Kërkohet nga Italia për trafik droge, Gjykata e Fierit liron “Ben Qimen”, rrëzohet ekstradimi

Mar 27, 2015 | 8:20
SHPËRNDAJE

Lihet i lirë Arben Isufaj, i njohur në Fier me pseudonimin “Ben Qimja”. I kërkuari nga shteti italian me akuzën e pjesëmarrjes në organizata kriminale të trafikut të drogës, brenda një viti ka shkaktuar tronditje në sistemin e drejtësisë në vend. 

Arben Isufaj (Ben Qimja )

Që nga arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë një vit më parë, Ben Qimja kaloi në burg, më pas në arrest shtëpie e tashmë i lirë. Gjykata e Fierit, sërish ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së rrethit. “Me vendimin e marrë dje nga kjo Gjykatë, është bërë rrëzimi i kërkesës me objekt ekstradimin e Arben Isufajt nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Italisë.

Po ashtu u vendos heqja e masës së sigurimit ‘arrest në shtëpi’ ndaj këtij shtetasi, caktuar me vendim të Gjykatës së Fierit. Kjo ndodhi në kohën kur Prokuroria e Fierit kërkonte lejimin për ekstradimin e Arben Isufajt, në bazë të kërkesës së autoriteteve gjyqësore italiane”, bën të ditur Prokuroria e Përgjithshme në njoftimin e saj, pak orë pas vendimit të marrë në Fier.

Prokuroria thekson faktin se nga ana e Gjykatës nuk janë bërë të ditura shkaqet e rrëzimit të kërkesës për ekstradim, në një kohë kur Gjykata e Torinos, në Itali, arsyeton se për veprën penale për të cilën akuzohet Ben Qimja nevojitet masa e sigurisë në burg.

Burime nga Gjykata e Fierit thonë se vendimi u mor pasi nuk mbërriti dosja e ekstradimit për akuzën që i mbeti Arben Isufajt nga Gjykata e Torinos. Sipas tyre, Gjykata italiane e ka rrëzuar akuzën për pjesëmarrje në organizatë kriminale për të cilën ishte bërë kërkesa për ekstradim e Isufajt. Ndërsa neni 74 sipas Kodit Penal italian bie, duhet të dorëzohej një kërkesë e re, bazuar në nenin 73 (shpërndarje droge), vepër e cila rëndon ndaj Arben Isufajt.

Në fakt, Prokuroria e Përgjithshme, në reagimin e saj thotë të kundërtën. “Nga përmbajtja e këtij vendimi i është bërë faktit një interpretim i ndryshëm nga sa është bërë në vendimin e Gjykatës së Torinos Itali. Seksioni i Rishqyrtimit ka anuluar vetëm vendimin për nenin 74, por për pjesën tjetër është arsyetuar se, ‘masa e vetme e përshtatshme për t’u bërë ballë nevojave për masë sigurie është ajo e arrestit me burg”, thekson organi i akuzës.

Seanca e djeshme në Fier është zhvilluar me dyer të mbyllura, por bazuar në vendimin e marrë, Arben Isufaj nuk ka më detyrim karshi Drejtësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura