Kërkimi shkencor, kriteret për vlerësimin e universiteteve. Si do veprohet

Mar 22, 2018 | 9:23
SHPËRNDAJE

Këshilli i Ministrave ka miratuar aktin nënligjor të arsimit të lartë për kërkimin shkencor, ku parashtron kriteret dhe procedurat për vlerësimin e veprimtarisë së çdo departamenti.

Studente
Studente

Gara për kërkimin shkencor sapo ka nisur. Qeveria do të ndajë grantin e punës kërkimore-shkencore, i cili është 5 deri në 10% të totalit vjetor, bazuar mbi performancën e universitetit.

Vlerësimi i cilësisë së kërkimit shkencor përbën kriterin bazë të renditjes së universiteteve, e rrjedhimisht është përcaktuese e masës së financimit që ata do të përfitojnë. Vlerësimi nis jo më vonë se tetori i vitit 2019.

METODOLOGJIA E VLERËSIMIT

Akti nënligjor përcakton metodologjinë e vlerësimit të punës shkencore për çdo departament, bazuar mbi disa kritere. Këto të fundit përfshijnë disa tregues që përllogariten në bazë të kontributit 4-vjeçar të tyre dhe që maten me një sistem pikëzimi për të hartuar në fund një renditje të universiteteve nga ata me performancë të lartë deri tek ata më të ulët. Janë pesë kriteret e përcaktuara nga qeveria për të matur performancën e universiteteve.

I pari, ai bibliometrik lidhet me listën e artikujve të botuar në revista shkencore ndërkombëtare, në vendet e BE-së, OECD apo edhe brenda vendit. Kriteri i dytë lidhet me impaktin e veprimtarisë, i cili do të shikohet në bazë të patentave apo shpikjeve të regjistruara, projektet e fituara nga programet e BE-së apo sipërmarrjet e reja si fryt i atij kërkimi. Infrastruktura që vë në dispozicion universiteti është gjithashtu një kriter që lidhet me listën e laboratorëve, bibliotekave, arkivave apo abonimeve.

Kapacitetet njerëzore të përdorura dhe titujt që ata gë- zojnë janë një plus i madh për kërkimin shkencor që ofron një departament. Një vend të veçantë zë dhe ndërkombëtarizimi dhe konsiston me bashkëpunimin apo partneritetet e angazhuara nga vende të OECD-së apo BE-së. Për të thjeshtuar këtë proces vlerësimi bazuar mbi pesë kriteret e lartpërmendura, Vendimi i Qeverisë parashikon që departamentet të grupohen sipas nënfushave kryesore. Për shembull: inxhinierike e teknologjike, mjekësore, bujqë- sore, sociale e humane e të tjera.

SI BËHET VLERËSIMI

Për këtë proces do të kujdeset agjencia e ngritur rishtazi me miratimin e ligjit për arsimin e lartë, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Ajo do të administrojë dhe monitorojë të gjithë procesin e vlerësimit dhe në fund do të publikojë renditjen në bazë të pikëve. Vlerë- simi do të kryhet elektronikisht nga platforma e posaçme ACRIS (Sistemi shqiptar i informacionit dhe kërkimit shkencor).

Ashtu siç parashikon edhe ligji në frymën e tij, drejtuesit e një- sisë bazë do të kenë më shumë kompetenca. “Drejtuesi i njësisë bazë udhëzon, monitoron dhe ndjek të gjitha vetëdeklarimet e të dhënave të veprimtarisë kërkimore–shkencore të njësisë bazë të institucionit të arsimit të lartë, duke kërkuar nga të gjithë anëtarët e njësisë përgjegjshmëri në plotësimin e informacionit, sipas kritereve të përcaktuara, në portalin ‘Vlerësimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore’”, përcaktohet në vendim.

KRITERET

a) Kriteri bibliometrik (Lista e artikujve të botuar në revista ndërkombëtare shkencore apo buletine shkencore të njohura; Lista e monografive shkencore të botuara në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës apo brenda vendit, të vlerësuara si punime shkencore nga njësia bazë; Lista e kapitujve të librave akademikë, të redaktuar, të recensionuar dhe të botuar në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës).

b) Kriteri i impaktit të veprimtarisë kërkimore-shkencore (Lista e patentave apo e shpikjeve të regjistruara pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale apo autoriteteve të huaja; Lista e projekteve kërkimore-shkencore të fituara nga programet kuadër të BE-së për kërkim shkencor, si koordinator projekti ose si partner në projekt; Lista e sipërmarrjeve të reja, të krijuara si rezultat i punës kërkimore-shkencore; Lista e kontratave të shërbimit me objekt studimor).

c) Kriteri infrastrukturor (Lista e laboratorëve shkencorë të akredituar ose jo; Lista e bibliotekave të profilizuara dhe kapaciteti fizik i tyre, i shprehur në vende/ poste pune-kërkimi; Lista e arkivave dhe e koleksioneve shkencore; Lista e abonimeve në revista apo e botimeve shkencore periodike, përshirë dhe ato elektronike).

ç) Kriteri i kapaciteteve njerëzore (Lista e personelit akademik të njësisë bazë, me tituj akademikë “Profesor”, “Profesor i asociuar”, “Lektor” dhe “Asistent lektor” , me kohë të plotë, në momentin e deklarimit;Lista e konferencave shkencore ndërkombëtare, të organizuara nga njësia bazë në bashkëpunim me homologët e saj, në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës etj.).

d) Kriteri i ndërkombëtarizimit (Lista e studimeve dhe e kërkimeve lëndore ose ndërdisiplinore të aplikuara me partner të vendeve të OECD-së dhe BE-së/të tjerë; Lista e personelit akademik të njësisë bazë, të angazhuar në institucionet e arsimit të lartë të vendeve të OECD-së dhe BE-së apo të ftuar pranë njësisë bazë; Lista e programeve të studimit për “Master i shkencave” dhe të ciklit të tretë, të përbashkëta me IAL-të e huaja nga vendet e OECD-së dhe të BE-së, që përfundojnë me lëshimin e një diplome të përbashkët ose të dyfishtë).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura