotë çështje të tjera më të rëndësishme për t’u konsideruar për mbështetje nga Anglia, siç është p.sh. pajisja me uniforma etj.

Unë këmbëngula që të pranonim ardhjen e ekipit me këta specialistë për disa arsye, ku më kryesoret janë: së pari, Ushtria Shqiptare ka nevojë për trajnim në fushën rreshtore dhe sidomos në fushën e organizimit të ceremonive ushtarake dhe së dyti, kjo do të ndikojë në ngritjen e moralit të ushtarakëve në përgjithësi, dhe mbi të gjitha kjo është pa asnjë kosto për Ushtrinë Shqiptare.

7. Riorganizimi i Logjistikës dhe i Shtabit të Përgjithshëm.

A. Si Këshilltar Ushtarak kisha përgatitur dhe prezantova një skemë të riorganizimit të Logjistikës dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në ndryshim nga struktura aktuale, në skemën e re u përqendrova në funksionin e oficerit logjistik në Repart, në Brigadë dhe në Shtabin e Përgjithshëm. Ata duhet të jenë në funksion të Komandës Mbështetëse Logjistike dhe jo thjesht të veprojnë si oficerë shtabi.

Për këtë sugjerim mora mbështetjen e ministrit në parim. Në vijim të përgatitjes për këtë organizim planifikova takim me zv.ministrin për Ekonominë dhe më pas do të prezantoja para shefit të Shtabit të Përgjithshëm (COS-Chief of Staff) dhe ministrit të Mbrojtjes skemën e riorganizimit të logjistikës të përpunuar.

Sot u informova nga kryetari i Misionit të Monitorimit të Komunitetit Europian, Tony Welsh (gjeneral në rezervë), se gjermanët do të jepnin mbështetje në fushën e logjistikës. Ishte lajm i mirë për mua, por gjithsesi më duhet ta verifikoj.

B. Si pjesëtar i grupit për organizimin logjistik sugjerova që në Shtabin e Përgjithshëm duhet të jenë në organikë dy zv.shefa Shtabi, ku njëri të mbulonte fushën e logjistikës dhe tjetri operacionet dhe stërvitjen. Kundërshtimet e ministrit për këtë ishin dyfish.

1. Ministri i Mbrojtjes nuk njeh organizimin e ushtrive të vendeve të tjera më të zhvilluara, të cilat kanë në strukturën e tyre një organikë të tillë. Për këtë theksova se të gjithë neve duhet të na krijohet hapësira e nevojshme për të përcaktuar prioritetet e duhura për të ndërtuar një ushtri, sido që të jetë, por të akomoduar në mënyrën më të mundshme për funksionimin e saj.

Sugjerova se mund të marrim si model organizimin dhe funksionimin e një batalioni amerikan, i cili është në parametra të përafërta me njësitë ushtarake të Forcave të Armatosura Shqiptare.

2. Problem tjetër i ministrit është se ai nuk mund të gjejë asnjë kuadër të përshtatshëm për në pozicionin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm për Operacionet. Dua të theksoj se në opinionin tim, personi i përshtatshëm për pozicionin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm për Logjistikën mund të ishte gjeneral major Vinçani, me të cilin bisedova paraprakisht, ku më tha se kishte ndërmend të jepte dorëheqjen dhe të largohej nga ushtria.

Z.Vinçani është diplomuar për Shkenca Kompjuterike, ka eksperiencë të mirë në menaxhim dhe së fundmi është diplomuar në Kolegjin e Shtabit Gjerman.

Në mendimin tim, për momentin, nuk kishte asnjë ushtarak tjetër që të kishte kredenciale të njëjta me gjeneral Vinçanin. Për një moment, gjeneral major Vinçani ishte gati duke e pranuar ofertën për pozicionin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm, por përsëri kishte një ndjenjë pesimizmi për vullnetin e drejtuesve se mund t’ia besonin këtë pozicion.

3. Marrëdhëniet e mia me ministrin e Mbrojtjes. Pak para se të largoheshim nga takimi me ministrin Zhulali, ministri u shpreh se kishte përshtypjen se unë (Këshilltari Ushtarak) mbaja diçka të fshehur. I them se kjo nuk është tipar në natyrën time dhe qëllon shumë rrallë që të mbaj ndonjë rezervë, sidomos kur marrëdhëniet tona janë shumë të sinqerta.

Megjithatë, ajo që më shqetëson mua është fakti se ministri i Mbrojtjes synon të drejtojë nga Tirana krejt Ushtrinë Shqiptare i vetëm, duke nxjerrë kështu Shtabin jashtë loje. Një tjetër shqetësim i madh i imi është fakti që, në qoftë se për çdo lloj arsyeje ministri nuk do të riemërohej përsëri në detyrë, me krijimin e qeverisë së re të dalë mbas zgjedhjeve të përgjithshme, të gjitha arritjet e deritanishme, me ministrin e ri, do të mënjanoheshin dhe se çdo gjë do të fillonte nga e para.

Sido që të jetë, unë këmbëngula që ministri duhet t’ua delegojë autoritetin vartësve të tij, pasi vetëm kjo do të rriste besimin e tyre që kërkohej për trupat poshtë. Ministri edhe pse ishte dakord me këtë, përsëri thoshte se është akoma shumë herët për ta vënë atë në zbatim.

KOMENTE

Këshilltari Ushtarak do të hartojë një tjetër raport mbi organizmin e Shtabit të Përgjithshëm dhe se do t’ju vërë në dijeni menjëherë, duke bërë dhe komentet mbi të.

Denny Lane

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura