Kërkesat e Presidentit të plotësueshme, por ministri del keq

SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

Presidenti aktual i Republikës, Ilir Meta, ka treguar edhe herë të tjera se, kur do dhe kur pozicioni i tij përputhet me interesin publik apo kombëtar, është jo vetëm institucional e më këmbë në tokë, por edhe një shpërbërës i hollë i metamiteve të politikës dhe propagandës qeveritare. Këtë ai e bën me një stil të vetin, nëpërmjet lëvizjeve që nuk kanë bujë në formë dhe në artikulim, por kanë fuqi shpërthyese të brendshme.

prec zogaj

E tillë është letra që zoti Meta i ka dërguar ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, në përgjigje të kërkesës zyrtare të këtij fundit për marrjen e autorizimin e plotfuqishmërisë për të negociuar marrëveshjen detare me Greqinë. Duhet të shënojmë se ministri i Jashtëm i Ramës u kujtua për këtë kërkesë elementare kushtetuese pasi ai dhe qeveria po e konsumonin si mallin e tyre ekskluziv euforinë e dasmës akoma pa nuse të negociatave me palën greke. Ata nuk e kanë informuar për asgjë Presidentin e Republikës në lidhje me negociatat paraprake eksploratore që kanë zhvilluar me palën greke për çështjen e caktimit të kufijve detarë mes dy vendeve. Edhe pse duhej ta dinin se rruga drejt negociatave dhe marrëveshjes konkrete për këtë çështje kalon nga institucioni i Presidentit të Republikës.

Një shpërfillje e tillë do të kishte lënë një gjurmë hidhësie dhe lëndimi në përjetimin e zotit Meta, por vetëm kaq. Meta nuk do të mund ta kthente mbrapsht për plotësime kërkesën e ministrit të Jashtëm, nëse kjo kërkesë do të kishte qenë e rregullt, ashtu siç e kërkon Kushtetuta edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar marrëveshjen e parë të qeverisë “Berisha” me Greqinë për detin.

Përgjigja e Metës është bërë publike. Ai nuk e ka dhënë që herën e parë autorizimin për negociatat duke parashtruar gjerë e gjatë tri arsyet kryesore të refuzimit që janë njëkohësisht edhe tri kërkesa për t’u plotësuar nga ana e Ministrisë së Jashtme me qëllim që autorizimi të jepet herën e dytë. Kam përshtypjen se me gjestin e pazakonshëm të publikimit të letrës, që në vetvete na tregon një marrëdhënie aspak normale mes ekzekutivit dhe Presidentit – po kjo nuk është e re – Meta ka dashur të largojë nga vetja paragjykimet e një komunikimi të mbyllur që do ta bënte objekt akuzash e insinuatash sikur po fut shkopinj nga inati, për hakmarrje, nga smira e xhelozia, apo, nga ana tjetër, po bëhet bashkëfajtor në një akt që rrezikon gjithnjë të gdhendet si antikombëtar nëse devijon nga Kushtetuta dhe shtyhet përpara për interesa apo agjenda të personalizuara të Kryeministrit dhe ekipit të tij.

Jo se akuzat si hakmarrës e inatçi nuk po i bëhen, por tani që ka publikuar letrën gjithkush ka mundësi t’u referohet argumenteve mbi të cilët e mbështet refuzimin e tij dhe t’i ballafaqojë ato qoftë me kërkesat e Kushtetutës, qoftë me qëndrimet e palës qeveritare. Nga ky ballafaqim, Presidenti i Republikës ngjan të jetë korrekt në leximin e Kushtetutës në germë dhe në frymë. Përveç sa thamë më lart, përmes botimit të përgjigjes, Meta që njihet për marrëdhëniet e tij të mira me krerët e qeverisë dhe shtetit grek, i ekspozon zotin Rama dhe ministrin e tij të jashtëm si përgjegjësit kryesorë të vonesave eventuale për fillimin e negociatave.

Në të vërtetë, asnjë President Republike me një minimum integriteti nuk do të mund të pranonte përdhosjen e institucionit duke plotësuar një kërkesë me mangësi të mëdha për një çështje kaq të rëndësishme dhe të ndjeshme siç është caktimi i kufijve detarë me Greqinë. Lajmi i mirë këtu është se kërkesat e Metës janë të plotësueshme që të trija. Topi është në fushën e qeverisë.

Në qoftë se Rama nuk po kërkon një gjë që s’do ta marrë, ai i ka të gjitha mundësitë të urdhërojë zbatimin e përpiktë, konform ligjit, të kërkesave të Presidentit të Republikës, duke filluar me përkufizimin e qartë të objektit të negociatave, shoqëruar me projektmarrëveshjen, relacionin dhe hartat përkatëse digjitale, duke vazhduar me përbërjen e grupit negociator që duhet të merret nga një spektër më i gjerë institucionesh siç janë Akademia e Shkencave, Instituti i Arkeologjisë apo Ministria e Kulturës, e duke konkluduar me përcaktimin e Standardeve dhe Metodologjisë: në cilat raste do të përdoret parimi i baraslargë- sisë nëse do të përdoret, në cilat raste parimi i baraslargësisë në korrektim, cila është hapë- sira detare ku do të përdoret parimi “Ekitesë” që është thelbësor për një marrëveshje të re.

Duke i mëshuar parimit të “ekitesë”, Presidenti bëhet në këtë rast zëdhënës i shumë zërave që kanë argumentuar se aplikimi i këtij parimi vendos paritetin mes palëve dhe është në interes të vendit tonë. Kërkesat e plotësueshme të Presidentit garantojnë ligjshmëri, transparencë dhe përgjegjësi me të madhe nga pala shqiptare. Por kërkesat e Presidentit nxjerrin në pah nivelin e ulët, shkujdesjen elementare, paaftësinë dhe deri budallallëkun me brirë që është ulur këmbëkryq në instancat e sotme të qeverisë së Ramës. Ndërsa është serioz kur shprehet për mangësitë, zotit Meta duket se i ka ardhur zogu në dorë të ironizojë e madje edhe të tallet me kundërthëniet dhe gafat në disa paragrafë të letrës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Ja një shembull. Në letrën ku kërkon Plotfuqinë, zoti Bushati i shkruan Presidentit se arritja e marrëveshjes me palën greke zgjidh problemet e pazgjidhura ndërkufitare mes dy vendeve dhe do të rrëzonte çdo pretendim territorial që mund të ekzistojë mes dy vendeve. Për çfarë pretendimesh territoriale bëhet fjalë, ia kthen Presidenti. Cila palë i ka shfaqur ato, në çfarë mënyrë, kur, a ka qenë kjo çështje objekt i diskutimeve eksploratore diplomatike, që janë realizuar përpara paraqitjes së kërkesës për negocim?

Presidenti kërkon t’i vihet në dispozicion i gjithë informacioni në lidhje më këtë çështje. Nuk e dimë me saktësi, a janë trajtuar e si janë trajtuar pretendimet territoriale në bisedimet eksploratore, ka mundësi që zoti Bushati të ketë folur si një “patriot amator”, mirëpo Presidenti kërkon me të drejtë minutazhin e bisedimeve për një pikë kaq të nxehtë. Kështu e shfryn metamitin e të vetëshpallurve patriotë politikë, sikur vetëm ata e duan Shqipërinë kurse të tjerët e kanë shitur e tradhtuar. Por nuk mund të jesh patriot i mirë, në qoftë se je kretin – morali i fabulës.

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakKorça në këmbë për Skënderbeun, ja personalitetet që folën në tubimin madhështor
Artikulli tjetërVeliaj: Teatri i ri Kombëtar do të ketë trefishin e sipërfaqes që ka sot, nuk ka kullë

S'KA KOMENTE

Comments are closed.