Kërkimi, qeveria zvicerane asiston Bankën e Shqipërisë

May 14, 2022 | 7:20
SHPËRNDAJE

Qeveria zvicerane po asiston Bankën e Shqipërisë në fushën e kërkimit dhe në procesin e vendimmarrjes. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi dje një takim me drejtorin e Operacioneve pranë Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO)Martin Saladin.

sejko

Ky takim u realizua në kuadër të finalizimit me sukses të marrëveshjes së dytë të bashkëpunimit me SECO-n dhe të pranishëm ishin zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, Patrik Meier, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga institucionet përkatëse.

Guvernatori theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë zvicerane, i ka ofruar asistencë Bankës së Shqipërisë si në procesin kërkimor, ashtu dhe në procesin e vendimmarrjes, duke zhvilluar modelet e analizës dhe të parashikimit, përmes implementimit të modeleve të reja dhe përmirësimit të politikëbërjes.

Sejko bëri një ekspoze të situatës së ekonomisë dhe financave shqiptare, si dhe të punës dhe rezultateve të politikave të Bankës së Shqipërisë.

Ai theksoi qëndrueshmërinë që shfaqi ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar në përballje me krizat, si pandemia COVID-19, ajo energjetike dhe rritja e çmimeve. Përballimi me sukses i deritanishëm ka ardhur si rezultat i shumë faktorëve, një prej të cilëve ka qenë dhe roli proaktiv i politikës monetare.

Zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, Patrik Meier, u shpreh se vazhdimi i projekteve të përbashkëta të zhvillimit bazohet dhe inkurajohet nga rezultatet pozitive të arritura prej programit aktual dhe aftësi vetë shfaqura nga Banka e Shqipërisë.

Pas këtij takimi, Guvernatori mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të programit zviceran për bashkëpunim në Tiranë, nëpërmjet të cilit Zvicra po mbështet Shqipërinë në zhvillimin e një shoqërie të përparuar dhe një ekonomie konkurruese me synimin për të ndihmuar në avancimin e integrimit të Shqipërisë në Evropë. Në datat 9-11 maj 2022, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Sekretariatin Zviceran të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) organizuan “workshop”- in me temë “Forcimi i kapaciteteve kërkimore në bankat qendrore”.

Qëllimi i aktivitetit ishte shkëmbimi i përvojave në fushën e kërkimit shkencor mes pjesëmarrësve nga bankat qendrore të vendeve partnere të programit BC (Bilateral Assistance & Capacity Building for Central Banks).

© Panorama.al

Te lidhura