Kërkohet nga Mançester Junajtid, ylli i Bajernit “tremb” drejtuesit. Nuk do të rinovojë me bavarezët

Mar 9, 2021 | 16:13
SHPËRNDAJE

Bajerni i Mynihut ka kohë që kërkon të rinovojë me Kingslei Komanin, i cili cilësohet si pasardhësi i Frank Riberisë. Por, mediat gjermane shkruajnë se francezi ka plane të tjera për të ardhmen. “Kicker” shkruan se Koman ka ndërprerë bisedimet me klubin, edhe pse kontrata e tij skadon në 2023-shin. Mançester Junajtid ka shfaqur interes për anësorin e majtë të kampionëve të Gjermanisë dhe janë gati t’i ofrojnë atij që pagë të lartë vjetore.

kingsley-coman_1h31s1dh0jbni10mxkyqsncw6s

Në sezonin e kaluar, Koman as që nuk e kishte menduar një largim të tijin nga Mynihu. Kujtojmë se lojtari dëmtohej shpesh dhe gjendja e tij shpirtërore ishte shumë e rënduar, saqë mendoi edhe tërheqjen nga futbolli. Por, më pas me ardhjen Hansi Flikut gjithçka ndryshoi për lojtarin i cili jo vetëm që nuk u dëmtua më, por edhe u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të bavarezëve. Goli i tij në finalen e Ligës së Kampioneve në gushtin e kaluar i dha Bajernit mundësinë për të fituar Champions-in e gjashtë në historinë e klubit. Në një intervistë për mediat gjermane në fillim të vitit, Koman shprehej kështu për të ardhmen e tij: “Karriera ime është ende e gjatë, ndoshta një ditë do të provoj diçka ndryshe. Nuk e di kur do të vijë ajo ditë, por e sigurt është që do të ndërroj ambient”.

DILEMA

Qëndron apo jo? E rëndësishme do të jetë paga që do t’i ofrohet lojtarit. Ashtu si dhe në rastin e David Alabës, paraja është ajo që do të vendosë mbi të ardhmen e francezit. Koman nuk është ende një nga lojtarët më të paguar te Bajerni, ndryshe nga Robert Levandovski, Manuel Nojer dhe Tomas Myler. Duke parë atë që ka dhënë për klubin, dëshira e lojtarit është t’i afrohet sa më shumë pagës së lojtarëve të lartpërmendur. Por, duke parë situatën e vështirë ekonomike që ka kapur klubet më të mëdha në botë për shkak të pandemisë, është e vështirë të mendohet për një rritje page. Koman e di shumë mirë këtë dhe ndaj është duke kërkuar për një skuadër që do t’i garantonte një pagë më të mirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura