Kërkimi shkencor dhe analfabetizmi funksional

May 16, 2016 | 13:00
SHPËRNDAJE

baci agimAGIM BAÇI

Zërave kundër ndaj zvogëlimit të Akademisë së Shkencave iu bashkua dje edhe poeti Dritëro Agolli. Në fakt, thënë shkoqur, ai u ra shkurt argumenteve përse nuk duhet të ndodhë ky hap, duke përdorur si një argument shumë domethënës zgjerimin që u bëjnë fqinjët akademive të tyre të shkencave.

Madje, edhe Kosova, pjesa jonë e shqiptarëve e ndarë vetëm nga një kufi –iluzion, vijon të jetë shumë serioze lidhur me mbështetjen e mendimit shkencor. Kushdo që ka bashkëpunuar, në fakt, me Akademinë e Shkencave apo Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka vënë re se atje ka diçka më serioze sesa ajo që ndodh në Tiranë.

Atëherë, përse po shkojmë drejt rrënimit, apo kalimit në shpërfillje të mendimit Akademik? Duhet pohuar, në fakt, se mjaft akademikë të arsimuar dhe në karrierë deri në vitin ’90, i përkisnin shkollës së komunizmit, që përveçse i la shumë pas kërkimeve shkencore, i futi ata në hullinë e atyre që veç tundin kokën për gjithçka që u kërkohej, duke qenë kontribues të drejtpërdrejtë të dehumanizimit të shoqërisë.

Ky shkollim vijoi edhe gjatë këtyre 25 viteve, ku akademikët e edukuar nën diktaturë nuk ishin kurrë pararojë e debateve kombëtare, e studimeve se ku duhet të shkojë sot shkollimi (dhe sot ne kemi juristë e ekonomistë pa fund, ndërkohë që mungojnë hidraulikët e mekanikët). Ata bënë fare pak, ose thuajse asgjë në këto 25 vite për të rishikuar librat e historisë, për të rishikuar debatin mbi një sistem si komunizmi, që pati jetë më pak se çdo sistem tjetër politik (nuk arriti dot 100 vite)

. E aq më pak u prononcuan akademikët në këtë kohë për zgjidhjen e çështjes kombëtare, qoftë Kosova apo Çamëria. Akademikët u bënë shtojcë e qeverive në këto 25 vite, duke sjellë këtë lehtësi të sotme, ku qeveria mund të kërkojë edhe të mbyllet Akademia, e opinioni publik të mos jetë i shqetësuar për to. Për të mos na shkuar mendja më pas as të pyesim se çfarë ka bërë Akademia lidhur me debatet me familjen, ekonominë, apo komunikimet e sotme dixhitale, ku e gjithë shoqëria është pjesëmarrëse.

Madje jemi në një pikë të rrezikshme, ku është përhapur analfabetizmi funksional, ku lexohet e flitet shumë, e kuptohet pak. Por, a është argument keqfunksionimi i tyre që sot të kërkohet reduktimi i rolit të tyre në shoqërinë e sotme? A zgjidhet duke u mbyllur? Vallë, na mjaftojnë mendimet e të tjerëve, të cilat sot mund t’i përkthejmë? Duke shkuar në reduktim, mendimi shkencor merr një goditje të re, duke e kthyer mendimin në konceptin e një luksi.

Universitetet e sotme nuk kanë arritur të kthehen në laboratoret e mendimit shkencor. Koncepti shkencor, pavarësisht titujve të pafund që mund të numërohen në çdo fushë, nuk ka asnjë shenjë në jetën tonë të përditshme. E në fakt, për aq kohë sa shteti kërkon para nga qytetari që kërkon të bëhet shkencëtar, do të thotë që gjithçka është ndërtuar me kokë poshtë, pasi duket sikur shteti po i merr ca para që do t’ia kthejë më pas përmes titullit, ndërkohë që nuk llogaritet thuajse fare se kërkimet shkencore nuk janë thjesht çështje apo ego personale, por janë në të mirë të shoqërisë.

E pavarësisht se mund të ketë ndodhur kështu gjer më sot, ku akademikët janë parë si disa rrogëtarë që rëndojnë taksapaguesit, ky nuk është argument që të kërkohet reduktimi i institucioneve shkencore. Përkundrazi, debati duhej të ishte i gjerë dhe publik, për të gjetur rrugët që të bëjnë sot debatin shkencor të domosdoshëm, që kushdo që do t’i hyjë këtij rrugëtimi, jo vetëm të jetë i mbështetur, por edhe shumë konkurrues. Sot gjithkush mund të vihet në dijeni me konceptet shkencore më të fundit, në çdo fushë të jetës.

Dhe Akademia mund dhe duhet të jetë rojtarja kryesore e asaj çfarë kërkohet nga ata që punojnë në Shqipëri, duke u kërkuar atyre të punojnë për Shqipërinë. Ndërkohë, edhe pse jemi shumë vonë, Akademia duhet të nisë të mbledhë gjithë emrat e bashkëkombasve tanë që sot, falë investimeve të familjeve të tyre dhe investimeve personale, janë në institucionet shkencore më me emër në botë.

Ndaj, jo mbyllja, por zgjerimi dhe forcimi i autoritetit të saj duhej të ishte zgjidhja, duke i dhënë madje kompetenca edhe më të mëdha. Që të mos përfundojmë në shakanë e shkrimtarit Kim Mehmeti i cili, pasi u njoh me numrin e madh të studiuesve me grada, tha: “Mjaft doktoruam, tani le të lexojmë nga pak!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura