Kreu i Policisë: Hetoni organizatorët e azilit në BE. Urdhri i Çakos: Të monitorohet kufiri e pajisja me pasaporta

Apr 18, 2015 | 6:46
SHPËRNDAJE

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, urdhëron nisjen e një procesi hetimor për fluksin e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE-së.  Urdhri kërkon nga të gjitha drejtoritë e Policisë në qarqe, nisjen e monitorimit për grupe të organizuar personash që mashtrojnë qytetarët për azil në vendet e Bashkimit Europian. 

Haki Çako

Ky është urdhri i parë me firmën e Haki Çakos në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, që vjen vetëm 2 ditë pas emërimit. Shkak për nisjen e një procesi të tillë hetimor, për të cilin është ngritur edhe një grup pune në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, janë bërë ankesat që po vijnë nga disa vende të BE, që deklarojnë për një rritje të numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria.

Objekti i këtij urdhri që u drejtohet Drejtorive të Policisë në qarqe dhe Drejtorive Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, është lëvizja masive e qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të hapësirës “Shengen”. Haki Çako shprehet në këtë shkresë se shumë qytetarë po tentojnë të pajisen me pasaporta biometrike, madje edhe me procedurë të përshpejtuar, me qëllimin e vetëm për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe qëllimi i tyre kryesor është që të kërkojnë azil.

Sipas Çakos, bazuar në informacionin e siguruar deri tani nga Policia e Shtetit, rezulton se persona të ndryshëm, të lidhur me agjenci udhëtimi e turistike, po propagandojnë duke mashtruar shtetasit shqiptarë se në vendet e BE po pranohen kërkesat për azil. “Fenomeni ka marrë përmasa shqetësuese, nxitur nga qarqe të caktuara apo nga mashtrimet e agjencive të ndryshme turistike dhe të udhëtimit, duke rrezikuar seriozisht liberalizimin e vizave”, shprehet Çako në urdhrin e tij.

URDHRI
Haki Çako, urdhëron të merren masa të menjëhershme për identifikimin e organizatorëve që mashtrojnë qytetarët për të kërkuar azil në Bashkimin Europian dhe të bëhet dokumentimi i plotë i aktivitetit, duke nisur edhe procedimin penal përkatës për çdo rast. Në shkresën e tij drejtuar Drejtorive të Policisë në qarqe, Çako kërkon që të verifikohen me kujdes të gjithë personat që aplikojnë për pajisje me pasaportë biometrike.

Kryesisht personat që aplikojnë për pasaportë me proces të përshpejtuar, të monitorohen me imtësi të dhënat e tyre dhe lidhjet që ata mund të kenë me grupe të caktuara që po organizojnë largimet në grupe drejt vendeve të BE. Gjithashtu, në urdhrin drejtuar Drejtorive Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Çako kërkon përforcim të mëtejshëm të masave në pikat kufitare.

“Të intervistohen me kujdes personat që udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Të ndërgjegjësohet publiku që bëhet fjalë për mashtrim, pasi në vendet e BE nuk ofrohet azil. Burime nga Policia e Shtetit thanë se drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar që të gjitha informacionet që do të sigurohen nga Policia në qarqe, të dërgohen në kohë reale në zyrat ku është ngritur grupi i punës që po heton me seriozitet këto raste. Të njëjtat burime thanë se Drejtoritë e Kufirit dhe të Policive në qarqe kanë identifikuar deri tani disa agjenci që kryejnë transportin e qytetarëve drejt vendeve të BE, me qëllim përfitimin e shumave të mëdha, duke i mashtruar se do të përfitojnë azil. ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura