Këshillimi Kombëtar -shteti emocional i Ramës

Jan 19, 2022 | 11:00
SHPËRNDAJE

 

baci agim

NGA AGIM BAÇI
Në shumë shoqëri njerëzit kanë njohur gjithmonë më shumë fuqinë e ligjërimit se sa ligjin apo parimet kushtetuese.

Ndaj dhe spastrimi etik i gjuhës i ka paraprirë zëvendësimit të përgjegjësisë morale në qeverisje me dredhi justifikuese, me qëllim që shoqëria të shkojë drejt reagimit emocional dhe të mos kërkojë llogaridhënie ndaj atyre që ka votur për qeverisjen.

Edhe fushata me dymbëdhjetë pyetjet “derë më derë” që paralajmëroi kryeministri Rama nuk është veçse futja e qytetarëve shqiptarë në hullinë e hutimit dhe joshjes emocionale, duke kërkuar të besojnë se mendimi i tyre do të jetë busulla e qeverisjes. Por, a duhet që qytetarët të vendosin me përmes pyetësorëve për një projekt, si “Open Ballkan”, të cilin nuk mundet ta llogarisin me të gjitha pasojat e ardhshme? Fundja, qytetarët në përgjithësi mendojnë sot për sot, ndërkohë që politika është ajo që duhet të mendojë edhe për pas pesë, dhjetë apo edhe pesëdhjetë vitesh. Atëherë, si mundet që të fusësh qytetarët në një pyetje që tejkalon përditshmërine e tyre dhe përgatitjet e tyre ligjore e arsyetuese?

Kjo metodologji e zgjedhur nga Rama prej kohësh ka qenë një tallje e hapur e qytetarëve, të cilët duke besuar se po pyeten realisht, rrezikojnë të mendojnë se po marrin pjesë në bashkëqeverisje. Por, si mund të gjykojnë qytetarët lidhur me vendimet që duhet të marrë drejtësia, kur dihet se shpallja fajtor apo jo është një proces që nuk mbështetet te emocionet por te faktet? Kjo do të thotë të shuash shtetin e së drejtës dhe të vësh qytetarët e tu përballë gjyqeve publike. Pra, një lloj politike komunikimi që nuk ndryshon aspak nga propaganda e kohës së diktaturës, në kohën e partisë shtet, ku qytetarëve u thuhej orë e çast se “Çfarë do populli bën partia!”

Shumica e pyetjeve jo vetëm që ka dilema të mëdha mes moralit dhe ligjit, por si në rastin e integrimit në BE, apo në marrëdhëniet me fqinjët, kjo pyetje është edhe më tallëse, pasi i vë qytetarët në një lojë dashakeqe, duke i faturuar atyre vendime që nuk luhen as në Tiranë e as Shkup, e as në Beograd, por në Bruksel. Madje, jo në Brukselin burokratik, por në atë të zyrave të qeverive që kanë përgjegjësi përpara qytetarëve të tyre për atë që u kanë premtuar e jo për ide si të z. Rama që i shohin qytetarët si një masë përdoruese dëshirash.

Në fakt, që në fillimet e hapave të tij politikë z. Rama ka tentuar të vendosë një diskurs tjetër të ligjërimit politik, ku ideja e mbështetjes mbi mendimin e qytetarëve ka qenë strategji më vete. Për këtë hap ai së pari ka tentuar, ashtu siç ka ndodhur thuajse me çdo ideologji tjetër, që të ndryshojë gjuhën, e përmes ndryshimit të gjuhës edhe të menduarit rrethe qeverisjes së tij. Sepse pa ndryshimin e etikës gjuhësore, çdo manipulim do ish i pamundur. “Për të ndryshuar mendimin, më parë duhet të ndryshosh gjuhën”, shprehet filozofi dhe gjuhëtari i famshëm amerikan Noam Çomski.

Burgosja te gjuha ideologjike, si në rastin e këtij pyetësori, provon heqjen e përgjegjësive shtetërore dhe e vë kryeministrin Rama në rolin e “gurusë shpirtëror” dhe jo në rolin e njeriut që mban përgjegjësi për atë që ndodh në qeverisjen e tij lidhur me korrupsionin, shkeljet e ligjit, mosmbajtjen e premtimeve dhe me paaftësinë për t’u shërbyer qytetarëve.

“Të thuash rrena me vetëdije dhe t’i besosh sinqerisht ato; të harrosh çdo fakt të pafavorshëm, dhe më pas, kur bëhet i nevojshëm, ta harrosh sërish – ta nxjerrësh nga harresa për aq sa ke nevojë. Të mohosh ekzistencën e së vërtetës objektive dhe gjatë gjithë kohës të kesh parasysh faktin e mohuar. E gjitha kjo është domosdoshmëri. Dhe kështu deri në pafundësi: me faktin se gënjeshtra është gjithnjë një hap përpara të vërtetës”, shkruan Oruelli në romanin aq shumë të diskutuar “1984”, ku pikërisht shpjegohet ky burg ligjërimi që tenton të prodhojë Rama përmes një duzine pyetjesh drejtuar publikut. Pas këtij pyetësori ai po tenton të ndërtojë një ligjërim publik të ngjyrosur me përgjigjet e qytetarëve, duke tenbtuar kështu t’i vërë qytetarët përballë një vetëfajësimi për gjithçka që do të ndodhë në të ardhmen.

Nëse nuk refuzohet ky model nga qytetarët, llogaridhënia dhe zbatimi i ligjit nga qeveria do të mbeten thjesht një dëshirë për t’u varur në kornizë, por të pamundura për t’u aplikuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura