Kerry në Tiranë, Rama: Vizitë e rëndësishme në kohë sfidash të përbashkëta

Feb 5, 2016 | 8:50
SHPËRNDAJE

“Vizitë shumë të rëndësishme në kohë sfidash të përbashkëta” e ka quajtur kreu i qeverisë Edi Rama vizitën e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, që do vijë në Tiranë më 14 shkurt.

arkivNjë ditë pas njoftimin se ai kishte zyrtarizuar vizitën, kryeministri Rama ka postuar një status në FB, ku çmon rëndësinë e saj.

“U zyrtarizua vizita e Sekretarit te Shtetit John Kerry ne Tirane:14 shkurt; vizite shume e rendesishme ne nje kohe sfidash te perbashketa!”- shkruan Rama.

Sekretari i Shtetit, John Kerry, do të vizitojë Tiranën më 14 shkurt. Ishte Departamenti Amerikan i Shtetit që ka njoftuar për këtë vizitë zyrtare të Sekretarit të Shtetit, e para gjatë mandatit të tij.

Ndalesa e Sekretarit Kerry në Shqipëri është në vazhdën e një udhëtimi 5-ditor, që ai do ta nisë me ndalesën në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e 52- të të Sigurisë. Në këtë ndalesë, ai do të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë (ISSG), për të diskutuar mbi mënyrat sesi të përshpejtohet dhënia fund e konfliktit sirian.

Shqipëria është i vetmi vend ballkanik që Sekretari i Shtetit do të ndalojë. Në Tiranë, Sekretari Kerry do të takohet me krerët më të lartë të qeverisë shqiptare, për të diskutuar mbi integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin e ngushtë dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me Sekretarin Kerry Kryeministri Rama është takuar gjatë samitit të NATO-s në Uells, në 2014-n, ndërsa takime kanë zhvilluar edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në Uashington, dhe ministri Tahiri një vit më parë në Uashington gjatë takimit të organizuar nga Presidenti Obama kundër terrorizmit.

Paraardhësja e Kerry-t, Hillary Clinton, vizitoi Tiranën në nëntor 2012, gjatë së cilës ajo iu drejtua me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Vizita e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, zhvillohet në një kohë kur në Shqipëri është miratuar ligji për dekriminalizimin, po debatohet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit sipas modelit të FBI-së amerikane dhe është në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias drafti për ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, për të cilën ambasadori Donald Lu është shprehur se e ka porosi nga eprorët e lartë të Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura