Kërkesa financiare e FSHF-së për qeverinë, reagon Ministria e Sporteve: Ja çfarë do bëjmë

Mar 30, 2020 | 19:04
SHPËRNDAJE

Situata alarmante me virusin Covid-19, prej afërsisht 1 muaji ka pezulluar të gjitha aktivitetet sportive. Futbolli shqiptar ndodhet përpara një krize të jashtëzakonshme, e cila pritet të përshkallëzohet edhe më shumë.

kostandin-shkurti

Për këtë arsye Federata Shqiptare e Futbollit së fundmi i ka dërguar një letër Këshillit të Ministrave, ku kërkon kompensim financiar për komunitetin e futbollit, në mënyrë që të sigurohet mbijetesa.

Lidhur më ketë gjendje, gezeta “Panorama Sport” kontaktoi me Kostandin Shkurtin, Zv.Ministrin e Arsimit Sportit dhe Rinisë. Shkurti komentoi kërkesën e FSHF-së, si dhe gjendjen e vështirë që ka shkaktuar Koronavirusi.

Z.Shkurti, si do ta komentoni kërkesën e FSHF-së ndaj Këshillit të Ministrave? A do të mirëpritet ajo?
Besoj që edhe futbolli nuk do të mbetet jashtë vëmendjes dhe do të trajtohet me shumë kujdes, por të shohim se çfarë mund të bëhet, pasi gjithçka varet nga buxheti.

Çfarë po bën qeveria për ti ardhur në ndihmë sportit në këtë situatë të jashtëzakonshme?

Kryeministri është shprehur shumë qartë në deklaratat e tij. Kjo është një luftë e padukshme dhe nuk mund të krijosh dot një strategji për këtë gjë. Një situatë që nuk është vetëm për ne, por për të gjithë botën, ku ka mendime nga më të ndryshmet për ti rifilluar kampionatet, për ti shtyrë apo për ti organizuar në një këndvështrim tjetër.

Gjithçka do të varet se si do të shkojë situata me virusin, pasi deri tani kurba e të infektuarëve është ende në rritje dhe momentalisht nuk mundemi të bëjmë parashikime. Pra rikthehemi edhe një herë aty, ku kemi të bëjmë me një luftë me të padukshmen dhe na bën që të jemi sa më të vëmendshëm për objektivat tona në momentin e duhur.

Çfarë do të ndodhë me kampionatet, mendoni që mund të rifillojë sezoni?

Ndodhemi në një moment ku është e pamundur që të flasim me siguri. Do presim hap pas hapi se si do të shkojë situata, sepse mbi të gjitha qëndron shëndeti i njerëzve. Më pas do të shikojmë për zgjidhjen më të mirë.

Cili është apeli juaj për komunitetin e sportit në Shqipëri?

Apeli im për komunitet e sportit është që të presim kalimin e kësaj gjendje dhe shpresoj që të ndodhë sa më shpejt. Ne do të bëjmë gjithçka që ti përfundojmë aktivitetet në një kohë të caktuar, për t’iu rikthyer më pas normalitetit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura